Nga Ben Andoni
Ndërsa janë futur shumë aktorë në lojë, kriza Rusi-Ukrainë gjendet në një spirale të rrezikshme. Cinizmi i Rusisë nuk ndalet më, madje një letër zyrtare e saj e hartuar prej ministrit të saj të Jashtëm Lavrov, iu përcoll Ministrave të Jashtëm dhe Sekretarëve të Shtetit të SHBA-së, Kanadasë dhe disa shteteve evropiane. Mes tyre edhe Shqipërisë. Ajo, që u mor si kërcënim, në fakt ishte një sqarim për qëndrimet e NATO-s dhe dallimet mes qëndrimeve të shteteve anëtare, ku Rusia dukej se kërkonte përgjigje të menjëhershme edhe… nga ana e qeverisë shqiptare.
Për fat, Shqipëria është disi larg teatrit të ngjarjeve ndërkombëtare por jo përfaqësimit të saj ndërkombëtar. Shqipëria kishte kryesimin e OSBE-ODHIR, ndërsa tani është zgjedhur në Këshillin e Sigurimit. Kuptohet kjo e fundit, megjithë tagrin e saj institucional, është gjithnjë e papërfillshme nga superfuqitë kur ato i drejtohen luftës. Përveç anëtarëve të Përhershëm, të tjerët plotësojnë thjesht një procedurë që duhet për votim. Dhe, vende si Ukraina, që tashmë luftën e kanë një trokitje larg e dinë mirë këtë. Sot, Ukraina është një lloj ndërgjegje e Evropës dhe e parimeve të saj, por mbi të gjitha e një lufte që nisi në territorin e saj qysh më 2014.
Vite më parë, politologu i njohur Zbignjev Bërzhinski e parashikonte deridiku zbritjen e fuqisë së SHBA por edhe paradokset e kohës, ku mbi të gjitha e llogariste edhe një krizë të kësaj zone. “Problemi më i prekshëm me të cilin po përballohen arkitektët e Evropës është përcaktimi i një farë raporti midis ‘Evropës 1’ dhe ‘Evropës 2’, zgjidhja përfundimtare e kësaj çështje-ta zëmë rreth vitit 2000 do ta lerë të hapur, pra do ta verë në rendin e ditës, çështjen e fatit të ‘ Evropës 3’ Kjo Evropë përmban edhe Ballkanin, si edhe shtetet Baltike passovjetike, Ukrainën, Bjellorusinë dhe Moldavinë,-me rreth 75 milionë njerëz –dhe më në Lindje vetë Rusinë me 150 milionë njerëz. Është thuajse një siguri tragjike që-ndryshe nga Evropa Qendrore, e cila ka më shumë mundësi t’i kapërcejë problemet e saj të brendshme nëpërmjet lidhjes së saj më të hershme me ‘Evropën 1’-‘Evropa 3’, veçanërisht Rusia dhe mbase dhe Ukraina në dekadat e ardhshme do të përjetojnë kriza të brendshme të rënda”.
A thua diheshin këto?! Absolutisht. Institucionet e pafundme ku trajtohen gjendjet strategjike, por edhe shtetet e ndryshme e kanë pasur mirë parasysh ngjalljen e oreksit të Rusisë, por edhe hapjen e interesave të saj. Mbi të gjitha prej lëshimeve të pafundme të Evropës por edhe varësisë së ngrohjes prej saj. Për fat, Shqipëria s’ka asnjë lloj varësie prej Rusisë, kuptohet këtu ekonomike, paçka se krizat që ajo pjell herë pas here ndikojnë superficialisht në ekonominë e saj. Në fakt, kjo tollovi në ekstremet gjeografike të saj tregoi realisht probleme shumë të mëdha gjeopolitike. Dhe kriza e Ballkanit e tregoi hapur sesa e vështirë ishte që Evropa të përballej me krizën e gadishullit të vogël, që përpiqet më kot të integrohet megjithë lëshimet, kurse Luftërat e Bosnjës dhe Kosovës treguan jo vetëm paaftësinë e Evropës por edhe atë që Bërzhinski do e shprehte në të njëjtin vend: “Është thjesht një ogur trazire dhe dhune që mund të zhvillohen në të gjithë periferinë Lindore…Dhe problemet e brendshme mund të dynden në Evropë cilitdo qofshin kufijtë Lindorë të Evropës së Bashkuar. Ankthet që do të pasojnë mund të molepsin atmosferën politike evropiane si edhe të bëhen përçarës në politikën e kohezionit duke shtuar pa dyshim frikën lidhur me sigurimin evropian”.
