EKSKLUZIVISHT PËR ARGUMENTUM
Nga Jorgji KOTE & Marjana DODA
Krijimi i Komunitetit Politik Europian
Një ngjarje më jehonë dhe perspektivë si reagim i fuqishëm pas agresionit rus në Ukrainë ishte Samiti inaugurues i Komunitetit Politik Europian ( KPE) në Pragë, më 6 Tetor, me praninë e liderëve nga 44 vende antare, kandidate dhe jo antare të BE-së, përfshirë dhe liderët e 6 vendeve të Ballkanit Perendimor
Idenë për krijimin e KPE-së e hodhi Presidenti francez Macron më 9 Maj në Seancën Plenare të Parlamentit Europian në Strasburg, duke e konfirmuar në Samitin e BE-së me 24 Qershor në Bruksel; me mbështetjen e menjëhershme të Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel, Presidentes së Komisionit Europian, Ursula von der Leyen, Kancelarit gjerman Olaf Scholz dhe liderëve të tjerë europianë. Zyrtarisht ky Grupim i ri europian është një platformë “për nxitjen e dialogut dhe bashkëpunimit politik në trajtimin e çështjeve me interes të përbashkët, forcimin e sigurisë, stabilitetit dhe begatisë në kontienent”. Gjatë vitit të kaluar pati shumë debate, diskutime, hamendësime dhe rezerva mbi KPE-në, arsyet dhe motivet e vërteta të krijimit, të ardhmen dhe rrjedhojat e pritshme në politikën europiane dhe më gjerë. Një ndër shqetësimet kryesore, sidomos në rajonin tonë lidhej me dyshimet për dobësimin, ngadalësimin e deri në heqjen nga axhenda të Zgjerimit të mëtejshëm Europian. Ky shqetësim nuk ishte pa baza; ai i referohej idesë së krijimit të një “Europe me dy shpejtësi/korsi” që qarkullonte deri vonë dhe asaj me “tri rrathë koncentrikë”, të cilën Presidenti Macron e kishte artikuluar në ligjëratën e tij në Universitetin e Lisbonës më 27 Korrik 2018. Dyshimi tjetër ishte se nëpërmjet këtij forumi, Brukseli, Franca dhe Gjermania synojnë të realizonin hegjemoninë e tyre në Europë; ndryshe, sipas skeptikëve, përse është e nevojshme KPE-ja, kur kemi KiE-në dhe OSBE-në?
Gjithsesi, këto probleme u sheshuan dhe u sqaruan, dhe hapave dhe arritjeve madhore me Rajonin tonë, siç përmenden dhe më poshtë.
Kthesa historike në Ballkan!
Agresioni rus u bë nxitje dhe domosdoshmëri urgjente për BE-në dhe vendet antare që të bënin kthesën vërtet historike drejt Ballkanit Perendimor; që ky i fundit të mos mbetet “ obori i pasëm”, por të bëhet sa më shpejt pjesë përbërëse e BE-së, si alternativa më e mirë dhe më e sigurt për t’iu shmangur pasojave të dëmshme nga rreziku rus.
Bashkë me SHBA-të, BE-ja po realizon kthesën e tretë epokale në 33 vitet e fundit. E para ishte shembja e komunizmit në lindje, shpërbërja e ish BS-së dhe Jugosllavisë dhe antarësimi i 11 vendeve të Europës Qendrore dhe Lindore në procesin historik të Zgjerimit Europian/NATO më 2004, 2007 që u mbyll më 2013 me Kroacinë. Kthesa e dytë madhore u bë më 1999, kur pas përfundimit të konfliktit të armatosur dhe genocidit serb në Kosovë, vendet e rajonit u përfshinë në Paktin e Stabilitetit të Europës Juglindore dhe në Procesin e Stabilizim – Asociimit, ndonëse ky i fundit jo me suksesin e zgjerimit. Ndërsa tani vjen momenti i tretë historik – afrimi i mëtejshëm dhe antarësimi në BE i të 6 vendeve të Ballkanit Perendimor; edhe pse, për shkak të specifikave dhe pengesave të njohura politike dhe historike, ky i fundit pritet të jetë më i gjatë dhe më i mundimshëm.
