Arqipeshkvi i Dioqezës Shkodër-Pult, Angelo Massafra uroi sot besimtarët katolikë, ortodoksë dhe gjithë shqiptarët për festën e Krishtlindjes duke bërë thirrje që të gjithë të ndërtojmë një kulturë paqeje.
“Të gjithë atyre që do t’u arrijë ky mesazh u uroj paqen që solli Jezu Krishti, duke ardhur në këtë botë, me lindjen e tij. Mesazhi tradicional i Krishtlindjes që zakonisht dërgoj para solemnitetit të Krishtlindjes nuk mund të ketë tjetër temë përveçse atë të paqes, në fund të një viti të shënuar nga lufta e trishtuar, që është duke prishur fytyrën e bukur të Europës sonë me plagë të thella. Ndërsa fuqitë botërore janë duke u përpjekur që t’i vlerësojnë pasojat e luftës së Rusisë në Ukrainë dhe të kërkojnë mënyra konkrete për zgjidhjen e konfliktit, ekonomia botërore po vuan efektet e saj me varfërimin e mëtejshëm të shtresave më të varfra; në mënyrë të veçantë e ndjejnë vendet e Evropës Lindore, përfshi edhe Shqipërinë”, theksoi Massafra në urimin e tij.
Massafra u shpreh se “fjalët që janë përdorur deri tani, duke përfshirë edhe ato të Papa Françeskut, nuk mjaftojnë për të përshkruar seriozitetin e fenomenit të luftës në të gjitha aspektet, duke përfshirë edhe ato morale: çdo luftë është gjithmonë e gabuar, sepse dëmton si dinjitetin e atyre që plagosin dhe vrasin, ashtu edhe të atyre që plagosen dhe vriten, pa llogaritur demtime katastrofike mjedisit! Por ekziston një zgjidhje, që vetëm ata që nuk duan, nuk arrijnë ta shohin: pranimi i Krishtit si “Princ i Paqes””.
Prandaj, vijoi ai, nuk mund ta quajmë veten paqesjellës të vërtetë vetëm sepse e urrejmë luftën.
“Sa luftëra ekzistojnë çdo ditë brenda nesh dhe rreth nesh? A nuk është luftë pamundësia për të falur ofendimet e marra, gjakmarrja dhe vrasje që vazhdon ende në vendin tonë, mungesa e komunikimit brenda familjeve që çon në urrejtje dhe në prishjen e lidhjeve familjare, refuzimi i jetës së sapolindur apo lënia mënjanë e të moshuarve, mashtrimet në dëm të shtetit apo organizatat kriminale që vrasin për interes? A nuk është shkaku i luftës dhe i vrasjeve mbjellja e shitja e drogës? A nuk është luftë mosrespektimi i të drejtave të njeriut, i të drejtave të punëtorëve, i të drejtave të të sëmurëve (pa kërkuar dhe pa pretenduar rryfshet!), i të mirës së përbashkët, i shtëpisë sonë të përbashkët që është bota e krijuar? Këto janë disa nga fushat ku secili prej nesh mund të sjellë paqe, por me kusht që fillimisht të jemi të paqtuar përbrenda. Ndërgjegjja është e paqtuar kur e di se po bën atë që është e drejtë, kur e di se po shmang çdo formë të së keqes private ose publike, kur nuk refuzon të bëjë atë që është e drejtë nga neglizhenca apo frika. Po, edhe mosbërja e të mirës mund të shkaktojë padrejtësi, të cilat në mënyrë të pashmangshme çojnë në konflikte”, nënvizoi Massafra.
Prandaj, tha Massafra, i bëj thirrje zemrës dhe vullnetit të mirë të të gjithëve për të bërë paqe.
“Vetë Hyji na e kërkon atë në Birin e tij të lumë që është Princi i Paqes! Te dashur të angazhohemi personalisht për të ndërtuar një kulturë paqeje për të cilën punojmë dhe jetojmë. Prandaj i uroj paqe çdo njeriu, nga politikani deri te qytetari më i fundit; uroj që familjet të jenë vatra paqeje dhe jo lufte; uroj që të vegjlit, të mëdhenjtë, të varfrit, të sëmurët dhe të moshuarit të paqtohen me dobësinë e tyre; uroj që të pasurit dhe më të fortët t’i vënë energjitë e tyre më të mira në shërbim të paqes; uroj që profesionistët e çdo fushe të investojnë në projekte që sjellin paqe; uroj që të burgosurit t’i shohin frytet e paqes së tyre të brendshme gjatë angazhimit të tyre për rehabilitim”, tha Massafra.