EDITORIAL I ARGUMENTUM
Nuk e kemi fjalën për hierarkinë zyrtare, ku ata nuk krahasohen; Charles Michel, ish Kryeministër i Belgjikës, President i rikonfirmuar i Këshillit të BE-së dhe Edi Rama, kryeministër i një vendi të vogël që aspiron të antarësohet në BE, ndonëse nuk dihet se kur.
Sot fjala është për akuzat në adresë të të dyve lidhur me përdorimin e charterave privatë për udhëtimet e tyre të punës nëpër botë.
Dihet se Kryeministrin Rama e kanë kritikuar me shumë fakte, të cilat mbeten për t’u vërtetuar për përdorimin e tepëruar të çarterave privatë në udhëtimet e tij jashtë vendit. Sipas disa të dhënave, të cilat duken të tepëruara e që llogariten në miliona Euro, prapë është shumë dhe sikur të jetë më e vogël! Kritika ka dhe për faktin se çarterat përdoren dhe për të shkuar në vende fare të afërta ku mund të shkohet me makinë ose avion linje.
E megjithatë, veç një përgënjeshtrimi të thatë që me shumë ngatërronte se sa ftillonte gjërat, fare pak u sqarua nga zyra e Kryeministrit tonë. Më tepër pati akuza ndaj medias dhe përfaqësuesve të opozitës, por pa asnjë shpjegim të qartë publik dhe refuzim për interpelancë në Kuvend.
Ndërkohë, ditët e fundit, e përditshmja e famshme franceze « Le Monde » dhe « Politico » në Bruksel kanë botuar të dhëna mbi fluturimet e Presidentit të Këshillit Europian, Charles Michel gjatë vitit 2022. Ato shprehen tejet kritikë që Michel ka shpenzuar vetëm për fluturime me Charter privat mbi 700.000 Euro. Kjo veç ndotjes se mjedisit, kur BE-a është e angazhuar me shumë projekte në këtë fushë, ka efekte negative te taksa paguesit dhe imazhin e liderit të BE-së. Ca më tepër që aty përfshihen fluturime në vende fare të afërta, si në Paris dhe Berlin, ku fare mirë mund të shkohet me tren ose aviona linje. Gjatë vitit 2022 Charles Michel ka udhëtuar vetëm tri herë me tren.
Ca më keq akoma, në vitin 2024, zyra e tij ka kërkuar rritjen e mëtejshme të fiondit të udhëtimeve me 27,5 për qind, ose 1,985 Milion Euro, duke e justifikuar këtë me shtimin e angazhimeve ndërkombëtare, samite, etj.
Të gjitha këto në një kohë kur parardhësit e tij, belgu Herman Rompoy dhe polaku Donald Tusk nuk e kanë kaluar shumën e shpenzimeve për udhëtime prej 500.000 Euro nga1 million që e kishin buxhetin. Dhe atëhere angazhimet ishin jo më të pakta se deri tani.
Gjithsesi, zyra e Presidentit të Këshillit Europian u tregua e hapur duke dhënë shpjegime për të gjitha udhëtimet; kështu, ajo sqaroi se 500.000 Euro janë shpenzuar vetëm për udhëtimin në Kinë, meqenëse për shkak të COVID – 19 kishte masa të rrepta dhe ishe pamundur të fluturohej me aviona linje.
Nga ana tjetër, ajo sqaron se ndërsa kryeministrat e vendeve të mëdha me të njëjtin status zyrtar me Charles Michel kanë flotat e tyre ajrore, BE-ja nuk ka një të tillë.
Gjithsesi, puna ka arritur deri aty sa kjo çështje mund të referohet në Parlamentin Europian.
Mjaftojnë këto të dhëna për të treguar dallimin e madh midis mentalitetit dhe transparencës publike të një prej 3 liderëve kryesorë të BE-së dhe Kryeministrit tonë. Shihni qëndrimin e përulur, transparent, me etikë e korrektesi të Michels, prballë arrogancës dhe mungesës së transparencës publike në rastin tonë.
E keqja më e madhe është se kjo mungesë transparence është për komponentë të rëndësishëm të demokracisë dhe shtetit të së drejtës. Kjo transparenë dhe llogaridhënie do zbatuar ndaj kujtdo, qytetarit më të thjeshtë e deri te opozita, paçka se një ndër liderët e saj është ”non – grata”
Së fundi, kjo ka të bëjë me shembullin dhe imazhin që jep Kryeministri ynë dhe në këtë fushë, në kontrast të plotë me Presidentin e Këshillit Europian.
© 2023 Argumentum