Në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kandidati që siguron më shumë vota, pa marrë parasysh vendin se ku është i renditur në listën e partisë ka të drejtë të marrë mandatin e deputetit.
Ky është vendimi, që ka marrë sot Gjykata Kushtetuese, e cila ka shfuqizuar pikën 3 të nenit 163 të Kodit Zgjedhor, i cili flet për herësin, ndërsa me këtë lëvizje bëhet e mundur të garantohet modeli i listave të hapura.
Neni përkatës parashikonte se kandidatët, të cilët ishin në listën e sigurt të kryetarit të partisë mund të rrezikonin vendin në parlament vetëm në rastin kur kandidatët e renditur më poshtë siguronin 10 mijë vota preferenciale.
Në zgjedhjet e 25 prillit, qytetarët shqiptarë kishin mundësi të zgjidhnin partinë dhe njërin nga kandidatët të listuar në garë.
Gjykata Kushtetues mori këtë vendim pas padisë së bërë nga partia Bindja Demokratike dhe Lëvizja Demokratike Shqiptare, të cilat pretendonin se neni 163 i Kodit zgjedhor binte ndesh me Kushtetutën.
Në zgjedhjet e 25 prillit herësin arritën ta thyenin kandidatët Fatmir Xhafa dhe Ornaldo Rakipi nga Partia Socialiste dhe Luçiano Boçi nga Partia Demokratike.
Pas fjalës së Gjykatës Kushtetuese, në zgjedhjet e ardhshme parlamentare kandidatët do të garojnë me lista të hapura dhe nuk do kenë më “presionin” e renditjes në listën e partisë, pasi ai që merr më shumë vota ka të drejtë ligjore të shkojë në Parlament.