Rikthehen pas 13 vitesh “Ethet e Nilit” në Shqipëri. Deri më tani janë shënuar 3 viktima dhe 17 të infektuar.
Shefja për sëmundjet infektive në Institutin e Shëndetit Publik, Silva Bino ka sqaruar në një deklaratë për mediat situatën e krijuar nga virusi i “Etheve të Nilit Perëndimor” në Shqipëri.
Bino ka bërë me dije se 84% e testimeve nga ISHP për këtë virus janë kryer në muajin korrik dhe janë konfirmuar 17 të prekur dhe tre viktima në vendin tonë.
Sipas saj grupmoshat që mund të përjetojnë më rëndë sëmundjen janë ato mbi 60 vjeç, në veçanti personat që mund të kenë sëmundje shoqëruese si diabeti.
“Për sa i përket rasteve të ‘Etheve të Nilit Perëndimor’ ato rishfaqen në Shqipëri këtë vit. Ne kemi pasur një shpërthim të tyre në vitin 2012 dhe më pas disa raste në vitin 2017 dhe 2018, por këtë vit kemi 17 raste të konfirmuara. Një nga këto raste është konfirmuar në Greqi, i një banuesi në Lushnje. Dhe kemi 19 raste të mundshme. Këto janë raste që kanë jo vetëm shenjat klinike, por edhe lidhjet epidemiologjike dhe një ekzaminim serologjik laboratorik. Rastet e konfirmuara janë konfirmuar përmes metodës molekulare ose serumeve të dyfishta. Janë kryer një sërë testimesh, 84% e testimeve për vitin 2024 janë kryer gjatë muajit korrik. Pra kemi pasur 64 raste të dyshuara, jemi duke punuar në këtë drejtim. Për fat të keq kemi edhe tre raste vdekje të konfirmuara me ‘Ethet e Nilit’. Në përgjithësi është sëmundje që kalon lehtshëm tek personat e rinj deri në moshën 50-60 vjeç. Pas moshës 60 vjeç apo tek personat që kanë dëmtime të imunitetit, diabet apo alkoolist sidomos dhe persona me kancer, ato mund të shfaqin forma me prekje të sistemit nervor qendror, që janë encefalite, meningite, paralizë flaksite. Këto janë forma të rënda që shkaktojnë shpeshherë edhe vdekjen.”
Duke shpjeguar origjinën e virusit dhe mënyrën si transmetohet, Bino specifikoi edhe qytetet ku është shënuar numri më i lartë i të prekurve në vend.
“Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje zoonotike, pra që qarkullon kryesisht te zogjtë dhe që prek kryesisht kuajt në sistemin nervor qendror. Por në vendin tonë nuk kemi një monitorim të kuajve për “Ethet e Nilit Perëndimor”. Sa i përket zonave ku kemi pjesën më të madhe kemi Lushnjen, Fierin, Kurbinin dhe Beratin (pjesën në afërsi të Lushnjës, disa raste në Lezhë dhe në Shkodër. Nuk ka patur të prekur në zonat bregdetare.”
Sa i përket masave që janë ndërmarrë, Bino u shpreh se testimet nga ISHP do të vijojnë, por këshilloi qytetarët të tregojnë kujdes pasi simptomat mund të ngatërrohen me ato të një gripi sezonal.
“Masat që merren lidhen me hetimin entomologjik për të parë llojin e mushkonjave, sepse është sëmundje që qarkullon te kafshët ku ka viremi të lartë dhe më pas merret nga mushkonjat kuleks gjatë pickimit. Këto mushkonja e transmetojnë nga zogjtë tek njerëzit, por jo nga njeriu tek njeriu. Shpeshherë mund të ngatërrohet me një virozë, por shoqërohet me temperaturë ose dhimbje të forta muskulare, dhimbje të forta koke ose shenja në lëkurë.
Por çfarë janë “Ethet e Nilit”?
Ethet e Nilit Perëndimor është një sëmundje virale që shkaktohet nga virusi i Nilit Perëndimor; emri i së cilës rrjedh nga dega e Nilit Perëndimor në Ugandë, dhe për herë të parë është diagnostikuar në 1937 te një grua që vuante nga një temperaturë shumë e lartë. Sëmundja tipike e kontinentit të Afrikës, po përhapet edhe në pjesët e tjera të botës, siç tregojnë edhe rastet e personave të prekur në vendet e Ballkanit gjatë muajit Gusht.
Simptomat
Periudha e inkubacionit për ethet e Nilit Perëndimor varion nga 2 deri në 15 ditë dhe në format më të lehta sëmundja zgjat nga 3 deri në 6 ditë. Rreth 80% e rasteve të transmetuara te njerëzit nuk manifestojnë simptoma. Kur manifestohen simptomat ato janë shumë të ngjashme me gripin: temperaturë e moderuar, gjendje parehatie e përgjithshme, ulje të oreksit, të përziera, dhembje koke, sysh, shpine, nyje imfatike të zmadhuara, vështirësi në frymëmarrje. Format më të rënda të sëmundjes, që kërkojnë trajtim të specializuar, karakterizohen nga simptoma më të rënda, si: temperaturë e lartë, encefalit, meningjit, paralizë të lehtë,etj.
Në përgjithësi, kjo sëmundje është e shërueshme, megjithatë, për rreth 1% të pacientëve, mund të degjenerojë në meningjit ose encefalit, sidomos te personat e moshuar ose me imunitet të dobët.
Transmetimi i virusit të Nilit Perëndimor
Virusi i Nilit Perëndimor transmetohet përmes pickimit të mushkonjave. Sa më i madh numri i infeksioneve dhe i mushkonjave në mjedis, aq më e madhe është mundësia e kontaktit me sëmundjen. Ethet e Nilit mund të infektojnë edhe kafshët, në veçanti zogjtë shtegtarë përgjegjës për përhapjen e virusit në botë.
Parandalimi
Mjeti më efikas për të parandaluar është përdorimi i pajisjeve ose spray kundër mushkonjave dhe insekteve në mënyrë që të shmanget një pickim i mundshëm nga insektet bartëse. Gjithashtu rekomandohet që të evitohen zonat ku ka kafshë të ngordhura ose pellgje me ujë të ndenjur të cilat tërheqin mushkonjat.
Kohëzgjatja e sëmundjes
Ndërsa prognoza e përgjithshme është e favorshme, studimet e tanishme tregojnë se ethet e Nilit Perëndimor shpesh mund të jenë më të rënda sesa supozohej më parë, me raste që kërkojnë deri në 90 ditë për shërimin e plotë. Edhe pacientët e prekur nga format e lehta mund të përjetojnë simptoma të llojeve të ndryshme (të dridhura dhe disfunksion senso-motor) për një vit ose më shumë, dhe në rastet e rënda, disa dëme mund të jenë të përhershme. Më pak se 1% e pacientëve të prekur paraqesin simptoma të rënda dhe / ose fatale. Personat e infektuar dhe që kanë kaluar ethet e Nilit Perëndimor kanë fituar imunitet të përhershëm.
Trajtimi
Aktualisht nuk ekzistojnë vaksina apo trajtime specifike, zakonisht përdoren medikamente që ndihmojnë në lehtësimin e simptomave të sëmundjes.