Kryeministrja e Rumanisë, Dancila ka arritur sërish në titujt e lajmeve. Njoftimi i saj, se ambasada rumune në Izrael do të vendoset në Jeruzalem ka pasur reagime të mëdha. Ujë në havan, mendon Robert Schwartz.
Që një vit më parë Rumania pati tërhequr vëmendjen lidhur me këtë çështje. Presidenti i parlamentit, Liviu Dragnea, kryetar i socialdemokratëve në pushtet (PSD) pati njoftuar pa asnjë paralajmërim, se qeveria “e tij” ka aprovuar një memorandum, që parashikon zhvendosjen e ambasadës rumune në Izrael, nga Tel Avivi në Jeruzalem. Kryeministrja rumune Viorica Dancila, e cila drejtohet nga Dragnea, kishte si detyrë nderi që të shpjegonte gjatë një vizite në Izrael planin e shefit të saj. Rumania duhet të jetë vendi i parë i BE, që ndjek shembullin e SHBA, ishte ideja e Dragneas. Argumentimi i tij, ishte se ky është shanci i vetëm i Rumanisë që të sigurojë përfitime afatshkurtra, afatmesme dhe afatgjata. Ai nuk tha cilat janë konkretisht këto përfitime.
Kundërshtari i Dragneas shpallet antisemit
Që në atë kohë presidenti rumun i shtetit, Klaus Iohannis, u mundua të sillte qetësi në debat. Një vendim i tillë me jehonë ndërkombëtare nuk mund të merret, pa bërë analizë të thellë dhe pa peshuar mirë të gjitha pasojat dhe implikimet. Përveç kësaj, Rumania si vend anëtar i BE, duhet të përfaqësojë në këtë çështje politikën e përbashkët europiane. Vetëm pasi të sqarohet statusi i diskutueshëm i Jeruzalemit, mund të bëhen hapa të tjerë, tha presidenti rumun. Për shkak të qëndrimit të tij refuzues, disa vetë e kritikuan atë ashpër madje edhe për antisemitizëm. Një akuzë, që Iohannis e hodhi poshti si absurde.
Grindja për zhvendosjen e ambasadës rumune në Izrael ka plasur tani sërish. Sipas modelit të mëparshëm. Kryeministrja Dancila njoftoi të dielën e kaluar gjatë një përvjetori në Uashington, të organizatës lobiiste amerikano-izraelite AIPAC, se ajo dhe qeveria e saj, pas një analize të bërë, do të zhvendosin “ambasadën tonë në Jeruzalem, në kryeqytetin e Izraelit”.
Ajo çka nuk u kuptua nga askush është se Dancila foli për një analizë që nuk ekziston dhe për një vendim, që nuk ekziston. Por sikur të mos mjaftonin këto, ajo tha se vendimi është marrë në konsensus me të gjitha institucionet relevante rumune. Ajo harroi të thoshte gjënë më thelbësore, që sipas kushtetutës rumune, direktivat në politikën e jashtme janë kompetencë e presidentit. Ai reagoi fillimisht i qetë. Pas bërjes së analizës dhe vlerësimit të të gjitha institucioneve relevante mund të merret vendimi për këtë temë. Iohannis nuk e thotë kur do të përfundojë procesi i analizimit, i cili ka një vit që ka filluar.
“Mendimi personal” i kryeministres
Duket e çuditshme që kryeministrja e një shteti të BE, që mban aktualisht presidencën e radhës së BE, kërkon që të vendosë e vetme për politikën e jashtme të vendit. Por edhe më e çuditshme duket kur kjo kryetare qeverie, e kthen publikisht mbrapsht këtë vendim disa orë pas mbërritjes nga Uashingtoni. Në një intervistë me televizionin e saj të preferuar në Bukuresht, Dancila tha se ka qenë “mendimi i saj personal” ajo çka ajo ka thënë para organizatës lobiiste. Politika e përgjegjshme nuk tingëllon kështu!
Me siguri Viorica Dancila nuk është e vetëdijshme sa dëme ka bërë me këtë vrimë në ujë. Rumania ka marrëdhënie të mira me Lindjen e Mesme që prej 50 vjetësh, si me Izraelin ashtu edhe me vendet arabe dhe palestinezët. Tani kjo do të ndryshojë./dw