Më në fund, pas një odiseje takimesh të liderave të 28 vendeve antare të BE-së ose të Këshillit siç njihet, u zgjidh enigma e pesëshes më të lartë të re drejtuese të BE-së.
Me goxha probleme, mosmarëveshje dhe dyshime, madje dhe kundërshtime brenda për brenda vendeve, sidomos në Gjermani dhe ndërmjet Këshillit dhe Parlamentit Evropian; ky i fundit do të japë « OK » për « Top Jobs » të BE-së në ditët e ardhëshme. Por, nisur nga roli dhe pesha e liderëve të këtyre shteteve dhe forcave politike që ata drejtojnë dhe në Parlamentin Evropian, tanimë Pokeri politik evropian mund të quhet i mbyllur.
Humbësi më i madh është padyshim kandidati kryesor ( spitzenkandidat) i Grupit të Partive Popullore, gjermanit Manfred Weber; ky i fundit hasi qysh në fillim në kundërshtimin kategorik të Presidentit francez Macron. Në një masë të madhe e justifikuar për shkak të mungesës së përvojës së Weber në qeverisjen lokale, kombëtare dhe evropiane, ku nuk ka patur asnjë post shtetëror, veç atij partiak në Europarlament. E ndodhur përballë këtij kundërshtimi, ashtu siç kishim paralajmëruar në një shkrim të mëparshëm, Kancelarja Merkel u « dorzua » shumë shpejt.
Humbësi tjetër i madh i atij pokeri politik është legjitimiteti demokratik evropian aq shumë i trumpetuar; kjo pasi asnjë nga kandidatët e tjerë kryesorë nuk u kualifikua në postin e lartë për të cilin bënë fushatë me javë të tëra dhe u njohën në opinionin publik. Sidomos mosemërimi i zv.Presidentit aktual të Komisionit Evropian, socialisti holandez Franz Timmermans, autoritet dhe poliglot me shtatë gjuhë të huaja, ish shefi i diplomacisë holandeze. Atë e kundërshtuan me vendosmëri liderët e vendeve të Visegradit dhe Italisë, për shkak të procedurave ndëshkuese që Timmermans ka ndërmarë ndaj tyre për disa shkelje në fushën e shtetit të së drejtës dhe lirive themelore. Gjithsesi, ai do të vijojë të jetë zv.president i Komisionit Evropian.
Po fituesi më i madh i këtij procesi, cili është? Ndryshe nga herët e tjera kur në pah ka dalë Gjermania, këtë radhë fitorja shkoi në kampin e Francës dhe Presidentit të saj Macron. Kjo falë dhe guximit, rezistencës, vizionit dhe talentit të tij për kompromise. Por dhe sepse Merkel është në perëndim të pushtetit të vet, sidomos dhe pas dy incidenteve shëndetësore të ditëve të fundit. Lind pyetja, po përse është Macron fituesi më i madh ? Le ta shohim konkretisht bilancin e tij një për një nga këndvështrimi i realpolitikës.
E fillojmë nga Presidentja e re e Komisionit Evropian, gjermania 60 vjeçare Ursula von der Leylen, besnike e Kancelares Merkel. Ajo do të jetë e dyta gjermane në këtë post pas Walter Hallstein këtu e 60 vjet më parë. Pikërisht te zgjedhja e saj qëndron intuita dhe zgjuarësia e Macron. Pasi kundërshtoi kandidaturën e Weber, duke u shprehur shumë pozitiv ndaj Von der Leylen ai tregoi se nuk ka asnjë paragjykim ndaj Gjernanisë për këtë funksion, më të lartin në BE. Madje ai ishte dakord që dhe vetë Merkel ta merrte atë post. E pra është hera e parë qysh atëhere që një President francez bie dakord për një gjerman në postin më të lartë të BE-së. Si pasojë e mosdakordësisë së tyre, ata kanë bërë kompromis duke emëruar kryeministra të vendeve të vogla si Luksemburgu dy herë dhe Portugalia.
