Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u ndal gjatë mbledhjes së fundit të Qeverisë dhe tek situata e tensionuar në veri të Kosovës.
Në fjalën e tij Kurti deklaroi i vendosur se institucionet e Kosovës nuk do të bashkëpunojnë me kriminelët në Veri të cilët kanë bllokuar lëvizjen e lirë të mallrave dhe të njerëzve.
Ai nënvizoi se institucionet ligjzbatuese do të arrestojnë personat e inkriminuar që kanë vendosur barrikadat.
“Institucionet e Kosovës nuk do të bisedojnë e bashkëpunojnë me kriminelët por do t’i arrestojnë ata. Vendosja e barrikadave është veprim i paligjshëm dhe i papranueshëm dhe nuk do të tolerohet”, u shpreh Kurti.
Ai nënvizoi gjithashtu se koha e dhënë ndaj KFOR-it për të vepruar po shteron me shpejtësi dhe lëvizja e lirë duhet të rikthehet sërish.
“I kemi dhënë kohën dhe hapësirën e nevojshme KFOR-it për të vepruar, por kjo kohë po shteron me shpejtësi. Ne kemi bashkëpunim dhe bashkërendim me KFOR-in dhe kjo kohë dhe hapësirë e nevojshme i është dhënë KFOR-it, por një gjë duhet të kuptohet se nuk mund të qëndroj edhe parimi i lëvizjes së lirë dhe barrikadat në rrugë që e pengojnë lëvizjen e lirë”, tha Kurti.