Akti Normativ i qeverisë që hyri sot në fuqi parashikon gjoba nga 100 mijë lekë për shitjen me pakicë në 5 milionë lekë për shitjen me shumicë për këdo që abuzon me çmimet.
Kryeministri Edi Rama informoi sot mbi disa prej masave që sanksionohen në Aktin Normativ, i cili ka forcën e ligjit deri në daljen nga situata e krijuar nga koronavirusi.
“Rritja abuzive e çmimit të shitjes të të gjitha mallrave dhe produkteve ushqimore, barnave, pajisjeve mjekësore dhe shërbimeve, në krahasim me çmimin e tyre në shitje të rregullt të tregtuar në muajt paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij Akti Normativ dhe për produktet sezonale, sipas çmimit të tregtuar në të njëjtën periudhë kohore të vitit paraardhës nga data e hyrjes në fuqi të këtij akti normativ, kur nuk vjen si pasojë e çmimit nga importi i tyre, dënohet me gjobën 5 milionë lekë për shitjen me shumicë dhe 100 mijë lekë për shitjen me pakicë”, tha Rama.