Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE
Kështu i ndodhi po të shprehemi në mënyrë figurative diplomacisë së Kosovës më 20 Shkurt. Atë mbrëmje, pa pritur të nesërmen, duke iu referuar Ambasadores në SHBA, Vlora Çitaku, Presidenti Thaçi njoftoi me gëzim se Xhamaika kishte njohur zyrtarisht Kosovën. Lajmi mori dhenë dhe pothuajse të gjithë drejtuesit më të lartë nxituan të shprehnin entusiazmin e ligjshëm, mbasi ka 2 – 3 vjet heshtje për njohjet. Mirëpo “ festa” nuk zgjati më shumë se një natë, sepse qysh të nesërmen Shefja e diplomacisë së Xhamajkës e përgënjeshtroi lajmin. “Mini-cunami” që shkaktoi ky incident aspak serioz ishte shumë më i madh dhe se në rastet e dështimit të antarësimit të Kosovës në Interpol dhe UNESCO, duke shkuar deri në kërkesa për shkarkim të Ambasadores Çitaku dhe dorëheqjes së ministrit të ri të jashtëm.
Por ç’ndodhi në fakt? Pavarësisht nga shpjegimet që ende nuk janë dhënë, të paktën në publik nga Ambasadorja e Kosovës, zonja Çitaku, nga përvoja e gjatë diplomatike dhe jashtë vendit, jam i sigurt se diplomatët vëllezër të Kosovës dhe vetë Zonja Çitaku me goxha staturë dhe përvojë do të kenë bërë shumë demarshe, duke siguruar madje dhe pohime/premtime nga kolegët e tyre xhamajkianë për njohjen e Kosovës në takimet dhe kontaktet e tyre. Shpesh, diplomatët tregohen bujarë në të tilla pohime dhe premtime, sidomos në raste festive, në veprimtari miqësore mes kolegësh, etj. Gjithashtu, këto premtime mund të kenë ardhur, pse jo, dhe nga nivelet e larta dhe fare pranë ministres së Jashtme ose dhe e kryeministrit të Xhamajkës, falë lobimit dhe ndërhyrjeve nga miqtë tanë të përbashkët. Ama vetëm në parim dhe pa një dokument konkret, pra ende pa letra.
Mirëpo, siç ndodh jo rallë në diplomaci, dhe kur përgatitet dokumenti përkatës konfirmues, pikërisht në ditët apo dhe minutat e fundit, për shkaqe dhe ndërhyrje të ndryshme, një telefonatë nga dikush nga jashtë, përfshirë dhe nga Serbia mund ta ketë ndryshuar rrjedhën e gjërave, duke e shtyrë njohjen e Kosovës për një periudhë të mëvonshme.
Po atëhere ku qëndron gabimi dhe përgjegjësia e Ambasadës së Kosovës në SHBA që mbulon dhe Xhamajkën? Difekti dhe gafa e pafalshme në të dy këto raste është se Ambasadorja Çitaku ka mbetur e kënaqur në terrenin e llafeve të bukura dhe ka dashur ta “ shesë” sa më shpejt këtë “ produkt” të ri diplomatik te shefat e saj në Prishtinë. Por, ndonëse dhe Kosova ka diplomatë dhe ambasadorë me grada dhe tituj shkencorë, në këtë rast ajo ka harruar “ABC”-në e diplomacisë, pra shoqërimin e atyre fjalëve me dokumentin përkatës që quhet “NOTA VERBALE”. Është një faqe gjë, më tepër me frazat rutinore diplomatike, por që i vë firmën dhe vulën çdo pohimi dhe premtimi të kësaj natyre. Notat Verbale janë si “ buka dhe djathi” në diplomaci, pa to, nuk mund të rezervosh qoftë dhe një sallë në aeroport apo hyrjen në një institucion e kështu me radhë. Pa atë Notë, asgjë nuk ka vlerë dhe fuqi juridike e publike. Këtë e di dhe stazhieri më i ri që sapo futet në shërbimin diplomatik.
Po pse u bë ky gabim? Ndoshta nxitimi përballë trysnisë nga shefat e rinj në Prishtinë për lajme të shpejta pozitive, apo dhe për inat të Serbisë që lobon kundër njohjes së Kosovës?
Veç kësaj, dhe nëse Ambasadës së Kosovës në SHBA mund t’i jetë konfirmuar njohja me gojë, me premtimin se Nota do të vinte më vonë, pasi duhen disa ditë në fakt derisa ajo të marrë udhë, atëhere Ambasada duhej të kishte pritur Notën e pastaj të vijonte më tej. Ose të paktën të njoftonte Prishtinën që njoftimin ta mbante në konfidencë dhe jo për publikun derisa të vinte Nota. Punë ditësh do të ishte. Por dhe Presidenca e Kosovës e cila ka ose duhet të ketë këshilltarë dhe ekspertë diplomatë nuk duhej të dilte me njoftim publik pa patur Notën bashkëlidhur. Për më tepër, kjo procedurë është përfshirë dhe në Rregulloret e Shërbimit Diplomatik, besoj dhe te ajo e Kosovës.
Së fundi, pa dashur të paragjykojmë kërkënd, do t’i sugjeronim me dashamirësi dhe modesti miqve dhe kolegëve diplomatë të Kosovës që të veprojnë me kujdes, si diplomatë të vërtetë, të mos bien preh e presioneve dhe urgjencave për konsum të brendshëm politik dhe çdo pohim e premtim ta shoqërojnë detyrimisht me dokumentet përkatëse të çdo lloji dhe mbi të gjitha me NOTE VERBALE zyrtare, me firmë dhe me vulë. Ndryshe, nuk mund të ketë asnjë garanci se raste të tilla kur “ mbytesh me një pikë ose lugë uji” nuk do të përsëriten më.
/argumentum.al
© Argumentum