Komisioni Shtetërore i Zgjedhjeve ka publikuar rezultatet e para preliminare të rundit të dytë të zgjedhjeve lokale në Maqedoninë e Veriut, të cilat e nxjerrin fituese partinë opozitare maqedonase VMRO-DMNE.
Sipas KSHZ-së, kjo parti ka fituar në 20 nga 44 komuna në sa u votua në balotazh. VMRO DPMNE-ja ka fituar thuajse të gjitha qytetet e mëdha si Manastirin, Ohrin, Gjevgjelinë, ndërsa në Shkup ka fituat kandidatja e pavarur, Danella Arsovska, që kishte mbështetjen e VMRO DPMNE-së dhe të opozitës shqiptare.
LSDM-ja, sipas të dhënave të para të KSHZ-së, ka fituar në shtatë komuna kryesisht të vogla.
Edhe Bashkimi Demokratik për Integrim ka fituar, gjithashtu, shtatë komuna, përfshirë tri më të mëdha si Strugën, Kërçovën dhe Çairin. Lëvizja Besa ka fituar në dy komuna, përfshirë edhe Tetovën që është komuna më e madhe e banuar me shqiptarë, ndërsa Aleanca për Shqiptarët e ka fituar Gostivarin. Ndërsa, rund të ri zgjedhjesh, sipas KSHZ-së, do të ketë për qytetin e Dibrës, ndërmjet kandidatëve të BDI-së dhe Aleancës për Shqiptarët.
Sipas rezultateve, në dy rundet zgjedhore, VMRO DPMNE-aj ka fituar 41 komuna nga 80 sa ka gjithsej Maqedonia e Veriut, dhe Shkupin si njësi e veçantë e pushtetit lokal. LSDM-ja ka fituar 16 komuna, BDI-ja dhjetë komuna, Lëvizja BESA dy komuna, Aleanca për Shqiptarët gjithashtu dy komuna, ndërsa partitë tjera nga një komunë.
Para publikimit të rezultateve, Zoran Zaev ka dhënë dorëheqje nga posti i kryeministrit të Maqedonisë së Veriut dhe drejtimi i partisë së tij, Lidhjes Social-Demokrate (LSDM), duke marrë gjithë përgjegjësinë për disfatën e partisë së tij në rundin e parë të zgjedhjeve lokale më 17 tetor dhe në balotazhin e mbajtur më 31 tetor.
Ai ka thënë se pavarësisht dorëheqjes, nuk është për zgjedhje të parakohshme, por që qeverinë ta drejtojë një kuadër tjetër i LSDM-së.
“Unë marr përgjegjësinë për rezultatet e dobëta dhe paraqes dorëheqjen edhe nga posti i kryeministrit, sikur edhe nga posti i kryetarit të partisë. Nuk mendoj se duhet të ketë zgjedhje të parakohshme parlamentare. Do të qëndroj këtu gjatë kësaj periudhe për të organizuar një qeveri të re me një shumicë progresive që mund edhe të zgjerohet”, ka deklaruar Zaev.
Kryetari i partisë opozitare VMRO-DPMNE, Hristijan Mickovski, tha më herët se “Zaev duhet ta pranojë realitetin, të pranojë mesazhin e popullit dhe të largohet”.
“Kemi vendosur bazat e një bashkëpunimi dhe një koalicion të mundshëm qeveritar. Ne dëshmuan se edhe përkundër dallimeve mund të bashkohemi rreth qëllimit të përbashkët, për një Maqedoni pa korrupsion dhe e cila do të ec përpara, për një Maqedoni të integruar në Bashkimin Evropian. Këtë mund ta bëjë një bllok i bashkuar opozitar që tashmë është realitet dhe që do të sjell një fitore bindshme në zgjedhjet e parakohshme parlamentare”, ka deklaruar Mickovski.
Ndërkohë, kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti, tha se “zgjedhjet janë zhvilluar sipas të gjitha standardeve demokratike.
“Ishte një proces me rëndësi për të ardhmen e komunave. BDI-aj ka fituar Strugën, Kërçovës, Dollnenit, Çairit, Bogovinës, Tearcës dhe në Haraçinë”, ka deklaruar kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti.
Lëvizja Besa e ka shpallur fitoren në Tetovë, ku sipas Arjanit Hoxhës nga kjo parti, kryetar i ri i komunës do të jetë Bilall Kasami, i cili, siç ka thënë ai, ka fituar bindshëm kandidaten e BDI-së, Teuta Arifi.
“Lodhja e tetovarëve nga qeverisja katastrofale tetëvjeçare e BDI-së, ka bërë që fitorja jonë dhe oferta për një Tetovë ndryshe, të jetë arsyeja e fitores tonë”, ka deklaruar Hoxha.
Kjo parti ka fituar edhe në komunën e Zhelinës, një komunë rurale kjo në rajonin e Tetovës.
Kryetari i Komisionit Shtetëror të Zgjedhjeve, Aleksandar Dashtevski, ka thënë se në votime në kanë dalë rreth 50 për qind e qytetarëve me të drejtë vote, ndërsa procesin zgjedhor e ka vlerësuar demokratik, të qetë, me disa probleme të izoluara që nuk ndikuan në mbarëvajtjen e votimeve.