Kompani austriake nga fusha të ndryshme si infrastrukturës së cilësisë, inovacionit, ndërmarrësisë, digjitalizimit dhe edukimit profesional do të zhvillojnë takime me kompani nga Kosova për të parë mundësitë e investimeve në vend.
Për këtë çështje, të enjten u organizua Forumi Ekonomik Kosovë-Austri në Prishtinë, ku u bënë bashkë 15 kompani nga Austria, me kompani nga Kosova të sektorëve të ndryshëm, me qëllim promovimin e biznesit dhe nxitjen e investimeve të mëtejshme direkte nga kompanitë austriake në Kosovë.
Në këtë forum ku morën pjesë përfaqësues të institucioneve të vendit dhe atyre austriake, me një fjalë rasti bizneseve austriake iu drejtua kryeministri i Kosovës, Albin Kurti.
Kurti para bizneseve austriake tha se investimi në Kosovë do të jetë sukses për ta dhe se nëse deri më tani bizneset kanë qenë hezitues për investim në Kosovë, shumë prej faktorëve kanë ndryshuar dhe Kosova është bërë “mjedis shumë më miqësor për bërje të biznesit”.
Këtu, ai ftoi kompanitë dhe qeverinë austriake që të bashkëngjiten në projekte infrastrukturore që përfshijnë edhe hekurudhat, sikurse ajo Prizren-Durrës, faza e projektimit të së cilës pritet të fillojë në vitin 2023.
“Siç e dini duam të ndërtojmë hekurudhën Prizren-Durrës dhe na duhet ekspertizë teknike sikurse ajo e Karl Gegës (inxhinier shqiptar në Austri) dhe pse jo edhe ta emërtojmë linjën hekurudhore me emrin e tij. Kushdo që nuk e di se si të investojë në Kosovë, mund t’ju them se këtu do ta keni një pasqyre të qartë të bërjes biznes. Sipas raporteve ndërkombëtare Kosova është një prej vendeve më të mira për bërje të biznesit dhe vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka rritur renditjen e saj në zhvillim demokratik”, theksoi Kurti.
Ai tha se aktualisht në Kosovë zhvillimi ekonomik sipas raporteve ndërkombëtare është i lartë dhe vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor që ka rritur pikët në zhvillimin demokratik.
Ministrja e Çështjeve Digjitale dhe Ekonomike e Austrisë, Margarete Schrambock, nëpërmjet një video-adresimi që u emetua gjatë forumit, ka thënë se forumi është i rëndësishëm për të dyja shtetet, Kosovën dhe Austrinë.
Schrambock tha se forumet e tilla janë “bazë për momentume të reja” në punën e përbashkët në anën politike dhe atë ekonomike.
Ajo tha se çështjet digjitale, për të si ministre e Çështjeve Digjitale dhe Ekonomisë, janë me rëndësi të veçantë sepse u shërben gjeneratave të ardhshme.
“Duhet t’i kemi të vendosura kornizat e duhura në mënyrë që gjeneratat e ardhshme të mund të jetojnë në mjedis më të mirë se ai në të cilin jetojmë ne sot”, tha Schrambock, e cila shtoi se lufta në Ukrainë dhe pandemia e COVID-19 e ka bërë shumë të rëndësishëm bashkëpunimin midis shteteve.
Ky forum vjen si pjesë e programit për shtrirje të gjerë nga ana e Austrisë me qëllim mbështetjen e bizneseve jashtë vendit me fokus zhvillimin dhe rikuperimin e kompanive pas pandemisë së COVID-19. Austria është investitori i katërt më i madh në Kosovë.