Kthesa e tanishmja është historike sepse nuk bëhet më fjalë për zhvillimin e 1 apo 2 samiteve për rajonin që dikur ishte sensacion dhe aq. Një vit më parë në samitet e BE-së debatohej deri në çastet e fundit nëse duhej lënë qoftë dhe si term fjala “Zgjerim“ apo të zëvendësohej me ” përkatësim, perspektivë dhe integrim“! Ndërsa tani ”zgjerimi“ është vendosur në krye të ”sofrës” dhe axhendës së shumëllojshme europiane. Kthesa është historike sepse po realizohet me një seri eventesh, strategjish dhe plane veprimi, me objektiva të qarta dhe të guximshme, duke filluar nga samitet e BE-së, që jo vetëm i kushtohen Ballkanit, por dhe zhvillohen në Ballkan!
Më konkretisht, liderët e Rajonit muajt e fundit janë bërë pjesë e samiteve më të rëndësishëm të BE-së, madje dhe me të drejtë fjale. Kështu ndodhi më 29 Qershor në Bruksel; në vijim, më 6 Tetor, ata ishin bashkë me 27 liderët e BE-së në Samitin inaugurues të Komunitetit Politik Europian. Ndërsa më 6 Dhjetor, 36 liderët e BE-së dhe të Ballkanit Perendimor u mblodhën për herë të parë në Tiranë dhe në rajon.
Moment i dytë i spikatur i kësaj kthese ishin vizitat e niveleve më të larta të BE-së në rajon; në Qershor ishte Presidenti i Këshillit Europian, Charles Michel, ndërsa më 27 – 29 Tetor pasoi vizita zyrtare e Presidentes së Komisionit Europian Ursula von der Leyen. Gjithashtu, muajt e fundit rajonin e vizituan për herë të parë Presidenti dhe Kancelari gjerman, si dhe kryeministrat e Finlandës, Luksemburgut, Holandës, Spanjës, Presidenti italian Mattarela dhe të tjerë.
Nga ana tjetër, këto samite dhe ture janë shoqëruar me procese të rëndësishme politike, të cilat kanë në qendër të vëmendjes Rajonin tonë.
Më 3 Nëntor në Berlin rifilloi funksionimi i Procesit të Berlinit në Samitin e Ballkanit Perendimor, me praninë e 6 liderëve të rajonit, të 10 vendeve antare të BE-së, Zonjës Von der Leyen dhe Charles Michel. Aty u nënshkruan 3 marrëveshje jetike në kuadrin e projektit madhor të BE-së të Tregut të Përbashkët Rajonal; Procesi i Berlinit do të intensifikohet më tej në shumë fusha, si një proces me përparësi, plotësues dhe inkurajues për antarësimin në BE. Praktikisht, ai e çmontoi “Balkanin e Hapur”, që jo vetëm nuk arriti të bëhej gjithëpërfshirës, por u kthye në “mollë sherri” dhe “ mur” ndarës në rajon, madje dhe “ mes vedi”. Koha tregoi se “Ballkani i Hapur” është mbivendosje dhe karshillëk i dëmshëm i Procesit të Berlinit dhe Tregut të Përbashkët Rajonal të BE-së. Qëndrimet më të fundit provokuese dhe luftënxitëse të Beogradit konfirmojnë se Vuçiç e do “Ballkanin e Hapur” si koperturë politike për realizimin e botës serbe, sipas modelit të botës ruse dhe për të pudrosur imazhin e saj.
Samitet, vizitat dhe proceset e lartpërmendura u shoqëruan me akte, vendime dhe veprime në terren, me demarshe dhe përpjekje intensive në kërkim të zgjidhjeve përfundimtare të problemeve të mbetura pezull. Dhe këtu ka patur disa hapa pozitivë. Më 18 Korrik u çelën negociatat e antarësimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut; Po ashtu, BE-ja, në bashkëpunim të ngushtë me SHBA-të po intensifikon përpjekjet e saj për stabilitet në Bosnie – Herzegovinë, kundër tentativave përçarëse të nacionalistëve pro serbe të Dodik për ta afruar drejt BE-së. Ditët e fundit, Këshilli Europian vendosi t’i japë dhe statusin kandidat në BE. Më tej, më 14 Dhjetor Këshilli i BE-së vendosi më në fund liberalizimin e vizave me Kosovën, jo më vonë se 1 janar 2024, ndërsa kjo e fundit më 15 Dhjetor dorëzoi në Presidencën çeke në Pragë kërkesën zyrtare për antarësimin në BE, si mesazh i qartë i kursit të saj Euro – Atlantik.
