Duke folur për takimet e tij në Maqedoninë e Veriut, Kurtulmuş tha: “Sa herë që vijmë në Ballkan, shohim edhe një herë se këtu kemi shumë gjurmë. Të gjithë njerëzit e Ballkanit janë anëtarë të familjes sonë, miqtë tanë. Ne shohim se lidhjet e përbashkëta kulturore dhe historike vazhdojnë në mënyrë shumë vitale. Shohim se çdo aktivitet që bëhet këtu forcon më tej urën midis Türkiyes dhe popujve ballkanikë dhe rrit më tej bashkëpunimin”.
Ai theksoi se prioritet i Türkiyes është të shihet garantimi i besimit dhe stabilitetit mes vendeve të Ballkanit pa dallim.
“Popujt ballkanikë, të cilët vuajtën shumë në periudhën pas shpërbërjes së Jugosllavisë…tani duhet të ecin drejt një të ardhmeje shumë më të fortë, krah për krah”, tha Kurtulmuş, duke shtuar se Türkiye ka një qasje miqësore dhe vëllazërore ndaj të gjithë popujve ballkanikë.
Kurtulmuş tha se në Ballkan ka një atmosferë paqeje dhe miqësie dhe se kjo është e nevojshme më shumë se kurrë.
Kurtulmuş arriti të shtunën në Shkup për një vizitë treditore së bashku me një delegacion në të cilin bëjnë pjesë nënkryetari i Grupit Parlametar të AK Partisë, Bahadır Yenişehirlioğlu, kryetari i Grupit Ndërparlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i AK Partisë Ahmet Kılıç, deputetët e AK Partisë, Kayhan Türkmenoğlu dhe Yusuf Ahlatcı, nënkryetari i Grupit Parlamentar të Miqësisë Türkiye-Maqedoni e Veriut, deputeti i CHP-së Vecdi Gündoğdu, deputeti i MHP-së, Fevzi Zırhlıoğlu, deputeti i Partisë Saadet, Mustafa Bilici dhe ambasadori i Türkiyes në Shkup, Fatih Ulusoy.
Ai në Shkup u takua me homologun e tij Afrim Gashi, kryeministrin Hristijan Mickoski dhe presidenten Gordana Siljanovska-Davkova ndërsa po ashtu mori pjesë në një pritje solemne me rastin e 21 Dhjetorit, Ditës së Arsimit në Gjuhën Turke në Maqedoninë e Veriut.
Të shtunën, komuniteti turk në Maqedoninë e Veriut shënoi Ditën e Arsimit në Gjuhën Turke, pasi më 21 dhjetor të vitit 1944 në shkollën fillore “Tefeyyüz” në Shkup filloi mësimi në gjuhën turke. Me vendim të qeverisë së vendit, që nga viti 2007 kjo ditë është ditë jopune për komunitetin turk në Maqedoninë e Veriut./AA