Nga Stefani Nova
Për tre ditë me radhë, Shqipëria do të presë Samitin e Dytë të Diasporës. Jo shumë larg në kohë, madje shumë afër, në datat 28 shkurt-2 mars 2019. “Qëllimi i Samitit është vlerësimi i të gjitha aktiviteteve dhe angazhimeve të ndërmarra gjatë punimeve të Samitit të Parë të Diasporës. Si dhe të krijojë disa struktura të reja që do të koordinojnë dhe ndjekin në vijimësi realizimin e çështjeve që do të ngrihen në Samitin e Dytë”, pohojnë rreth tij ambasadat shqiptare të akredituara në vende të ndryshme të botës. Mesa duket, prej kohësh të angazhuara për mbarëvajtjen e një aktiviteti të tillë, që sipas tyre “do të zhvillohet në bashkëpunim me Ministrin e Shtetit për Diasporën dhe nën kujdesin e veçantë të kryeministrit Edi Rama”.
Deri këtu, duket si një lajm mëse i zakonshëm që përcjell një ngjarje rutinore të organizuar prej institucioneve shqiptare. Për më tepër, kur ai fshihet mes listës së gjatë të vendimeve që qeveria mori një mbrëmje të ftohtë janari, teksa jashtë mureve të saj vërtiten ende studentë protestues dhe një i ftohtë, prej të cilit po vuan thuajse e gjithë popullata shqiptare.
Kujt po i duhet një Samit i Dytë për Diasporën? Kur nga ai i pari, ende nuk dimë se çfarë impakti real patëm ne si shqiptarë vendas, ata si shqiptarë mërgimtarë që erdhën nga jashtë dhe vetë Shqipëria nga brenda-jashtë…Një ngjarje tepër e vonuar kjo në kohë, po të mendosh se vendet e tjera përreth nesh jo vetëm që e dinë ku e kanë saktësisht diasporën e tyre dhe japin e marrin me të prej shekujsh, por kanë gjithashtu të sendërtuar edhe zyrtarisht një marrëdhënie normale me të, si familja me fëmijët e saj mërgimtarë. Ndërsa Shqipëria kujtohet papritur e pa kujtuar se paska një diasporë dhe se lidhjet me të qenkan të dobishme për të çuar para jo vetëm misionin kombëtar, por edhe atë ekonomik, etj, etj.
Gjithçka e shpikur nën formula të reja tashmë me të cilat ky vend ka zgjedhur të bëjë politikë të jashtme, të tilla si “diplomacia ekonomike”, “Të pandarë për Shqipërinë”, etj.
“Pas këtij samiti, qeveria shqiptare merr obligim për regjistrimin dhe unifikimin e diasporës si trung i pandashëm i atdheut”, u cilësua atëherë në përfundim të Samitit të Parë të Diasporës shqiptare, i cili u mbajt në Tiranë nga data 18-20 nëntor 2016, nën patronazhin e Kryeministrit të Republikës së Shqipërisë, Edi Rama dhe në bashkëpunim edhe me pjesëmarrjen e aktorëve të rëndësishëm të jetës politike, institucionale dhe shoqërore nga Kosova, Maqedonia, Mali i Zi dhe Lugina e Preshevës. Por a është realizuar deri tani një obligim i tillë? Çfarë është bërë në këtë hark kohor prej dy vjetësh për diasporën shqiptare? Po. Ka një ministri. Dhe po bëhen shumë ligje. Deri edhe në hartime strategjish sesi do të funksionojë lidhja me këtë “trung të pandashëm” të atdheut. Por realisht se çfarë përfitimesh kemi patur ne nga i gjithë ky angazhim i beftë për këtë diasporë, deri dje të munguar zyrtarisht në Tiranë, askush nuk di të na e thotë…
Atëherë, me të drejtë lind pyetja: Kujt po i duhet një Samit i Dytë për Diasporën?
*Opinionet e shprehura në këtë artikull janë të autorit dhe nuk pasqyrojnë domosdoshmërisht qëndrimin editorial të Argumentum.al