Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla u takua sot, në kryesinë e Kuvendit, me ambasadoren e SHBA, Yuri Kim me të cilën diskutoi ndër të tjera mbi bashkëpunimin dypalësh për rritjen e sigurisë dhe forcimin e paqes në rajon e më gjerë.
Gjatë takimit u bisedua mbi rolin edhe kontributin e rëndësishëm të Kuvendit të Shqipërisë nën lidershipin e Kryetares së Kuvendit, Lindita Nikolla, në avancimin dhe thellimin e reformave të rëndësishme, jetike për jetën e vendit, fuqizimin e shtetit të së drejtës, konsolidimin e institucioneve demokratike dhe luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Njëkohësisht u diskutua mbi rëndësinë e avancimit të procesit të Vetingut dhe ndërtimin e një sistemi drejtësie të ndershëm, në shërbim të qytetarëve, bashkëpunimin e suksesshëm midis SHBA dhe Shqipërisë në kuadrin e Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe NATO-s, për dënimin e agresionit ushtarak të Rusisë dhe mbështetjen e Ukrainës, si dhe bashkëpunimin dypalësh për rritjen e sigurisë dhe forcimin e paqes në rajon e më gjerë.
Nikolla dhe Kim diskutuan edhe rreth rritjes së bashkëpunimit midis Kuvendit të Shqipërisë dhe Kongresit amerikan, edhe në kuadrin e 100-vjetorit të vendosjes së marrëdhënieve diplomatike midis të dy vendeve, si dhe nxitjen dhe mbështetjen e investimeve amerikane në Shqipëri dhe çështje të tjera të bashkëpunimit dypalësh.