Austria kërkon që vendet e Ballkanit Perëndimor të jenë të gatshme të plotësojnë të gjitha kriteret e kërkuara nga ana e Bashkimit Evropian. Këtë çështje e ka vënë në dukej kancelari në detyrë i Austrisë, Sebastian Kurz.
Edhe pse Austria është fokusuar tek situata e saj politike e brendshme, ecuria e ngjarjeve në Ballkanin Perëndimor përbën një moment tepër të rëndësishëm për të. Kjo për faktin se Austria ka edhe kryesimin e procesit të menaxhimit të flukseve të emigrantëve të cilët vijnë nga rajoni i Lindjes së Mesme. Bashkëpunimi i Austrisë për këtë çështje me vendet e Ballkanit Perëndimor është jetike.
Gjatë intervistës së dhënë për mediat e pranishme në Vjenë, Sebastian Kurz mbrojti një “perspektivë të qartë të qasjes për të gjitha vendet e Ballkanit Perëndimor”, natyrisht me kushtin për përmbushjen e kritereve duke zbatuar reformat. “Thelbësore për përparimin e mëtejshëm janë reformat që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë vetë. Kjo varet nga sa shpejt do të ndiqet anëtarësimi i anëtarëve të rinj”, tha Kurz. Kruz vuri në dukje se kriteret, të cilat tashmë janë bërë publike nga ana e Bashkimit Evropian, e vë theksin tek implementimi i reformës në drejtësi, rregullimi i të gjitha marrëdhënieve bilaterale në rajon, në të cilën përfshihet edhe dialogu midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe respektimi i të gjitha të drejtave të pakicave etnike në rajonin e Ballkanit Perëndimor.
Roli i Ursula von der Leyen
Presidentja e re e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, është parë si një lidere e cila ka një qasje tepër pozitive ndaj vendeve të Ballkanit Perëndimor. Këtë fakt e ka theksuar edhe Kancelrai i Austrisë Sebastian Kurz, i cili është optimist se vendet e Ballkanit Perëndimor, do të afrohen më shumë me Bashkimin Evropian nën presidencën e re të Bashkimit Evropian. Por të gjitha këto, sipas tij, do të varen nga ecuria e zbatimit të reformave që këto vende do të realizojnë. Kurz i cili parashikohet që do të fitojë zgjedhjet e 29 shtatorit në Austri tha se, “Komisioni i ri Evropian, i udhëhequr nga Ursula von der Leyen, do të zhvillojë “negociata intensive të pranimit me Serbinë dhe Mali i Zi, në mënyrë që të ecin përpara me zgjerimin e Unionit sa më shpejt që të jetë e mundur.
Thelbësore për përparimin e mëtejshëm janë reformat që vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të zbatojnë vetë”. Ai kujtoi se kur të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, Serbia duhet të tërhiqet nga të gjitha marrëveshjet e tjera bilaterale të tregtisë që ka me Rusinë dhe vendet euroaziatike. “Serbia nuk duhet të heqë dorë nga 63 për qind e tregtisë së saj të jashtme me Bashkimin Evropian, si dhe duhet të menaxhojë 10 për qind të tregtisë me Rusinë”, shpjegoi Kurz. Ai beson se kreu i shtetit aktual serb mund të vazhdojë të fillojë procesin e reformës, duke theksuar se, “Unë jam i bindur që presidenti serb Aleksandar Vuçiç do të vazhdojë me forcë të kryejë reformat e nevojshme për të arritur sa më shpejt pranimin e Serbisë në Bashkimin Evropian”.
Mbrojtja e pakicave në Ballkanin Perëndimor
I pyetur në lidhje me vështirësitë e shpeshta midis Serbisë dhe vendeve anëtare të Bashkimit Evropian në mbrojtjen e pakicës serbe dhe mundësinë e bllokimit të Zagrebit të rrugës së Beogradit për në Bashkimin Evropian, Kurz tha se nuk dëshiron të spekulojë për çështje hipotetike. “Deri më tani, Kroacia ka mbështetur procesin e pranimit të Serbisë, dhe unë nuk kam asnjë arsye të besoj se ajo do të ndryshojë. Sa i përket mbrojtjes së pakicave, natyrisht që kjo është një çështje me rëndësi të madhe për të gjithë anëtarët e Këshillit Evropian dhe Bashkimin Evropian”, tha Kurz. Ai tha se Austria, së bashku me Hungarinë dhe vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian që kujdesen për Ballkanin Perëndimor, do të mbështesin vendet e rajonit.
Dialogu Kosovë-Serbi
Një çështje tepër delikate për vendet e Ballkanit Perëndimor është edhe procesi i dialogut midis Kosovës dhe Serbisë. Sebastian Kurz tha të hënën, se Vjena do të mbështesë të gjitha zgjidhjet e dakorduara nga Beogradi dhe Prishtina, përfshirë rregullimin e mundshëm të kufijve. Kurz u shpreh se: “Pozicioni ynë është i qartë: ne mbështesim gjithçka për të cilat palët bien dakord, si dhe rregullimet e mundshme të kufijve, nëse kjo përfundimisht çon në një zgjidhje gjithëpërfshirëse që do të sillte më shumë stabilitet. Qëllimi duhet të jetë zgjidhja e të gjitha çështjeve të pazgjidhura me marrëveshje dhe dialog”.
Duke treguar rëndësinë e dialogut Beograd-Prishtinë dhe kthimit të të dy palëve në tryezën e bisedimeve, Kurz theksoi se procesi i integrimit europian gjithashtu varet nga zgjidhja që vetë palët do të mund të realizojnë. “Një dinamikë e re është e nevojshme sepse një zgjidhje dialogu është një parakusht për pranimin e mëvonshëm në Bashkimin Evropian”, tha Kurz. I pyetur nëse Bashkimi Evropian kishte fuqinë për të zgjidhur çështjen e Kosovës dhe nëse ajo kishte një ndikim në Prishtinë, vendi i cili injoroi thirrjet nga Brukseli për të hequr tarifat për mallrat nga Serbia, kancelari austriak tha, se “Bashkimi Evropian kishte mundësi të ndryshme. Bashkimi Evropian e bën atë gjatë gjithë kohës, por në fund të fundit, gjithçka varet nga Beogradi dhe Prishtina, të cilat kanë nevojë për “një dëshirë të mjaftueshme politike për të bërë kompromis”, tha ai.
Matthew Palmer
Një vëmendje të veçantë për Austrinë ka edhe ardhja e Matthew Palmer si i dërguari special për rajonin e Ballkanit Perëndimor. Sebastian Kurz përshëndeti emërimin e Matthew Palmer si të Dërguarin Special të Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin, pasi SHBA dhe Bashkimi Evropian mund të “punojnë së bashku” për të arritur arritje politike në Ballkan. Sebastian Kurz u shpreh se: “Shpresoj që Matthew Palmer do të jetë në gjendje të kontribuojë në gjetjen e një zgjidhjeje. Jam i bindur se Bashkimi Evropian do të punojë ngushtë me të”. Matthew Palmer ka ardhur me qëllime të qarta në Ballkan. Synimi i tij kryesor është stabilizimi i Bosnje-Hercegovinës, zgjidhja e dialogut midis Kosovës dhe Serbisë, si dhe përgatitja e Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut për tu afruar me Bashkimin Evropian/Shekulli.