Por shqetësimi më i madh që mbretëron sot nga publiku është nëse mjafton më mbulesa Evropiane dhe ajo e NATO-s? Qesëndia e Turqisë, incidentet e vazhdueshme me Greqinë, pozicioni i Anglisë, por edhe ideja që parashtron Franca, e cila po mundohet të organizojë ushtrinë evropiane, në një farë mënyre nuk i shkon shumë synimit të SHBA-së, që, sipas Bërzhinskit, ka rezerva të fuqishme për një Evropë të integruar ushtarakisht… jashtë NATO. Por, paradoksi është se vetë SHBA-ja i kërkon vendeve evropiane që të kontribuojnë me 2% të GDP-së së tyre në angazhimet e tyre me NATO-n. Ka ardhur koha të mbroheni vetë, e shprehte qëndrimin i tij presidenti Trump.
Shqipëria e ka hapur komplet përfaqësimin e saj ndaj interesave të SHBA-së dhe dhënia e bazës së Kuçovës për interesat gjeostrategjike të Aleancës ka treguar rreshtimin e qartë të Shqipërisë dhe interesin e saj. Kjo është masë sigurie por edhe një angazhim pa ekuivokë, që për hir të së vërtetës është vlerësuar, por duket se ka krijuar xhelozi. Duhen burime të tjera informacioni për ta konfirmuar këtë, por një gjë është fare e sigurt: Shqipëria është pa asnjë mëdyshje pro politikave të NATO-s dhe e vlerësuar nga kjo e fundit. Tek e fundit, Evropa nuk i ka fshehur shpesh demonët e saj ose si e thoshte me arsye Bërzhinksi në vitet ‘90: “Debati mbi të ardhmen e Evropës nxjerr në pah pamundësinë që brenda një apo dy dekadash, një Evropë e vetorganizuar të arrijë të bëhet një rivale e vërtetë për fuqinë e gjithanshme botërore amerikane. Franca është shumë e dobët për të udhëhequr Evropën, kurse Gjermania tepër frikësuese për evropianët e tjerë për t’u pranuar si udhëheqëse…Një Evropë që bashkohet me konsensus është e paracaktuar të jetë një Evropë që rritet bashkarisht krejt ngadalë. Kuptohet që për një farë kohe Evropa nuk do të jetë në gjendje të flasë apo të veprojë si një njësi politike…”.
A duhet që vendet e tjera evropiane të flenë gjumë? Ukraina e ka kuptuar më së miri këtë logjikë dhe i gjithë vendi i është besuar mobilizimit total përballë Rusisë, që ka okupuar toka të saj. Për ta lufta nuk ka nisur dhe nuk do nisë, sepse ata janë në luftë, që kur Putini aneksoi Krimenë në vitin 2014 dhe jo më kot, janë qindra mijëra ukrainas që tashmë kanë qenë në front dhe u përballën me luftë të armatosur kundër forcave ruse.
Ky duhet të jetë dhe shembulli i Kosovës, që bashkë me Shqipërinë duhet të përgatiten për çdo moment, që mund t’i sjellë e nesërmja me Serbinë, e cila nuk po njeh limite armatimi, duke kërcënuar të gjithë rajonin nën mbrojtjen e ombrellës së pashtershme ruse. Dhe, Kosova duam apo nuk duam ne po i kushton kujdes stërvitjes së saj por edhe përgatitjes, duke ditur së kërcënimet sllave nuk janë thjesht në letër. Tek e fundit, paçka mburojës së SHBA-së dhe NATO-s, mbrojtja më e madhe duhet gjetur në vetë burimet e Kosovës. Duket se bota nuk mund të shpëtojë nga një luftë, që e kërkon prej kohësh konjuktura e të fortëve, por sidomos Rusia që do të zhbëjë rendin botëror.