Ndaj, Macron fitoi shumë pikë me këtë kanditature edhe pse të diskutueshme në Gjermani për shkak të performancës së saj në krye të Ministrisë së Mbrojtjes në gjashtë vitet e fundit. Ndërkohë, von der Leylen do të jetë gruaja e parë në krye të Komisionit; madje nënë shembullore e shtatë fëmijve, ish ministre e Punës dhe dhe Familjes, etj. Për Macron është plus jo i vogël që ajo është dhe frangofone me një frëngjishte të rrjedhshme. Kjo u pa qartë disa ditë më parë në komunikimin e tyre të lirshëm gjatë ceremonjisë së nënshkrimit të një marrëveshjeje mbi bashkëpunimin ushtarak franko – gjerman.
Dhe më i afërt me Francën dhe Macron është Presidenti i ri i Këshillit Evropian, 43 vjeçari Charles Michel, kryeministër i Belgjikës dhe lider i Liberalëve belgë, parti motër e « Republique en marche » të Macron. Të dy kanë kohë që kanë vendosur marrëdhënie të veçanta miqësie dhe bashkëpunimi. Macron është shrehur disa herë dhe me të drejtë me vlerësimet më të larta për frymën evropiane dhe cilësitë e tjera të lidershipit të Charles Michel. Ndaj ky i fundit ishte dhe mbeti i preferuari dhe i piketuari i parë dhe i vetëm për Macron.
Pasi siguroi dy postet politike dhe ekonomiko-teknike më të rëndësishme, për Macron ishte fare e lehtë që në krye të Bankës Qendrore Evropiane të caktohej pa kurfarë rezerve dhe kundërshtimi nga të tjerët bashkëatdhetarja e tij e famshme, 63 vjeçarja Christine Lagarde, shefe e FMN-së, ish ministre e Financave të Francës.
Përsa i përket Përfaqësuesit të ri të Politikës së Jashtme dhe të Sigurissë, spanjollit 72 vjeçar Josep Borrell, socialist, ky është disi i largët për Macron dhe për vetë moshën e tij. Por kjo nuk përbën shqetësim, pasi me tre postet e para Macron e ka « betonuar » pozicionin dhe ndikimin e vet në BE. Pastaj, Borrel l do të jetë në çdo rast nën hyqmin e te të parëve, pa bërë gabimet e Mogherinit.
Dhe më pak rëndësi ka Presidenti i ri i Parlamentit Evropian që mund të ndahet në dy mandate, me Manfred Weber. Kjo sepse veç anës morale dhe protokollare , ai nuk ka asgjë në dorë përballë « të mëdhenjve » të tjerë të përmendur më lart.
Ja pse Franca dhe Macron janë fituesit e padiskutueshëm të « pokerit » evropian dhe kanë të drejtë të gëzohen me këtë ekip të ri drejtues ; sepse ai duket se u shkon shumë pas midesë dhe gustos së tyre politike. Vështirë që Franca dhe Presidenti i saj të kenë patur një ekip të tillë të favorshëm për planet dhe projektet e tyre evropiane, me përjashtim të mesviteve 80, kur në krye të Komisionit Evropian ishte emblematiku Jacques Delors, mungesa e të cilit do të vazhdojë të ndihet. Macron tregoi dhe njëherë e ka cilësi dhe aftësi të mëdha krijuese dhe bindëse jo vetëm në terrenin praktik elektoral por dhe në tryezat e politikës dhe diplomacisë evropiane e më gjerë.
Së fundi, ndonëse të tre këta liderë janë mbështetës të procesit të çeljes së negociatave, roli, ndikimi dhe qasja skeptike e Presidentit Macron por dhe e liderëve të disa vendeve të tjera nuk është se jep shpresa të mëdha për çeljen e tyre dhe për çështjen e Kosovës. Por kjo do të bëhet e njohur më vonë. Gjithsesi, kryesorja mbetet vetë puna dhe performanca jonë, sidomos zgjidhja e sa më shpejt e krizës së rëndë politike dhe institucionale. Koha deri në Tetor për të dhënë të paktën sinjale dhe mesazhe premtuese dhe pozitive nga politika jonë, shumica dhe opozita është mëse e mjaftueshme.
Ekskluzivisht për Argumentum.al
© Argumentum