Ekskluzivisht për ARGUMENTUM
Nga Dr. Jorgji KOTE*
Kur isha fëmijë pushimet verore i kaloja në Libohovë, pranë Gjirokastrës, qytet-fshat i mrekullueshëm mes gjelbërimit të pa fund, me burime ujrash të ftohta, me lule dhe pemë të shumëllojshme; me plot tradita në historinë e saj dhe vendlindja e Avni Rustemit. Shkoja gjithmonë me kënaqësi te gjyshërit nga mamaja të cilët më prisnin me aq shumë mall dhe dashuri.
Çdo pasdite luanim “ top” me shokët aty te një sheshi i vogël i lagjes “ Kalistà” Aty ishte dhe një tip mini – shpellë ku çdo pasdite mblidheshin gjyshi im me shokët e vet; ata kishin qenë dhe jashtë vendit, pra kishin “parë dynja me sy” Kur vrapoja të kapja topin të mos binte në një përrua të vogël aty ngjitur, më zinte veshi si fëmijë kurreshtar copëza nga bisedat e tyre të gjata. Mirëpo, nga mesi i gushtit e tutje, e ndjeja se flitnin shumë më të shqetësuar. Aty kam dëgjuar për herë të parë emrat Amerikë, Berlin, Mur ( edhe pse të them të drejtën kujtoja se bëhej fjalë për ndonjë mur të prishur), Adenauer, Kenedi, Hrushov, Venizellos, Papandreu, por më shumë nuk kuptoja dot. Radion nuk e dëgjonim fare pasi rrinim gjithë ditën jashtë si fëmijë çamarokë dhe kur ktheheshim të lodhur, pasi hanim bukë, ia këputnim gjumit ” për shtatë palë qejfe”. Gjithsesi, nga shqetësimi i tyre arrita të nuhatja se Muri i Berlinit nuk ishte lajm i mirë. Ndaj, sa herë dëgjoja të flitej për Murin, sidomos kur ai u shemb 28 vite më vonë, më kujtohej biseda e gjyshërve të paharuar dhe imagjinoja trishtimin e tyre të ligjsshëm.
Gati 50 vjet më vonë, më 2009, kur po përfundoja librin « Berlini pa Mure » m’u dha rasti të shfletoja gjithë numrat e Gazetës « Zëri i Popullit « të periudhës Gusht – Dhjetor 1961. Nëpërmjet tyre, rregjimi i atëhershëm i bënte jehonë vendimit të qeverisë gjermanolindore për ngritjen e Murit,” si një masë e domosdoshme për mbrojtjen dhe garantimin e sigurisë së kufijve, të së drejtës legjitime për mbrojtjen e territorit dhe sovranitetit të kërcënuar nga veprimet subversive e militariste të Bonit” etj. Por Muri nuk përmendej asnjëherë; në çdo rast, me një gjuhë të thatë e skematike bëhej gjithnjë fjalë për “ masa për mbrojtjen e sovranitetit dhe sigurisë”. Kësisoj, njerëzit nuk kishin një ide të qartë për zhvillimet në atë periudhë, sidomos në mungesë të mjeteve të informimit masiv dhe të izolimit të madh. Po ndodhte ajo që thoshte Mark Twain se « po të mos lexosh gazetat, je i painformuar, por po t’i lexosh ato, do të jesh i keqinformuar »
Në fakt Muri i Berlinit që u ngrit në të gdhirë të datës 13 Gusht 1961 ishte shumë me tepër se emri i tij. Ai ishte një impiant gjigand ndarës dhe vdekjeprurës me një gjatësi 156 km; përbëhej nga katër breza ; brezi i parë 4 m i lartë ishte me beton dhe teela me gjemba ; brezi i dytë që njihej dhe si « zona e vdekjes » shkonte 80 – 100 m thellësi dhe kushdo do të shkelte aty do të kapej ose do ta zinte korenti elektrik ; brezi i tretë ishte plot transhe ndërsa brezi i katërt ishte një trase e pakalueshme. Muri vrojtohej në gjithë gjatësinë e tij nëpërmjet 302 kullave të vrojtimit, nga të cilat 32 ishin në qytetin e Berlinit.
Ai Mur vërtet që kufizoi ndjeshëm arratisjen e gjermanolindorëve drejt perëndimit, por ndërkohë ishte katastrofal për imazhin e socializmit lindor.
Foto që “bëri xhiron e botës”
Gjatë 28 viteve të tij, Murin e kapërcyen me mijra vetë, por 134 prej tyre u vranë në përpjekjet e tyre në kërkim të lirisë. Dëshmori i fundit i Murit ra në 5 shkurt 1989, 20 vjeçari Christian Gueffroy, i pari ishte Peter Fechter më 17 gusht 1962 në “Bernauer Strasse”, ku ndodhet dhe Memoriali i Murit e ku zhvillohen homazhet në ditën e ngritjes dhe rënies së tij.
