“Gjyqësori është i pavarur dhe nuk merr urdhra nga askush”, tha sot Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory, gjatë një takimi me Kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
Në një postim në rrjetin social “X”, Kryetarja në Detyrë e Prezencës së OSBE-së, Clarisse Pasztory, bën të ditur se në kuadër të diskutimeve me partitë politike për Reformën Zgjedhore, ajo ka zhvilluar të premten një takim me Kreun e Partisë së Lirisë, Ilir Meta.
“U takova me kryetarin e Partia e Lirisë, Ilir Meta dhe ekipin e tij, sot, për të diskutuar përparësitë e reformës zgjedhore, duke përfunduar kështu raundin e takimeve të mia me partitë politike për këtë temë”, shkruan Pasztory.
Gjithashtu, e përdora këtë mundësi për të adresuar komentet e kohëve të fundit lidhur me gjyqësorin në Shqipëri. Shpreha mbështetjen e plotë, timen dhe të Prezencës së OSBE-së, për SPAK-un. Gjyqësori është i pavarur dhe nuk merr urdhra nga askush”, përfundoi Pasztory.
Edhe Kryetari i Partisë së Lirisë, z. Meta ka zbardhur takimin e sotshëm me Kryetaren në Detyrë të Prezencës së OSBE-së, znj.Clarisse Pasztory.
“Shpreha vullnetin e palëkundur të Partisë së Lirisë për të dhënë kontributin e saj për një Reformë Zgjedhore të vërtetë, që i jep fund pabarazisë së votës, që realizon të drejtën e qytetarëve për të votuar të lirë, si dhe për dënimin me ashpërsinë më të madhe të veprimeve kriminale të Qeverisë për blerjen e votës, presionin e saj të të gjitha formave mbi votuesit dhe shpërdorimin e financave publike dhe infrastrukturës shtetërore për qëllimet e saj”, shprehet z. Meta
Reforma Zgjedhore, “Marrëveshja e 5 Qershorit 2020” është një bazë e rëndësishme pasi ajo është një marrëveshje konsensuale dhe e pranuar gjerësisht nga faktori ndërkombëtar, thote Meta. Ai thekson detyrimin e patjetërsueshëm, që organet e drejtësisë të jenë plotësisht të pavarura, të painfluencuara dhe të çliruara nga kapja qeveritare sipas tij, dhe të zbatojnë vetëm Kushtetutën dhe ligjin sepse vetëm në këtë mënyrë do të luajnë si duhet rolin e tyre ligjor në dënimin e krimeve zgjedhore.
/Argumentum.al