Editorial
Në listën e kandidatëve për deputetë të Partisë Socialiste për zgjedhjet parlamentare të 11 majit, një figurë e re që spikat është Marjana Koçeku. E njohur për angazhimin e saj në agroturizëm, ajo do të garojë në Shkodër, ku është përfshirë në listën e mbyllur të kandidatëve te ketij qarku.
Vendi nga ku vjen Marjana është një vend epik, po aq e veçantë dhe magjike është dhe mikpritja që ajo ofron për çdo turist që viziton agroturizmin e saj.
Një vend i bekuar nga Zoti, i trashëguar nga paraardhësit e saj, dhe i ruajtur me mund, përkushtim dhe sakrificë nga kjo vajzë e malesisë. Ajo shtron në tavolinën e saj jo vetëm ushqime tradicionale dhe bio, por gjithashtu kulturën dhe mikpritjen e paharrueshme të kësaj krahine.
Një mundësi origjinale për të tërhequr turistët që nuk kërkojnë luksin, por janë të apasionuar nga natyra e paprekur, malet dhe shkrepat ende të virgjëra. Marjana, edhe pse e shkolluar në Europë, ka ruajtur thelbin e malesisë në zemrën e saj. Çdo arritje e saj është fryt i mundit të saj, i mbështetjes familjare, dhe i fatit që e lidh me këtë vend të mrekullueshëm, mes maleve dhe lumejve.
Dialekti i saj gegë, i cili është po aq i lashtë sa vetë ato gurë dhe ato male të Malësisë së Dukagjinit, ka prekur shumë prej atyre që e kanë lënë këtë tokë, nëpërmjet së cilës ruajnë rrënjet, kujtimet dhe kohën e shkuar, kur vlerat njerëzore ishin më të larta.
E pra, Marjana, kjo vajzë e malësisë, bijë shqiptare, ka fituar zemrat e të gjithëve, ka fituar zemrat e kujtdo që e lexon e ndjek apo që ka patur mundësinë të vizitojë agroturizmin e saj. E për këtë merita është plotësisht e saj, në mënyrë të padiskutueshme.
Dhe ja ku jemi para një angazhimi të saj politik, ku “neomalsorja” Marjana Koçeku do të prijë e rrugëtimin e saj të ri publik. Ndonëse në gjithë angazhimin e saj deri më tani, asaj nuk i ka munguar as vokacioni i brendshëm, por as liria për të ngritur zërin e saj në mbrojtje të të drejtave të të rinjve, grave dhe vajzave.
Sigurisht, kjo ambicie politike nuk ka pse të paragjykohet, por ka një keqardhje se pse një zë origjinal, i papërlyer politikisht, po aq i vërtetë sa vendi nga ku Marjana vjen, të mbytet në atë parlament, që është aspak dinjitoz dhe që drejton sot Shqipërinë, qofshin ata mazhorancë apo opozitë.
Marjana nuk ka nevojë për një parlament që zëri i saj degjohet; zëri i saj ka kumbuar kohë më parë. Nga ana tjetër, Edi Rama ka nevojë për vlerat e Marjanës, për besimin dhe respektin që ajo ka fituar me punën e saj në Shkodër e në Malësi.
Por çfarë do të ndodhë me Marjanën pasi ajo të ulet në karrige si deputete? Sa guxim do të ketë ajo që të kundërshtojë politikisht “kumbarin e saj politik”? Sa do t’i mbrojë ajo interesat e Malësisë, ku investitorët strategjikë do të çojnë makineritë e rënda, duke i prishur origjinalitetin atij vendi epik?
Ashtu si dialekti gegërisht që duhet mbrojtur dhe ruajtur si thesaj i gjuhës sonë shqipe, në fakt edhe personalitete dhe njerëz si Marjana duhet ruajtur me fanatizëm…por kjo nëpërkëmbje e shfrytëzim politik na tregon edhe njëherë se pushteti për fat të keq josh dhe tjetërson çdo njeri.
