Kryeministri Edi Rama nisi vizitën zyrtare në Gjermani, ku u prit në Berlin nga kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz.
Fokusi i takimit i takimit të Ramës me Scholzin në Berlin ishte koordinimi për Samitin e Procesit të Berlinit. Në konferencën e kaluar në nëntor 2022 në Berlin u vendos që Shqipëria të jetë mikpritëse e samitit të radhës. Scholz tha se takimi do të mbahet më 16 tetor në Tiranë. “Është hera e parë që një konferencë e tillë zhvillohet në një kryeqytet të Ballkanit Perëndimor”, tha Scholz. Rama dhe se “samiti do të trajtojë bilancin e arritjeve të këtij procesi dhe objektivat për t’u arritur më tutje, si edhe do të fuqizojë edhe më shumë bashkëpunimin në rajon”.
Scholz lavdëroi faktin që tashmë Shqipëria i ka ratifikuar tri marrëveshjet e arritura në nëntor në Berlin për lëvizjen e lirë të qytetarëve me karta identiteti, njohjen reciproke të diplomave dhe njohjen e kualifikimeve të larta për profesione të caktuara, si mjekët, dentistët dhe arkitektët.
Kancelari gjerman gjithashtu vlerësoi rolin e Shqipërisë si një “partner të besueshëm” në skenën ndërkombëtare. Ai përmendi konkretisht përgjegjësitë që ka marrë përsipër Shqipëria si anëtare jo e përhershme e Këshillit të Sigurimit dhe e NATO-s
Kancelari gjerman nënvizoi edhe mbështetjen e mëtejshme të qeverisë së tij në rrugën e Shqipërisë drejt BE-së.
Më 16 tetor, Tirana do të mirëpresë samitin e radhës të Procesit të Berlinit. Lajmi u dha nga kancelari gjerman Scholz në konferencën e përbashkët për mediet në Berlin, me Kryeministrin Rama.
Kancelari i Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz deklaroi se Ballkani Perëndimor dhe integrimi i tij në Bashkimin Evropian janë shumë të rëndësishme.
“Në shumë raste kam tërhequr vëmendjen se kjo është një nga detyrat shumë të mëdha që duhet të përmbushë Evropa tani. Ballkani Perëndimor është pjesë e Evropës dhe pjesë e familjes evropiane. Prandaj gëzohem që ti re dakord në nëntor të ftosh në Shqipëri Samitin e ardhshëm të Procesit të Berlinit. Përgatitjet për të tani kanë përparuar dhe në 16 tetor samiti do të zhvillohet. Në këtë mënyrë Samiti i Procesit të Berlinit për herë të parë në historinë thuajse 10-vjeçare të procesit do të organizohet në kryeqytetin e një shteti të Ballkanit Perëndimor”, u shpreh Scholz.
Kryeministri Edi Rama shprehu mirënjohjen që këtë vit Samiti i Procesit të Berlinit spostohet në rajonin tonë për herë të parë.
“Jam i lumtur që Tirana është zgjedhur si vendi i zhvillimit të këtij samiti”, tha Rama në konferencën e përbashkët për shtyp me kancelarin e Republikës Federale të Gjermanisë, Olaf Scholz në Berlin.
Rama tha se “sot mund të shpallim edhe datën e propozuar nga pala gjermane, edhe e pranuar prej nesh që është 16 tetori i këtij viti, ku do të punojmë së bashku dhe ku zyra e Kancelarit do të angazhohet për ta shoqëruar samitin edhe me një forum të rëndësishëm të biznesit me praninë e bizneseve të rajonit dhe gjermane”.
Kryeministri Rama u shpreh se “besojmë që në Tiranë do të kemi mundësi të deklarojmë marrëveshjen përfundimtare për çeljen e kolegjit europian të Bruzhit në funksion të gjithë rajonit në Shqipëri”, tha Rama.
“Falënderoj kancelarin Scholz për mikpritjen dhe për angazhimin e tij personal si dhe për vullnetin e shprehur qartë të qeverisë federale për ta mbështetur vijimësisht Shqipërinë dhe Ballkanin Perëndimor në këtë periudhë kaq të rëndësishëm për ne, kaq të rëndësishme për vetë Europën. Ky do të jetë një samit që do të vazhdojë në rrugën e çelur thellimin e procesit, do të trajtojë sigurisht bilancin e arritjeve të këtij procesi dhe patjetër objektivat për t’u rritur më tutje dhe do të fuqizojë bashkëpunimin në rajon, i cili është e vetmja rrugë që kemi dhe në këtë rruge jemi me fat që Gjermania është një bashkudhëtar i vëmendshëm dhe i përfshirë drejtpërdrejt”.
Në fjalën e tij Rama vuri në dukje gjithashtu se “kemi diskutuar për disa aspekte të jetës ekonomike, financiare dhe sociale në Ballkanin Perëndimor për disa elementë të rëndësishëm të konvergjencës të jetesës në BE dhe për domosdoshmërinë që Ballkani Perëndimor të hedhë një hap më tutje në funksion të mbështetjes së fuqizimit të mekanizmave, që do ta bëjnë këtë konvergjencë të realizueshme”.
Rama u shpreh se diskutoi me kancelarin Scholz edhe për integrimin e Shqipërisë në BE.
“Kemi folur edhe për procesin e integrimit dhe sfidat e tij është një proces si bazuar tek merita individuale e çdo shteti, ku ka shumë punë për të bërë. Kemi diskutuar se si Gjermania mund të na ndihmojë në angazhimin e shumë burimeve njerëzore në aspektin e mbështetjes, por gjithë atë makineri që duhet ngritur në funksion të përgatitjes së ligjeve dhe akteve nënligjore për t’u adoptuar me BE-në”, tha Rama.
Kryeministri Rama bëri të ditur se “diskutuam edhe për rajonin. Shqipëria, qeveria jonë, e mbështesim fuqimisht planin e paqes e të normalizimit mes Kosovës dhe Serbisë. Në këndvështrimin tonë është një plan shumë përmbajtësor dhe realist, i cili sjell normalizimin e nevojshëm dhe të shumëpritur dhe të cilin të dyja palët duhet ta trajtojnë jo vetëm me seriozitetin maksimal, por edhe me gjithë kurajon e domosdoshme”.