Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti priti në takim komandantin e KFOR-it, Angelo Michele Ristuccia dhe shefin e EULEX-it, Lars Gunnar Wigemark me të cilin diskutuan për situatën e fundit në veriun e Kosovës. Nga ky takim, sipas njoftimit të qeverisë, “ka dalë konstatimi i përbashkët se liria e lëvizjes duhet të rivendoset dhe se nuk duhet të ketë barrikada në asnjë rrugë”.
Në takimin e përbashkët ishte i pranishëm edhe zëvendëskryeministri Besnik Bislimi dhe ministri i Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, ndërsa është diskutuar edhe për bashkëpunimin e afërt ndërmjet Qeverisë së Kosovës, forcave paqeruajtëse të NATO-s në Kosovë (KFOR) dhe misionit EULEX, përbrenda mandateve që kanë.
Temë boshte, sipas qeverisë në takim, ishin veprimet e strukturave kriminale në veri të Republikës së Kosovës, që cenojnë rëndë sigurinë në vend dhe rivendosja e lirisë së lëvizjes në veri.
“Gjatë takimit u pajtuan për vazhdimin e bashkëpunimit të ngushtë ndërinstitucional dhe bashkërendimin e veprimeve, në shërbim të paqes dhe sigurisë për të gjithë qytetarët e Republikës së Kosovës, që është qëllim dhe prioritet i përbashkët i institucioneve të Republikës së Kosovës, KFOR-it dhe EULEX-it”, thuhet në komunikatën e Qeverisë.
Sipas ekzekutivit, në takim është theksuar profesionalizmi, maturia dhe guximi i dëshmuar i Policisë së Kosovës, në ruajtje të sigurisë dhe rendit publik në mbarë territorin e Republikës së Kosovës.
Ndryshe, takimi i kryeministrit Kurti me komandantin e KFOR-it ishte paralajmëruar edhe në konferencën e të shtunës.
“Meqë sonte është Krishtlindja, ne duhet të kemi shumë shpejt pas saj një takim me komandantin e KFOR-it dhe unë si kryeministër, e në të cilën besoj që të sqarojmë gjithçka por, kjo nuk mund të tolerohet pafundësisht. Nga ai takim të cilin presim që ta kemi me komandantin e KFOR menjëherë pas Krishtlindjes besoj që do të sqarohet gjithçka dhe mund të ju japim përgjigje”, kishte thënë Kurti të shtunën./RTK