I dërguari i Posaçëm i Qeverisë Federale për vendet e Ballkanit Perëndimor, Manuel Sarrazin, ishte në Tiranë të premten dhe të shtunën për bisedime mbi Procesin e Berlinit dhe integrimin e Shqipërisë në BE.
Lajmin e ka bërë të ditur përmes një postimi në rrjete sociale ambasada gjermane në Tiranë.
Në njoftimin e ambasadës bëhet e ditur se, “ai zhvilloi biseda me Kryeministrin Edi Rama, Ministren e Jashtme Olta Xhaçka, Kryenegociatoren për Integrimin në BE Majlinda Dhuka, të Ngarkuarën për Procesin e Berlinit Odeta Barbullushi dhe Ministren e Shtetit për Rininë dhe Fëmijët, Bora Muzhaqi”.
Sarrazin tha se, “jam shumë i kënaqur që Shqipëria ka marrë presidencën e Procesit të Berlinit këtë vit. Së bashku ne duam ta bëjmë këtë një sukses”.
Shqipëria do të mikpresë pranverën e këtij viti Samitin e Procesit të Berlinit. Lajmi u bë i ditur nga Kryeministri Edi Rama në darkën e fundvitit me përfaqësues të trupit diplomatik të akredituar në Tiranë.
“Jemi krenar dhe të lumtur që na është kërkuar nga partnerja dhe mikja jonë e madhe Gjermania, që pranverën e ardhshme të mikpresim Samitin e Procesit të Berlinit. E shohim si shprehje vlerësimi dhe respekti për atë çka Shqipëria po bën vazhdimisht për të promovuar në mënyrë aktive bashkëpunim rajonal, paqen dhe dialogun, lidhje më të ngushta me fqinjët e saj të Ballkanit Perëndimor, ndërveprimet midis njerëzve dhe bizneseve nga të gjitha vendet tona”, është shprehur Rama.
Kryeministri ka siguruar se “do të bëjmë maksimumin që të jemi në lartësinë e detyrës dhe të mikpresim një samit të paharrueshëm të Procesit të Berlinit, ashtu siç mikpritëm një samit të BE që la një mbresë pozitive tek të gjithë ata që erdhën në Tiranë për të marrë pjesë, udhëheqësit, stafet, personeli i BE, gazetarët, personat e sigurisë”.
Procesi i Berlinit u krijua në 2014 si platformë për vendet e Ballkanit Perëndimor (Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Mali i Zi, Maqedonia e Veriut dhe Serbia) për të përshpejtuar përafrimin më të ngushtë me BE-në dhe për të thelluar integrimin dhe bashkëpunimin rajonal, si faktor kyç për zhvillimin ekonomik dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.