Kryetari i Partisë së Lirisë, Ilir Meta e cilësoi sot pilulë elektorale, paketën e ndihmës të miratuar nga qeveria fundvitin e kaluar.
Në një konferencë për mediet, Meta u shpreh se ndihma nuk ka ndikim real në zbutjen e krizës së çmimeve dhe kostos së jetesës.
“Qeveria vendosi të ndajë 8 miliardë lekë ose më pak se 80 milionë dollarë për pensionistët dhe familjet në nevojë, edhe pse si pasojë e inflacionit të lartë, në 11 muaj arkëtoi 520 milionë USD. Ndërkohë që Rama trumpeton me të madhe “Pakon e Madhe” me 80 milionë euro, sipas raportit të KLSH shpërdorimi dhe grabitja e taksave të shqiptarëve, kalon shifrën 1 miliard euro, vetëm për periudhën janar-nëntor 2022. Shitjet, qiratë dhe koncesionet janë të parat sa i përket dëmit më të madh që i kanë shkaktuar Buxhetit të Shtetit.1 miliard euro abuzime, fonde të mjaftueshme për t’u përdorur për mijëra familje që vuajnë rritjen e çmimeve të ushqimeve, për ndërtimin e shkollave dhe dhënien fund të mësimit me turne, për rritjen e pagave të pedagogëve, ndihmë për studentët etj”, tha ai.
Po ashtu, Meta shtoi se në vitin 2013 borxhi publik ka qenë 62.4%, ndërsa sot është 107%.
“Nëse Maqedonia e Veriut e shlyen borxhin e saj me 1 vit eksporte, në Shqipëri nevojiten 13 vite eksporte”, tha Meta.
Kryetari i Partisë së Lirisë ngriti si shqetësim edhe rritjen e numrit të punonjësve në administratë publike në prag të fushatës elektorale.
“Të dhënat e fundit të INSTAT, instituti qeveritar i statistikave, japin një shifër alarmante të fryrjes së administratës shtetërore, që nga viti 2014 është rritur me 22 mijë vetë. Vetëm në 2021, në momentin e fushatës elektorale, administrata u rrit me rreth 8 mijë persona. Për shkarkimet partiake dhe pa ligj shteti shqiptar është detyruar të paguajë në 8 vitet e fundit më shumë se 108 milionë euro për të shlyer faturat gjyqësore për pushime të padrejta nga puna të 15 mijë punonjësve. Kur erdhi në pushtet, Edi Rama premtoi një administratë publike efikase dhe me numër më të vogël punonjësish. Por faktet tregojnë totalisht të kundërtën. Pas reformës në pushtetin lokal në vitin 2015, në vend se numri i punonjësve të pakësohej, siç u trumbetua me të madhe, përkundrazi, administrata vendore u dyfishua dhe nga 19.600 punonjës shkoi në 35 mijë punonjës duke i kushtuar Buxhetit të Shtetit rreth 100 milionë euro shtesë”, tha Meta.