Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Turqisë, Mustafa Şentop, dje vizitoi Maqedoninë e Veriut, ndërsa pas qëndrimit në Serbi do të vizitojë edhe Malin e Zi
Kryetari i Asamblesë së Madhe Kombëtare të Republikës së Turqisë, Mustafa Şentop, deklaroi sot në Beograd se stabiliteti i Ballkanit është jashtëzakonisht i rëndësishëm për rajonin, Evropën dhe botën, raporton Anadolu Agency (AA).
Şentop sot në Beograd është takuar me kryetarin e Kuvendit Popullor të Serbisë, Ivica Daçiç, dhe pas takimit është mbajtur një konferencë e përbashkët për media.
Duke folur për marrëdhëniet mes Turqisë dhe Serbisë, Şentop tha se marrëdhëniet dypalëshe mes dy vendeve janë në nivelin më të lartë në histori dhe se ato janë shembull se si duhet të zhvillohen marrëdhëniet ndërmjet dy vendeve.
Şentop tha se në zhvillimin e marrëdhënieve mes Turqisë dhe Serbisë kontribuojnë edhe marrëdhëniet e mira mes presidentëve të dy vendeve, Recep Tayyip Erdoğan dhe Aleksandar Vuçiq.
Ai tha se pret që vëllimi i planifikuar i shkëmbimit tregtar prej dy miliardë dollarë të arrihet këtë vit dhe porositi se tani është koha për të vendosur synime të reja, më të larta në këtë drejtim.
Kryeparlamentari turk kujtoi gjithashtu se po bëjnë përpjekje që bashkëpunimi të japë fryte për të dyja vendet në çdo aspekt, dhe kryetarët e parlamenteve, siç tha ai, kanë për detyrë të rrisin komunikimin e ndërsjellë mes parlamenteve, e me këtë edhe popullit.
Kryetari i Kuvendit të Turqisë tha se nga nesër do të nisin fluturimet direkte ndërmjet Beogradit dhe Ankarasë, ndërsa tha se sipas nevojave do të rritet edhe numri i fluturimeve të tjera ndërmjet dy vendeve.
“Bashkëpunimi mes dy vendeve tona është shumë i rëndësishëm nga aspekti i stabilitetit në këtë rajon. Paqja dhe stabiliteti i qëndrueshëm në Ballkan ka një rëndësi të madhe për rajonin, por besoj se jo vetëm rajoni, por stabiliteti i këtij rajoni është shumë i rëndësishëm për Evropën dhe botën”, tha Şentop.
Pas konferencës së përbashkët për shtyp, Şentop ka lënë mesazh në Librin e të ftuarve në Kuvendin Popullor të Republikës së Serbisë dhe ka vizituar ambientet e Kuvendit.
Kryetari i Kuvendit të Turqisë sot është takuar edhe me presidentin e Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ndërsa do të ketë takim edhe me kryeministren e këtij vendi, Ana Brnabiq.