Gjithsesi, në rajon mbeten për t’u trajtuar dhe zgjidhur me emergjencë disa çështje, të cilat është pak t’i quash të nxehta. Në Podgoricë, qeveria e koalicionit të Kryeministrit malazez Dritan Abazoviç ka rënë 6 muaj më parë, pasi Parlamenti i Malit të Zi miratoi një mocion mosbesimi, pas grindjeve brenda koalicionit mbi një marrëveshje që qeveria nënshkroi me Kishën Ortodokse Serbe. Disa javë më parë, Parlamenti votoi pro ligjit që pakëson kompetencat e Presidentit të Republikës, çka ka nxitur dhe shtuar tensionet dhe manifestimet e protestës në vend. Kësisoj, është krijuar një krizë politike dhe institucionale, me pasoja të rënda për sigurinë dhe stabilitetin e vendit dhe perspektivën e tij europiane. Në fakt, aty ka përplasje të shumta midis forcave pro europiano-atlantike dhe atyre pro serbe. Rruga e vetme është ajo e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare, sidomos dhe pas dështimit të krijimit të një koalicioni të ri qeveriar më 4 janar 2023.
Dialogu Prishtinë – Beograd mbetet padyshim procesi më delikat, më i vonuar dhe më i vështirë për paqen dhe sigurinë rajonale e më gjerë. Për fat të keq, ky është tashmë realiteti i hidhur i dialogut Prishtinë – Beograd, plot 11 vjet pas lançimit të tij. Bujë, zhurmë, pohime, premtime, përbetime, por produkti politik porthuajse asgjë! Me ritëm të javashtë, i shoqëruar me provokime serbe e probleme dhe pastaj tratativa për zgjidhjen e tyre! Për pasojë, vijojnë dyshimet, skepticizmi dhe pesimizmi i rastit. As modeli franko-gjerman apo europian nuk e ka shtuar optimizmin dhe shanset për sukses, kryesisht për faj të politikës refraktare serbe.
Në fakt, mbas “periudhës së gjatë të mjaltit” me BE-në dhe me SHBA-të, Beogradi zyrtar ballafaqohet me kërkesat për t’u impenjuar seriozisht në dialogun me Kosovën; jo më me deklarime dhe pohime kundrathënëse, por me angazhimin konkret për njohjen pa vonesë të Kosovës, heqjen dorë nga fushata e çnjohjeve dhe pengesave të antarësimit të saj në organizatat ndërkombëtare, me qëndrime të prera dhe të qarta kundra Rusisë, linjëzimin me politikën e jashtme të BE-së në sanksionet e saj dhe së fundi si nxitëse e azilit të paligjshëm nëpërmjet “ Rrugës Ballkanike”. Kambanat Euro-Atlantike po ushtojnë fort për Beogradin, që të përcaktojë drejtimin e vet strategjik, me Lindjen apo Perendimin, me BE-në dhe SHBA-të apo me Rusinë dhe Kinën.
Megjithë vlerësimin maksimal për demarshet e SHBA-ve dhe të BE-së, ka një mendim të përhapur se është naivitet politik të besosh në suksesin e këtij dialogu, kur ai zhvillohet në një klimë, mjedis dhe atmosferë të helmuar dhe terren të minuar. Për pasojë, dhe ndonjë fjalë të mirë e premtim e ”merr shumë shpejt era” duke ia lenë vendin dhunës, tensionimit dhe kërcënimeve për konflikte të armatosura siç po ndodh dhe tani së fundi në veri të Kosovës. Mirëpo, ”disinfektimi dhe çminimi” i këtij mjedisi, klime dhe terreni, ku të paktën të ketë mirëkuptim minimal kërkon vullnet politik, energji dhe demarshe të shumta, të cilat duan kohë dhe durim, që duket se kanë shteruar. Për fat të keq, edhe antarësimi në BE dhe NATO që deri vonë shihej si çelësi magjik i progresit, pajtimit dhe bashkëpunimit në Ballkan ka humbur shumë besimin, forcën joshëse dhe frymëzimin për shkak të vonesave “’ historike”. Natyrisht këtu ka pjesën e vet të fajit BE-ja, e cila ka ndjekur strategji veprimi më shumë në favor të stabilitetit, në dëm të demokracisë, duke e mbajtur “ me hartër Serbinë”.
