Nga Branimir Jovanović,
Instituti i Vjenës për Studime Ekonomike Ndërkombëtare
Tarifat e Trump do të godasin Ballkanin Perëndimor në mënyrë indirekte, përmes reduktimit të eksporteve në BE. Modelet ekzistuese sugjerojnë se pasojat do të jenë relativisht të lehta, me ngadalësimin e rritjes së PBB-së me 0.4 në 0.9 pikë përqindjeje. Megjithatë, situata aktuale duket si një mjellmë e zezë – një goditje e paparashikueshme për të cilën modelet standarde ofrojnë udhëzime të kufizuara – që do të thotë se ndikimi mund të jetë shumë më i madh. Çfarëdo që të ndodhë, qeveritë e Ballkanit Perëndimor nuk janë të pafuqishme – ato kanë edhe mjetet edhe përgjegjësinë për të vepruar dhe për të parandaluar një pasojë më serioze.
Çfarë tarifash morën ekonomitë e Ballkanit Perëndimor dhe si u llogaritën ato?
Tarifat e vendosura ndaj ekonomive të Ballkanit Perëndimor nga Donald Trump varionin gjerësisht: nga 37% për Serbinë, 35% për Bosnjën dhe Hercegovinën, 33% për Maqedoninë e Veriut, deri në 10% për Shqipërinë, Malin e Zi dhe Kosovën. Për ironi, Serbia – e cila planifikon të ndërtojë një Kullë Trump në qendër të Beogradit – mori tarifat më të larta në rajon nga njeriu që synojnë të nderojnë.
Metoda e përdorur për llogaritjen e tarifave tërhoqi kritika të konsiderueshme nga ekonomistët. Formula ishte: Deficiti tregtar i mallrave të SHBA-së me vendin, pjesëtuar me importet e mallrave amerikane nga vendi, pjesëtuar me 2. Asnjë ekonomist tregtar më parë nuk e kishte përdorur këtë qasje.
Sipas të dhënave të SHBA-së, Shtetet e Bashkuara kanë një deficit tregtar të mallrave me Serbinë, Bosnje-Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut. Prandaj, këto tre vende u goditën me tarifa të larta. Tre të tjerët – Shqipëria, Mali i Zi dhe Kosova – importojnë më shumë nga SHBA-ja sesa eksportojnë, kështu që kanë marrë tarifën minimale prej 10%.
Por sipas zyrave kombëtare të statistikave të Serbisë, Maqedonisë së Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinës, ato gjithashtu importojnë më shumë nga SHBA se sa eksportojnë atje. Që do të thotë se, duke përdorur formulën e vetë Trump, ata duhet të kishin marrë gjithashtu një normë prej 10%.
Kjo mospërputhje rrjedh nga ndryshimet midis të dhënave tregtare të SHBA-së dhe Ballkanit. Kjo nuk është e pazakontë – pjesa më e madhe e flukseve tregtare ndërmjet këtyre ekonomive kalojnë nëpër vende të treta, duke ngritur pyetje se si klasifikohet një tregti e tillë indirekte në secilën anë.
Sa eksportojnë ekonomitë e Ballkanit Perëndimor në SHBA dhe BE?
Por tarifat e vendosura nga SHBA-ja do të jenë problemi më i vogël për ekonomitë e Ballkanit Perëndimor – thjesht sepse eksportet e tyre në SHBA janë të kufizuara. Edhe në Kosovë, e cila ka pjesën më të madhe të eksportit në SHBA në raport me madhësinë e ekonomisë së saj, shifra është vetëm 1.1% e PBB-së. Në të gjitha vendet e tjera të rajonit, eksportet amerikane përbëjnë më pak se 1% të PBB-së.
Në të kundërt, ekspozimi ndaj tregut të BE-së është shumë më domethënës – dhe shumë më shqetësues. Në Maqedoninë e Veriut, eksportet në BE arrijnë gati gjysmën e PBB-së. Bosnja dhe Hercegovina dhe Serbia janë vetëm pak “më mirë”, me eksportet e BE-së që arrijnë në rreth një të katërtën e PBB-së. Në Shqipëri, kjo përqindje është rreth 13%, ndërsa në Mal të Zi dhe Kosovë, është rreth 3% e PBB-së, që është ende shumë më e lartë se eksportet e tyre në SHBA.
Kjo do të thotë se Ballkani Perëndimor do të ndiejë ndikimin e luftës tregtare në mënyrë indirekte, përmes reduktimit të eksporteve drejt BE-së, eksportet e të cilit pritet të bien për shkak të ekspozimit të lartë në tregun amerikan dhe tarifave të reja amerikane të futura rishtazi – prej 25% në sektorin e automobilave, çelikut dhe aluminit, dhe 20% për mallrat e tjera.
