Edward P. Joseph, ligjërues në Universitetin Johns Hopkins në SHBA, flet në një intervistë për Radion Evropa e Lirë për ndikimin që mund ta ketë rezultati i zgjedhjeve në Shtetet e Bashkuara në Ballkanin Perëndimor.
Joseph thotë se rikthimi i mundshëm i Donald Trumpit në presidencë, mund të çojë në ndryshime drastike në politikën e jashtme të SHBA-së. Në atë rast, ai nuk e përjashton mundësinë e një marrëveshjeje me Rusinë për Ukrainën, që, siç thotë, do të ndikonte drejtpërdrejt në Ballkan.
Për fitoren e mundshme të Kamala Harrisit nuk është i sigurt se çfarë do të sillte, por, sipas tij, do të ishte e rëndësishme që Harris ta adresonte “paradoksin ballkanik”.
“Fakti që gara është e ngushtë, nuk e ndikon Ballkanin, por e ndikon perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit në presidencë. Cilido kandidat tjetër republikan të ishte – qoftë të kaluarit si Mitt Romney apo George Bush, apo të mëvonshmit si Marco Rubio apo Nikki Haley – ju nuk do të më pyesnit nëse kjo zgjedhje do ta ndikonte Ballkanin. Do të ishte me interes për Ballkanin, por nuk do të ndikonte në Ballkan. Ajo që e prek rajonin, është perspektiva e rikthimit të Donald Trumpit dhe qasja thelbësisht tjetër ndaj politikës së jashtme dhe ndaj rolit të Amerikës në botë. Kjo, padyshim, do të ndikonte në Ballkan dhe në pjesën tjetër të botës. Sepse, [në atë rast] ekziston perspektiva e një aleance krejt tjetër – e një aleance me autokratë – që do të vinte në pikëpyetje vazhdimin e qasjes së njëjtë ndaj [presidentit rus, Vladimir] Putin dhe ndaj Ukrainës. Njëjtë do të ishte edhe me Ballkanin: do të vazhdohej apo do të lihej mënjanë përkushtimi ndaj disa parimeve në Ballkan“, thotë Joseph.
“Pas pushtimit rus të Ukrainës në shkurt të vitit 2022, Perëndimi është më i fuqishëm dhe më i bashkuar dhe Rusia është më e dobët dhe më e izoluar, ndërsa situata në Ballkan është përkeqësuar. Ky është paradoksi ballkanik”, thotë Joseph.
Ai flet edhe për vizitën e shefit të CIA-s, William Burns, javën e kaluar në disa vende të Ballkanit.
Intervsita e plotë në REL
/Argumentum.al