Kryepeshkopi i Tiranës, Durrësit dhe i Gjithë Shqipërisë Anastas Janullatos ka uruar besimtarët ortodoksë për festën e Pashkës duke theksuar se “dashuria do të triumfojë përfundimisht, duke na e lehtësuar dhimbjen dhe plagët”.
Duke folur edhe për luftën në Ukrainë, Janullatos tha se kjo luftë ka shkaktuar dhimbje e hidhërim që e kanë përmbytur shpirtin, por thekson se rrugëdalja është kthimi drejt vlerave themelore të besimit.
“Ardhja e Birit dhe e Fjalës së Perëndisë në botë, marrja e natyrës njerëzore dhe lartësimi i saj me Pësimin dhe Ngjalljen e Tij, janë ngjarje kulmore të dashurisë brenda historisë botërore. Besimi i krishterë mbështetet në një të vërtetë themelore: “Perëndia është dashuri; dhe ai që qëndron në dashuri, qëndron në Perëndinë dhe Perëndia në atë” (1Jn. 4:16). Ngjallja dhe dashuria ndërlidhen midis tyre. Fitorja mbi vdekjen me Ngjalljen e Krishtit realizohet me anë të dashurisë: “Ne e dimë se kemi shkuar prej vdekjes në jetë, sepse duam vëllezërit” (1 Jn. 3:14). Zhvendosja nga vdekja në jetë përmbushet me anë të dashurisë. Gjerësia dhe thellësia e dashurisë së krishterë përcaktohen në tekstet biblike dhe zbulojnë plotësinë e tyre në figurën e Birit dhe të Fjalës së mishëruar të Perëndisë, të Jisu Krishtit. Ai është mishërimi i dashurisë. “Ai shkonte vend më vend duke bërë mirë dhe duke shëruar”, u përplas me padrejtësinë dhe djallëzinë, me gënjeshtrën dhe urrejtjen, u përball me armiqësinë dhe shpifjet. Zbuloi madhështinë e dashurisë, duke falur edhe ata që E kryqëzuan. Me Ngjalljen e Tij, Ai shpalli triumfin e dashurisë”, nënvizoi Janullatos.
Kryepeshkopi Janullatos u shpreh se “dashuria e pafund e Perëndisë u ndërthur me përulësi, vuajtje të pamasë, me “kenozën”. Jisu Krishti, Biri i Perëndisë, “zbrazi veten e tij duke marrë formë shërbëtori”. Edhe pse ishte Perëndi “e zbrazi veten, mori formë shërbëtori dhe u bë njeri. Dhe ndërsa ishte njeri i vërtetë, u përul me vullnetin e Tij deri në vdekje kryqi. Prandaj edhe Perëndia e përmbilartësoi dhe i fali emrin më të lartë se çdo emër, që emrit të Jisuit t’i përkulet çdo gju… dhe çdo gjuhë të rrëfejë se Jisu Krishti është Zot, për lavdi të Perëndisë Atë” (Filip. 2:6-11)”.
“Në ditët tona, kur hidhërimi, dhembja dhe pështjellimi, për shkak të luftës vëllavrasëse të Rusisë kundër Ukrainës, e kanë përmbytur mendimin dhe shpirtin tonë, ndoshta duket e çuditshme që t’i referohemi dashurisë. Lufta agresive përbën cenimin dhe mohimin më tragjik e mizor të saj. Por, në këto kushte të dhimbshme është e natyrshme që vëmendja jonë, duke kërkuar rrugëdalje, të kthehet drejt vlerave themelore të besimit tonë. Njëkohësisht me dënimin e krimeve, mbi të gjitha, është urgjente që të fuqizohet brenda dhe përreth nesh fuqia e dashurisë që kapërcen çdo mendje. Vetëm kjo mund të mposhtë përfundimisht fuqinë arrogante të pushtetit dhe të sigurojë lidhjen tonë me Perëndinë e paqes dhe të pajtimit”, tha Janullatos.
Kryepeshkopi Janullatos tha se “dashuria shprehet si lëvizje mistike e Perëndisë për te njeriu dhe e njeriut për te Perëndia dhe njerëzit e tjerë. Ajo i mban në kohezion të gjitha qeniet logjike; është energji Perëndie që nuk mund të shpërbëhet. Shpresa kryqngjallësore se dashuria do të fitojë përfundimisht, le të ngushëllojë dhe paqtojë shpirtin tonë”.