Për ekonomitë prodhuese – Serbinë, Maqedoninë e Veriut dhe Bosnjë-Hercegovinën – kanali kryesor i ndikimit do të jetë reduktimi i eksporteve të mallrave në BE, veçanërisht në industritë e lidhura me automobilat, të cilat kohët e fundit kanë marrë një rol të madh në këto ekonomi.
Për ekonomitë e varura nga turizmi – Shqipërinë dhe Malin e Zi – lufta tregtare mund të rezultojë në më pak turistë të BE-së, pasi familjet në vendet e BE-së përballen me të ardhura më të ulëta dhe pasiguri më të lartë.
Për të gjithë rajonin, duke përfshirë Kosovën, një kanal i tretë ka të ngjarë: një rënie në IHD, e nxitur nga rritja e pasigurisë globale dhe një përkeqësim i perspektivës për investitorët me bazë në BE – të cilët mbeten burimi kryesor i IHD-ve në pjesën më të madhe të rajonit.
Sa do të vuajë BE-ja – dhe çfarë do të thotë kjo për Ballkanin Perëndimor?
Pyetja kryesore, pra, është se sa do të vuajë vetë BE-ja nga tarifat e vendosura rishtazi nga SHBA. Kolegët në institutin tim kanë kryer së fundmi një seri simulimesh – duke përfshirë këtë dhe këtë – dhe shumica vlerësojnë ndikimin në PBB të BE-së të jetë rreth 0.4–0.5% në vit. Me fjalë të tjera, nëse parashikimet e mëparshme prisnin rritje të PBB-së së BE-së prej 1.2% këtë vit, vlerësimi i ri, duke marrë parasysh luftën tregtare, është më afër 0.7%.
Çfarë nënkupton kjo për Ballkanin Perëndimor? Për të marrë një vlerësim të përafërt, bëra një regresion të thjeshtë linear, duke lidhur rritjen e PBB-së në secilën nga ekonomitë e BB6 gjatë 25 viteve të fundit me rritjen e PBB-së së BE-së. Rezultatet (të paraqitura në tabelën 1) ishin çuditërisht konsistente: për pesë nga gjashtë vende, koeficienti i regresionit është rreth 0.8-0.9. Kjo do të thotë se kur rritja e BE-së ngadalësohet me 1 pikë përqindjeje, rritja e BB6 zakonisht ngadalësohet me 0,8-0,9 pikë përqindjeje.
Përjashtim bën vetëm Mali i Zi, i cili tregon një ndjeshmëri shumë më të fortë – me koeficientin 1.9. Kjo është për shkak të madhësisë së tij të vogël dhe varësisë së madhe nga turizmi, duke e bërë atë veçanërisht të prekshëm ndaj goditjeve të jashtme. Një shembull i qartë është pandemia COVID-19, kur Mali i Zi përjetoi rënien më të madhe të PBB-së në Evropë. Ndërsa ekonomia e BE-së u tkurr me rreth 6% në vitin 2020 dhe mesatarja e BB5 me rreth 4%, PBB-ja e Malit të Zi ra me 15%.
Zbatimi i këtyre koeficientëve në goditjen aktuale: nëse rritja e BE-së ngadalësohet me 0.5 pikë përqindjeje për shkak të tarifave të Trump, atëherë Shqipëria, Bosnja dhe Hercegovina, Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Serbia mund të pritet të ngadalësohen me rreth 0.4 pikë përqindjeje. Mali i Zi, megjithatë, mund të përjetojë një ngadalësim prej afro 0.9 pikë përqindjeje.
A po shohim një mjellmë të zezë?
Këto efekte mund të mos duken dramatike në shikim të parë. Por është thelbësore të kujtojmë se simulimet e disponueshme bazohen në modele, të dhëna dhe teori të zhvilluara gjatë dekadave të liberalizimit të tregtisë – një periudhë e karakterizuar nga rritja e tregtisë globale dhe tarifat në rënie. Ajo që po shohim tani është pikërisht e kundërta. Kështu, tarifat e Trump mund të shihen si një lloj mjellma e zezë – një tronditje shumë e pazakontë për të cilën mjetet tona ekzistuese nuk janë të përshtatshme.
Kjo do të thotë gjithashtu se rreziqet janë qartë të anuar nga ana negative. Ngadalësimi aktual ekonomik mund të jetë shumë më i fortë se sa sugjerojnë modelet aktuale.
