Kryetari i Parlamentit të Sllovenisë, Dejan Židan, i ka dërguar një letër kryetarit të Kuvendit Gramoz Ruçi.
Në letër, kryeparlamentari Zidan rikonfirmon se “Sllovenia do të vazhdojë edhe në të ardhmen të mbështesë fort e në mënyrë të qëndrueshme perspektivën evropiane të Shqipërisë dhe të vendeve të tjera të Ballkanit Perëndimor”.
“Asambleja Kombëtare është e gatshme të ndajë, në të gjitha nivelet parlamentare, eksperiencën dhe njohuritë e saj me përfaqësuesit e Kuvendit të Shqipërisë, duke kontribuar kështu në përparimin e vendit tuaj në procesin e integrimit evropian. Republika e Sllovenisë ka luftuar që vendimi i Këshillit Evropian në tetor të ishte ndryshe dhe i di pasojat e tij të mundshme”, thuhet në letrën e homologut slloven, drejtuar Ruçit.
“Guxoj të besoj që ky vendim i rëndësishëm dhe i domosdoshëm është shtyrë vetëm për një kohë të shkurtër, duke qenë se është shumë i rëndësishëm jo vetëm për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut, por dhe për stabilitetin dhe begatinë e të gjithë rajonit, dhe për pasojë dhe të Bashkimit Evropian. Kjo dhe fakti që Bashkimi Evropian e ka të gjithë kapacitetin e nevojshëm tërheqës për pranimin e anëtarëve të rinj duhet të kihen parasysh nga ato vende të rralla anëtare të BE që ende ngurrojnë t’i japin mbështetjen e tyre hapjes së negociatave të anëtarësimit”, shkruan Zidan.
Kryeparlamentari sloven Zidan nënvizon gjithashtu se bashkëpunimi parlamentar midis të dy vendeve duhet të rritet dhe këtij procesi do t’i shërbejnë edhe vizitat reciproke të krye-parlamentarëve në vendet respektive në një kohë sa më të afërt./ata/