Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu, nëpërmjet një postimi në rrjetet sociale, uron të gjithë shqiptarët, brenda dhe jashtë kufijve të vendit tonë, gëzuar muajin e bekuar të Ramazanit!
Kryetari i Komunitetit Mysliman të Shqipërisë, H. Bujar Spahiu në përshëndetjen e tij, vuri theksin se Muaji i Ramazanit është një mundësi dhe një favor i jashtëzakonshëm, që Zoti na ka dhuruar për të pastruar shpirtin dhe trupin. Ramazani nuk është muaj diete, por muaj adhurimi, përmes të cilit njeriu ka mundësinë e artë të arrij kënaqësinë e Zotit, e përmes kësaj arritje të begatojë veten e tij me mirësi në këtë botë dhe atë të përtejmen, vijoi ai.
Duke e përmbyllur këtë urim me” E lusim Zotin të na e bëjë këtë muaj paqe e begati!
Agjërimi gjatë Muajin e Madhnueshëm të Ramazanit është detyrim për çdo besimtar mysliman.
Sipas Kuranit, çdo besimtar mysliman është i detyruar të agjërojë për 30 ditë me radhë, në shenjë solidariteti me të varfrit, si dhe të ndajë ushqimin gjatë këtij muaji me nevojtarët.
Reagimi i Spahiut:
Të dashur motra dhe vëllezër besimtarë!
Falenderimet i takojnë Allahut, Zotit të botërave që na mundësoi të arrijmë muajin e Ramazanit.
Muaji i bekuar i Ramazanit është një mundësi dhe favor i jashtëzakonshëm që Zoti na ka dhuruar për të pastruar shpirtin dhe trupin.
Ramazani nuk është muaj diete por muaj adhurimi, përmes të cilit njeriu ka mundësinë e artë të arrijë kënaqësinë e Zotit, e përmes kësaj arritje të begatojë veten e tij me mirësi në këtë botë dhe atë të përtejmen.
Në Kur’an dhe në hadithet e Profetit (a.s.) Ramazani përshkruhet si një prej mirësive më të mëdha, pas namazit që Zoti na ka dhënë ne.
Ramazani është pastrim shpirtëror në radhë të parë.
Zoti (xh.sh.) thotë në Kuran: “O ju që besuat, agjërimi u është bërë obligim sikurse ishte obligim edhe i atyre që ishin para jush, kështu që të bëheni të devotshëm”.
Ajeti në fjalë tregon qartë se agjërimi synon të formojë një personalitet të kompletuar tek besimtari.
Ramazani është muaji i Kur’anit Famëlartë, në këtë muaj ne duhet të lidhemi fort me të.
Ramazani është muaji i solidaritetit mes njerëzve.
Është muaji i dhënies së lëmoshës.
Është muaji i përkushtimit në familje, i përkujdesjes ndaj prindërve. Secili nga ne ka një mundësi të rikuperojë në këtë muaj lidhjet e shkëputura me njerëzit e afërm.
Mos harrojmë, në këtë muaj të begatë çdo vepër shpërblehet shumëfish nga Allahu (xh.sh).
Zoti e ka veçuar shpërblimin e Ramazanit. Aq i rëndësishëm është ky shpërblim sa që në Xhennet agjëruesi i sinqertë ka një portë të veçantë për të hyrë në të.
E lusim Zotin të na mundësojë që të dalim të falur në fund të këtij muaji dhe të nisim një jetë të re!
E lusim Zotin të na e bëjë këtë muaj paqe e begati!
Lusim Zotin që të arrihet sa më parë paqja mes palëve në Gaza, Ukrainë dhe çdo vend tjetër ku ka konflikte dhe njerëzit të gjejnë qetësinë e merituar dhe të kalojnë një Ramazan të begatë!
Amin!