Lexuesit që i lexojnë këto rreshta do t’i tingëllojë pak paragjykues ky shkrim, pasi ende nuk e kemi parë qëndrimin e Marjanës si deputete dhe politikane, por kjo situatë na vjen si déjà vu.
Jo më larg se zgjedhjet e kaluara parlamentare të vitit 2021, Kryeministri Rama zgjodhi një nga njerëzit më të dashur për publikun, siç ishte znj. Luljeta Bozo, inxhinierja që fitoi simpatinë e publikut pas tërmetit të 26 nëntorit 2019, e cila me profesionalizmin e saj qetësoi çdo njeri të tronditur nga ai tërmet.
Në çdo studio iu dëgjua zëri i saj, duke vendosur një standard se, po, emisionet shqiptare kanë nevojë për specialistë, ekspertë të fushës dhe jo gjithologë. Ajo foli për cilësinë e ndërtimeve, standardet që duhet të ndjekin ndërtuesit dhe shumë të tjera… Dhe Kryeministri Rama e zgjodhi dhe e bëri deputete. Ajo u ul në atë karrige në parlament dhe zëri i saj u shua ngadalë…
Ajo u harrua në atë sallë, nuk dëgjuam më ekspertizën e saj, nuk i dëgjuam më kritikat për cilësinë e ndërtimit, ndërsa Tirana po mbushet me kulla madhështore që lindin çdo ditë si kërpudha.
Meqë ra fjala, znj. Luljeta Bozo, nuk është më pjesë e listave të Partisë Socialiste për deputetë në zgjedhjet e 11 majit. Ndoshta është zgjedhja e saj, ndoshta mosha etj… por një gjë është e sigurtë: Parlamenti i Shqipërisë e mbyti zërin kritik dhe profesional të zonjës aq të dashur për të gjithë publikun shqiptar.
Sikurse qengji që Marjana mban në krah, ku ai blegërin tërë hare, dhe ndihet i sigurt, pa e ditur se pas pak kohe do të jetë një nga pjatat më të shijshme shqiptare për turistët e huaj, si produkt bio i maleve të Dukagjinit. Ashtu, edhe Partia Socialiste do ta çojë në piedestal Marjanën( apo të rinj e të reja si Marjana) për t’i hequr çdo mundësi që zëri i saj të degjohet, duke u bërë kurbani i radhës i politikës që ndjek bariu ynë (kryeministri Rama).
Kjo është një kambanë alarmi, pasi politika shqiptare ka shtrirë tentakulat e saj propaganduese në çdo mal e në çdo fushë, duke mos lënë gur pa lëvizur, vetëm për të siguruar që kjo qeveri të mbetet në pushtet. Kambanë alarmi është gjithashtu fakti se si të rinjtë e shohin kryeministrin e këtij vendi si një idhull. Ndryshe nga të rinjtë e rajonit tonë, si në Greqi apo Serbi, që sfidojnë pushtetin, në Shqipëri, ata janë ende të pafuqishëm për të mbushur rrugët për të protestuar për padrejtësitë që hasin çdo ditë. Të rinj të pashpresë po e lënë këtë vend, ku mungon siguria, meritokracia dhe drejtësia.
Ndaj, përfshirja në familjen socialiste, e cila pretendon të fitojë mandatin e saj të katërt, e një vajzë të re, me plot arritje si Marjana Koçeku, na dëshpëron. Kjo vetëm për faktin se të rinjtë, energjia, guximi dhe ambicia që sjell kjo moshë, po përpihen nga ujqërit e politikës së këtij tranzicioni politik prej 4 dekadash.
Megjithate duke shpresuar që prognoza jonë të mos realizohet, urojmë shumë që Marjana të mos bëhet kurbani i radhës i kësaj politike, pasi të rinjtë dhe të rejat si Marjana janë vlera të shtuara për shoqërinë tonë shqiptare.
© 2025 Argumentum