Burimi i parë i rrezikut vjen nga hakmarrja nga partnerët tregtarë, kryesisht Kina dhe BE-ja. Kina tashmë është përgjigjur me një tarifë totale prej 34% për mallrat amerikane. BE-ja ende nuk ka vepruar, por raportet sugjerojnë se një përgjigje e fortë dhe e koordinuar ka të ngjarë. Disa presin që reagimi i BE-së të mos kufizohet vetëm në tarifa, por mund të synojë firmat kryesore të sektorit të shërbimeve amerikane, duke pasur parasysh se SHBA eksporton shumë më shumë shërbime në BE sesa importon. Një veprim i tillë pothuajse me siguri do të provokonte përshkallëzim të mëtejshëm nga SHBA – duke rritur më tej tarifat dhe ndoshta duke marrë masa të tjera. Kjo, nga ana tjetër, mund të çojë në një raund të ri kundërmasash si nga Kina ashtu edhe nga BE.
Një burim i dytë, dhe ndoshta më shqetësues, i rrezikut qëndron jashtë sferës së modeleve tradicionale të tregtisë. Vetëm në dy ditët e para pas njoftimit të Trump, bursa amerikane humbi rreth 10% të vlerës së saj – rënia më e madhe që nga pandemia COVID-19. Në terma absolutë, vetëm 500 kompanitë në indeksin S&P 500 humbën mbi 5 trilionë dollarë në vlerë tregu – më shumë se 20% të PBB-së së SHBA-së. Ekonomistët tani po parashikojnë gjithnjë e më shumë se SHBA do të hyjë në një recesion këtë vit.
Sigurisht, tregjet mund të rimëkëmben në ditët në vijim – ose mund të bien edhe më tej. Por ajo që kjo ilustron qartë është pasiguria, paqëndrueshmëria dhe paparashikueshmëria e pasojave.
Çfarë duhet të bëjnë qeveritë e Ballkanit?
Është bërë tashmë diçka si një klishe, pas kaq shumë krizave në vitet e fundit, të citosh fjalën e Churchillit: “Kurrë mos lejoni që një krizë e mirë të shkojë dëm”. Por për qeveritë e Ballkanit Perëndimor, ky moment duhet të shërbejë vërtet si një thirrje zgjimi – një mundësi për t’u përballur dhe trajtuar disa nga dobësitë strukturore të gjata që vazhdojnë t’i lënë ekonomitë e tyre të prekshme ndaj goditjeve të jashtme.
Së pari, është koha për të reduktuar varësinë e tepërt nga një treg i vetëm ose një industri e vetme – edhe nëse ai treg është i BE-së ose ajo industri është e automobilave. Diversifikimi i destinacioneve të eksportit, duke përfshirë fokusin më të madh në partnerët rajonalë, Lindjen e Mesme, Afrikën e Veriut dhe tregje të tjera me rritje të shpejtë, mund të sigurojë një tampon në situata të tilla si kjo. Po aq i rëndësishëm është diversifikimi në industri të reja – veçanërisht ato me vlerë të shtuar më të lartë dhe finalizim më të madh të produkteve, të cilat zakonisht janë më pak të ndjeshme ndaj goditjeve globale.
Së dyti, modeli ekzistues i rritjes – i varur shumë nga IHD-të dhe puna me kosto të ulët – ka nevojë për një rivendosje. Ekziston një nevojë urgjente për të kaluar drejt një modeli të drejtuar nga inovacioni, i ndërtuar mbi firmat vendase, i mbështetur nga një politikë industriale koherente dhe proaktive.
Në planin afatshkurtër, qeveritë duhet të shikojnë për të nisur nxitësit e tjerë të rritjes përtej eksporteve. Kjo do të thotë nxitje e konsumit të brendshëm, për shembull nëpërmjet pagave më të larta dhe përdorimit të politikave fiskale në mënyrë më efektive për të rritur investimet publike, veçanërisht në infrastrukturë dhe projekte të tranzicionit të gjelbër, të cilat mund të japin stimul afatshkurtër dhe qëndrueshmëri afatgjatë.
Kjo krizë mund të ketë origjinën shumë larg nga Ballkani Perëndimor, por qeveritë e Ballkanit Perëndimor nuk janë të pafuqishme – dhe ato me të vërtetë mund të bëjnë shumë për të parandaluar elefantët që luftojnë të shkatërrojnë barin e tyre.
Shkruar për BiEPAG
Përshtati në shqip; Argumentum.al