Kryetari i bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, u prit dje në një takim nga Papa Françesku në Vatikan. Në këtë vizitë, kryebashkiaku ishte i shoqëruar edhe nga skuadra e Tirana “Kryeqyteti Europian i Rinisë 2022”.
Të ftuar nga Papa Françesku në kuadër të Vitit të Rinisë, Veliaj e njohu atë me lajmin për ndërtimin e shtatores së Nënë Terezës në Kodrat e Liqenit Artificial. Ndërsa, Papa Françesku vlerësoi faktin se Shqipëria ka mbrojtur hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore, ndërsa sot po vepron njësoj me iranianët, afganët e ukrainasit. Papa Françesku tregoi për mbresat e vizitës së pak viteve më parë në Tiranë, duke shprehur shpresën për t’u rikthyer.
Në një postim në rrjetet sociale, kryebashkiaku i Tiranës shkruan se “takimi me Papa Françeskun në Vatikan, ishte një kënaqësi e jashtëzakonshme, plot kujtime për vizitën e parë apostolike në Tiranë dhe mbresat e një Shqipërie që vrapon në vëllazëri besimesh, pavarësisht të kaluarës së hidhur”.