Ngritja e Murit u shoqërua me shumë incidente, aksidente por dhe momente emocionante, për të cilat janë shkruar me qindra libra, këngë, poezi dhe filma. Këtu po ndalemi në dy nga rastet më të bujshme.
Kapërcyesi i parë i bujshëm i Murit të Berlinit ishte roja kufitare në pjesën lindore të Berlinit, 19 vjeçari Hans Conrad Schumann. Më 15 Gusht 1961, vetëm dy ditë pas ngritjes së Murit me tela me gjemba midis rrugës « Ruppiner dhe Bernauer Strasse » në qendër të Berlinit, Schumann kapërceu me guxim telat me gjëmba, i inkurajuar nga thirjet e vazhdueshme që vinin nga pjesa perendimore « hajde këtu » i ndihmuar dhe nga një makinë policie patrullimi i RFGJ-së. Pamja e tij e fotografuar nga Peter Leibing me një aparat « Exact » që tregohet dhe më poshtë u botua te BILD dhe ato ditë bëri « xhiron e botës » Schumann u indinjua kur nuk lejuan një vajzë të vogël që kishte shkuar te gjyshërit e saj në pjesën lindore të kthehej serish te familja e saj. Më vonë u vendos në Bavari. Por jeta e tij u kthye në një kalvar vuajtjesh psikologjike, për shkak të presionit të vazhdueshëm nga pjestarët e familjes që e qortonin për veprimin e tij. Sepse dihen pasojat e hakmarrjes së rregjimit lindor ndaj tyre. Ra në depresion deri sa vdiq në vitin 1998 kur ishte vetëm 58 vjeç. Gjithsesi, pavarësisht nga këto peripeci, ai i qëndroi deri në fund pohimit të tij se « vetëm kur kapërceva Murin jeta ime u bë plotësisht e lirë. »
“ Dy zonjushat e Murit”
Rasti i dytë por vërtet me një ”happy end” ndodhi më 13 Gusht 1961, kur dy vajza 15 vjeçare gjermane, shoqe shkolle në gjimnaz iu afruan njera tjetrës duke shtrënguar duart në formë lamtumire mbi murin që po ngrihej dhe po i ndante si shumë e shumë të tjera. E para nga e djathta e fotos më poshtë është Kriemhild Meyer, kurse tjetra nga e majta, Rosemarie Badaczevski. Kjo e fundit e kishte apartamentin në një godinë shumëkatëshe me ballkon nga pjesa perendimore; sipas planit të babait të saj që ishte në perëndim, ajo rrëshqiti poshtë ballkonit me litar më 19 Gusht 1961. Kriehild mbeti në lindje por u largua më vonë në perëndim. Ai takim ato ditë bëri bujë të madhe. Fotoja e tyre kishte dekada që qëndronte në Muzeun Treptow në pjesën lindore të Berlinit. Vitet e fundit, Muzeu kishte bërë shumë përpjekje për t’i gjetur e bashkuar simbolikisht ato dy vajza.
Më në fund, të dyja “ zonjushat e Murit” siç njihen në publik u gjetën një e nga një në distance kohore, sepse Kriemhild banonte prej vitesh në Zvicër ku kishte punuar si dekoratore. Ndërsa Rosemaria jetonte pranë Hamburgut, ku kishte punuar si sekretare në një universitet.
Më 15 Qershor 2019, këto dy shoqe u ritakuan pas 58 vitesh në katin e tretë të Muzeut Treptow, aty ku janë ekspozuar dhe fotot e tyre. E pamundur të përshkruhej gëzimi dhe emocioni i tyre, i stafit të Muzeut dhe publikut gjerman. Ai takim dhe fotoja pranë fragmentit të Murit në po atë vend ku u ndanë 58 vite më parë, në Harzer Strasse, në kufirin midis lagjes Treptower dhe Neukëln, “ pushtoi” faqet e para dhe kronikat televizive gjermane të atyre ditëve dhe në vazhdim.
Në këtë 59 Vjetor të ngritjes së Murit famëkeq të Berlinit, si shumë e shumë shembuj të tjerë të ngjashëm, dhe rasti i “ dy zonjushave të Murit” dëshmon qartë e bindshëm se megjithë suksesin fare të përkohshëm, nuk ka mur, gardh, bunker dhe pengesë, sado të gjatë e të sofistikuar që të ndajë njerëzit.
- Autori Jorgji Kote ka qenë si diplomat në të dy ish- Gjermanitë dhe në atë të ribashkuar përpara dhe pas shembjes së Murit të Berlinit; nga viti 2001 – 2006 ishte Ministër Këshilltar ose Numri 2 i Ambasadës sonë në Berlin. Autor i librit « Berlini pa Mure » ( TOENA, 209) dhe i dhjetra shkrimeve mbi problematikën
© Argumentum