Kurdët në Siri kanë bërë të ditur se kanë arritur një marrëveshje me Damaskun rreth pozicionimit të trupave siriane afër kufirit me Turqinë, teksa Ankaraja ka nisur një operacion ushtarak, duke nxitur reagime të faktorit ndërkombëtar.
Ky njoftim ka ardhur pasi Shtetet e Bashkuar kanë urdhëruar tërheqjen e pothuajse të gjithë trupave nga Siria.
Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Mark Esper ka thënë se vendimi për tërheqje të 1,000 trupave amerikane ka ardhur pasi Uashingtoni ka kuptuar se Turqia do të kryejë operacion më të madh sesa ishte pritur në Siri.
Sulmet turke nga ajri dhe toka, të kryera kryesisht nga luftëtarë të rrjeteve siriane, kanë vrarë dhjetëra civilë dhe luftëtarë prej kur ato kanë nisur ditën e mërkurë.
Luftëtarët kurdë kanë thënë se ndihen të tradhtuar nga Shtetet e Bashkuara, të cilat kanë bashkëpunuar me pjesëtarë kurdë në mposhtjen e grupit militant, Shteti Islamik, derisa tani po përballen të vetëm me forcat turke.
Kurdët e kanë konsideruar marrëveshjen me qeverinë siriane si të nevojshme për të ndaluar sulmet turke.
“Në mënyrë që të parandalojmë agresionin, është arritur marrëveshje me Qeverinë Siriane, në mënyrë që ushtria siriane të angazhojë trupat e saj në kufirin siriano-turk, për t’iu ndihmuar Forcave Demokratike Siriane”, është thënë në një deklaratë të administratës kurde.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka thënë se qëllimi i operacionit luftarak ka qenë krijimi i një “zone të sigurt”.
Vëzhguesi Sirian për të Drejtat e Njeriut, që monitoron situatën në Siri dhe ka bazën në Londër ka thënë se të paktën 26 civilë janë vrarë vetëm ditën e diel./rel