Numri i shfaqjeve kulturore gjatë vitit 2018 ka regjistruar një rritje të konsiderueshme me 21.7% të numrit të shfaqjeve kulturore. Numrin më të lartë të këtyre të fundit e ka realizuar Teatri Kombëtar Eksperimental me 457 të tilla, duke regjistruar një rritje me 42.8% krahasuar me vitin 2017.
E dyta në listë renditet Qendra Kombëtare e Kulturës për Fëmijë, e cila numëron 243 shfaqje përgjatë 2018-ës, duke u rritur kështu me 29.9% krahasuar me vitin 2017. Ndërkohë, ekspozitat në Galerinë Kombëtare të Arteve kanë shënuar një rënie të madhe vitin e kaluar, ku sipas INSTAT janë realizuar vetëm 3 të tilla nga 17 në vitin 2017.
Por, referuar të dhënave të Institutit të Statistikave gjatë vitit të kaluar edhe pse është rritur numri i shfaqjeve kulturore, treguesi i pjesëmarrjes mesatare nuk ka rezultuar pozitiv. Kjo e fundit ka pësuar një ulje me 19.4% krahasuar me vitin 2017. 65 989 spektatorë ka numëruar Teatrit Kombëtar Eksperimental në vitin 2018, çka e bën edhe institucionin me rritjen më të lartë prej 51.5% krahasuar me 2017-ën.Ndërsa, rënia më e madhe e vizitorëve është evidentuar në Galerinë Kombëtare të Arteve, ku ndryshimi vjetor përllogaritet me 48.9% më pak vizitorë se në 2017-ën.
Ndërkohë, sa i takon muzeve, kalave dhe monumente të tjera, vizitorët kanë treguar një interes të shtuar, pasi janë rritur me 49.1% përgjatë 2018-ës, ku numërohen 988.352. Sa i takon Bibliotekës Kombëtare, shifrat tregojnë për një rënie të konsiderueshme gjatë vitit të kaluar me 33.4%, krahasuar me vitin 2017.
Të njëjtin trend rënës kanë ndjekur edhe botimet për vitin 2018, ku numri i tyre u ul me 14.1%. Nga 14 186 botime gjithsej, 2895 ishin tituj të rinj dhe 11 291 ekzemplarë të rinj.