Nga Alfred Peza
Ka marrë një trajektore sa të pamenduar aq edhe të çuditshme, debati rreth situatës politike në Shqipëri, pas dorëzimit të mandateve nga ana e deputetëve të opozitës në Parlament. Më shumë sesa në Shqipëri, më shumë sesa në mediat tradicionale dhe ato të reja online të Tiranës, përplasja e liderëve tanë politikë i sheh të pasqyrohen në… Itali.
Jo vetëm protagonistët e elitës sonë politike, por edhe vetë mediat e përtej “Adriatikut”, janë në garë se kush e kush të mari apo të ketë më shumë hapësirë në italisht, rreth zhvillimeve që ndodhin këtu shqip.
Të gjitha llojet e kaneleve televizive të “RAI”-t e “Mediaset”-it, gazetat nga “Corriere della Sera” e “La Repubblica” dhe deri tek “L’Osservatore Romano” e “Il Fatto Quotidiano”, janë mbushur me kronika, lajme, video, foto, intervita e komente për protestën e opozitës më 16 shkurt, dorëzimin e mandateve të deputetëve të saj më 21 shkurt dhe për atë se çfarë pritet të sjelli kjo situatë pas kësaj.
Nuk është hera e parë që mediat e vendit të Apennineve, i japin kaq shumë vëmendje dhe hapësira zhvillimeve në Shqipëri. E kanë treguar këtë sensibilitet të veçantë edhe gjatë zhvillimeve të fillim viteve ’90 kur ra regjimi komunist, por sidomos në ngjarjet e vitit 1997.
Kjo dozë e shtuar vjen jo vetë për shkak të interesit që kanë për lajmet e zhvillimet në Shqipëri opinioni, biznesi, investitorët dhe kapitali I vendit fqinj. Italia ka qenë e angazhuar më shumë se vendet e tjera të BE dhe NATO, në momentet e menaxhimit të krizave tona të brendshme në të kaluarën, si në planin diplomatik por edhe në atë humanitar dhe të rendit e sigurisë në vendin tonë.
Dhjetra gazetarë italianë kanë mbërritur në të tilla raste në Shqipëri, duke prodhuar lajme pafund për vendin tonë, shpeshherë që nuk janë përputhur profesionalisht me realitetin. Mjafton që për këtë të kujtosh se gjatë periudhës së trazirave antifajde të pranverës së 1997 në Shqipëri, megjithëse një pjesë e mirë e gazetarëve qëndronin nëpër hotelet e Tiranës, të nesërmen i shihje në pasqyrën e shtypit Italian, të kishin shkruar “nga Vlora”, apo “nga Jugu i Shqipërisë”!
Gjithësesi vëmendja e shtuar e medias italiane është rikthyer edhe njëherë nga Shqipëri me fokus zhvillimet politike në Tiranë. Por në ndryshim nga herët e shkuara, vëmendja është fokusuar tani në dy aspekte: Tek shfaqja e dukshme publike e axhendës së politikës së Tiranës dhe tek intervistat e citimet e liderëve tanë politike dhe aktorëve të tjerë të jetës publike të vendit.
Për këtë kemi intervista të njëpasnjëshme nëpër televizionet dhe gazetat italiane të protagonistëve kryesorë të zhvillimeve të fundit politike në Tiranë. Duke filluar nga Kryeministri Edi Rama dhe për të vijuar me radhë me ish Kryeministrin Sali Berisha, Kryetarin e PD Lulzim Basha dhe Kryetaren e LSI, Monika Kryemadhi. Këto ditë ata, më shumë kanë folur italisht për gazetarët, sesa në shqip apo në të gjitha gjuhët e tjera të huaja të mara sëbashku.
Në përpjestim të drejtë me rritjen e hapësirës, fokusit e vëmendjes për dhe rreth zhvillimeve politike në Shqipëri, në mediat italiane ka filluar me sa duket të shtohet edhe koefiçienti i spekullimeve mediatike. Ku rastin më tipik e regjistroi RAI 2, me reportazhin qesharak në shtëpinë e një “trafikanti” hashashi në Shijak, i cili me kapuç në kokë e me “Kallash” e drogë në dorë, i vuri edhe “njollën” edhe “vulën” me një fjali të vetme, jo vetëm zgjedhjeve të kaluara por edhe atyre të ardhshme në Shqipëri.
Lajmi i mirë në këtë rast është se “kriza” jonë politike është aq “shumë serioze”, sa për të ka më shumë vëmendje në Itali sesa në Shqipëri. Ndërsa lajmi i keq është se megjithëse Italia është partneri ynë më i madh në shkëmbimet tregtare, se atje jetojnë e punonjnë mbi çerek milioni emigrantë të rregullt dhe në Shqipëri mbi 20 mijë italianë, klishetë dhe steriotipet e vjetra mediatike për vendin tonë, nuk paskan ndryshuar me sa duket ende përtej “Adriatikut”, edhe pas mbi dy dekadash.