Samiti BE – Ballkani Perendimor në Tiranë më 6 Dhjetor, i pari në Rajon dhe në Tiranë ishte ngjarje shumë e rëndësishme dhe simbolike për Rajonin dhe veçanërisht vendin tonë; në Tiranë “ zbarkuan” 36 Presidentë dhe Kryeministra të BE-së, Presidentët e Komisionit dhe Këshillit Europian dhe të 6 liderët e rajonit tonë. Ky Samit shënoi hapin e parë serioz të përfshirjes së vendeve të Ballkanit Perëndimor në tryeza të rëndësishme vendimarrëse europiane, ku diskutimi shkon përtej politikës tonë të brendshme. Ai riktheu dhe një herë rëndësinë e posaçme që ka mbajtja hapur e dyerve të perspektivës europiane dhe përshpejtimi i procesit të zgjerimit me vendet e rajonit në axhendën e institucioneve më të larta të BE-së dhe Shteteve të saj Antare.
Liderët e BE-së dhanë disa mesazhe të fuqishme në këtë Samit, ku spikati mbështetja pa rezerva për popullin e Ukrainës dhe vendosja e sanksioneve ndaj Rusisë; po ashtu, shtimi i kujdesit dhe vëmendjes për vendet me demokraci të brishtë në Ballkanin Perendimor, për të shmangur çdo rrezik dhe kërcënim për paqen dhe sigurinë rajonal dhe më gjerë.
Vazhdimësia e zbatimit të projekteve të përbashkëta në kuadrin e Procesit të Berlinit, duke u dhënë mundësi të rejave dhe të rinjve në Ballkanin Perëndimor për të studiuar në Universitetet Europiane me tarifa më të ulëta ishte një lajm tjetër premtues për integrimin e tyre në vlerat dhe arsimin europian.
Emigracioni dhe lufta kundër azilit të paligjshëm që po çojnë në shpopullimin e vendit është një tjetër çështje me rëndësi të madhe, veçanërisht për vende si Shqipëria; ndaj, bashkëpunimi me BE-në për të përshtatur legjislacionin tonë me korpusin e saj legjislativ “ Aquis Communitaire” dhe për të përftuar nga ekspertizat më të mira europiane është bërë më emergjente se asnjëherë tjetër.
Po ashtu, linjëzimi i politikës së vizave me atë të BE-së dhe veçanërisht menaxhimi i migracionit janë domosdoshmëri parësore, të cilat kërkojnë plane veprime të shpejta dhe reforma tërësore nga qeveria dhe autoritetet përkatëse.
Gjithsesi, Ky Samit nuk ishte, siç pompohet, ngjarja më e rëndësishme në marrëdhëniet tona ndërkombëtare; e tillë dhe vërtet historike ishte vizita e Presidentit Bush në Tiranë më 2007 që i çeli rrugën antarësimit tonë historik në NATO dhe Pavarësisë së Kosovës. Ndërsa Samiti i Tiranës, veç mesazhit se na keni pranë si BE, nuk solli, nuk premtoi dhe nuk prodhoi ndonjë gjë të madhe, ca më pak historike. Përkundrazi, ai ishte problematik me dosjet përvëluese në rajon. I vetmi vend pa probleme gjeopolitike është Shqipëria, por e cila gëlon më shumë se çdo vend tjetër nga brenda. Nuk po përmendim protestën paqësore të opozitës e sidomos incidentin me liderin e saj që e lanë në hije dhe vetë Samitin.
Në Shqipëri, veç sa u përmend më lart, spikati zgjedhja për herë të parë si Antar Jo i Përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së ( 2022 – 2023) si arritje e shënuar diplomatike për vendin tonë. Ajo është rezultante e përpjekjeve dhe demarsheve të shumta diplomatike në planin dy dhe shumëpalësh gjatë 2 dekadave të fundit. Padyshim me ndikim të rëndësishëm gjeopolitik, duke e bërë më të njohur vendin tonë në arenën ndërkombëtare. Ky antarësim, kryesimi i KS të OKB-së gjatë muajit Qershor dhe Tetorin e ardhshëm janë dëshmi të kapaciteteve diplomatike që ne kemi krijuar në këto 30 vitet e fundit.
Rëndësia e këtij antarësimi u shtua më shumë pas agresionit rus në Ukrainë, për shkak të gjithë atyre akteve, fakteve, dhe veprimeve politike, diplomatike, ushtarake dhe ekonomike që janë ndërmarrë në plan global, europian dhe rajonal, përfshirë rezolutat e rëndësishme që dënojnë agresionin rus, si shkelje e hapur e të drejtës ndërkombëtare. Kjo përgjegjësi në fushën marrëdhënieve ndërkombëtare dhe partneriteti me SHBA-të u konfirmua dhe forcua më tepër me shpalljen e vendit tonë nga SHBA-të si bashkëpenëmbajtëse për çështjen e Ukrainës në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
© 2023 Argumentum