“Ndërkohë, mediat perëndimore gjenerojnë më shumë analiza, parashikime dhe opinione sesa mund të lexojë një njeri, edhe pse faktet tregojnë si pashmangshmërinë ashtu edhe kotësinë e luftës. Putini duhet të sulmojë sepse ai do të humbasë respektin nëse nuk e bën këtë. Tani, në fazën e fundit të mbretërimit të tij të gjatë, ai ka arritur në përfundimin se trashëgimia e tij do të pësojë një goditje të pariparueshme nëse nuk largohet me Ukrainën nën kontrollin e fortë të Rusisë”, shkruan analisti polak Sławomir Sierakowski.
Në orët e fundit Macron dhe kancelari i ri gjerman parashikohen të bëjnë një inkursion të fortë diplomatik, por kjo gjendje po tregon se Evropa e ka më shumë nge, ndërkohë që kufijtë e Ukrainës tashmë janë nën konfigurimet e sulmit rus. Dhe Shqipëria dhe Kosova duhet të kuptojnë mirë se duhet të jenë aktive nën skakierën e ngjarjeve shumë kohë para se gjëra të kenë rrjedhat e tyre. “Presidenti francez Macron është i zënë duke u përpjekur të fitojë rizgjedhjet. Kryeministri britanik Boris Johnson është në prag të humbjes së pushtetit. Dhe Evropa, më gjerësisht, po lëpin plagët e saj nga pandemia dhe mbetet në mënyrë të pashpresë e varur nga gazi rus. Për më tepër, pasi ka modernizuar ushtrinë e saj në vend të ekonomisë së saj, Rusia duhet të godasë për sa kohë hekuri është i nxehtë. Putini ka grumbulluar një rezervë astronomike prej 620 miliardë dollarësh në këmbim valutor, e ka shkëputur ekonominë nga varësia e saj nga dollari dhe ka riatdhesuar asetet e oligarkëve, të gjitha për t’u përgatitur për këtë moment. Kushtet ekonomike për të mbështetur një pushtim nuk do të jenë më kurrë kaq të favorshme. Mbi të gjitha, Putini e di se nëse ai tërhiqet tani, pas dy mobilizimeve masive ushtarake, Perëndimi nuk do të duhet ta marrë më seriozisht Rusinë. NATO-ja do të vazhdojë të forcojë praninë e saj në Evropën Lindore dhe SHBA-ja do të heqë dorë nga çdo lëshim që mund të ketë ofruar, vazhdon më tej analisti polak.
Por Ukraina po tregon se Evropa duhet shpluhuruar dhe identiteti i vërtetë i kontinentit janë shtetet që po vuajnë anëtarësimin tek ata. Ndaj Ukraina nuk ka nevojë për çertifikime sepse ajo luan si anëtare e vërtetë e NATO-s dhe tashmë po punon fort dhe për pavarësinë e saj energjetike. Kjo e ka tundur Evropën, madje edhe Gjermaninë aq indiferente ashtu si edhe Anglinë që rri fare larg teatrit të ngjarjeve. Tek e fundit, mobilizimi i Ukrainës tregon se një luftë e nis fare lehtë por nuk e mbaron asnjëherë ashtu si do ti. Afganistani ishte shembull i mirë për superfuqitë por edhe për luftën në vetvete. Ukraina po e bashkon Evropën, por edhe po tregon ato vlera, që ajo i kish harruar se janë në kufijtë ekstreme të saj. Edhe Kosova këtë është munduar ta bëjë në çdo moment, me çdo lloj politike të saj…Ndaj, duhet të jemi vigjilentë. (Homo Albanicus)