Pas reformës territoriale dhe reformës në drejtësi, Kuvendi i Shqipërisë është para një tjetër momenti historik për të finalizuar një tjetër reformë të rëndësishme, siç është ndryshimi i ligjit zgjedhor, për t’u mundësuar emigrantëve të drejtën e votimit si dhe për t’u dhënë fund komisionerëve partiakë.
Formimi dhe konsolidimi i opozitës së re, pas aktit ekstrem të PD-LSI për të dalë nga sistemi Kushtetues, Kuvendi i Shqipërisë ka 99 vota, të mjaftueshme jo vetëm për miratimin e reformës zgjedhore (84 vota), por edhe për ndryshimin e Kushtetutës (94 vota) si dhe për zgjedhjen e presidentit që në raundin e parë, gjithnjë nëse Ilir Meta do të japë dorëheqjen sikundër ka paralajmëruar.
Votën e opozitës së re në Kuvendin e Shqipërisë e presin edhe disa nisma të tjera të rëndësishme, për votimin e të cilave duhen 84 vota.
Që në datën 22 qershor 2018, deputeti social Pjerin Ndreu ka depozituar në Kuvend një projektligj për ndryshimin e Kodit Rrugor, i cili kërkon 84 vota.
Nisma parashikon heqjen e pezullimit të patentës për emigrantët nëse paguajnë menjëherë dyfishin e gjobës. Ky propozim adreson një problematikë të emigrantëve shqiptarë, shqiptarëve të Kosovës dhe të huajve, të cilët humbasin shumë kohë nëpër hallkat institucioneve pasi u pezullohet patenta.
Një tjetër nismë që pret votën e opozitës së re është projektligji i për ndryshimin e Kodit Penal, i propozuar nga 37 mijë zgjedhës që në 6 qershor 2017.
Një nga nismëtarët kryesorë të këtij projektligji është kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Nisma parashikon kriminalizimin çdo forme dhune ndaj kafshëve.
Projektligji i depozituar në Kuvend parashikon 18 veprime kundër kafshëve, të cilat do të dënohen me burg. Do të dënohen me burgim personat që vrasin kafshët, i plagosin, i braktisin, u shkaktojnë vuajtje, i detyrojnë të bëjnë punë jashtë karakteristikave të tyre etj.
Gjithashtu, në sirtarët e Kuvendit qëndron edhe një projektligj për ndryshimin e Kodit Ajror.
Vota e opozitës së re është përcaktuese edhe për miratimin e projektligjit për shtetësinë. Nisma e hartuar nga qeveria hap rrugën për marrjen e shtetësisë shqiptare për të gjithë pjesën e popullit shqiptar që jeton jashtë kufijve të Shqipërisë, për shkak të emigrimit të hershëm apo të vonshëm, me kushtin që personat të kenë ruajtur lidhje gjuhësore, kulturore dhe të traditës me Shqipërinë. Nisma ndryshon kushtet, rregullat dhe procedurat për fitimin, rifitimin dhe heqjen dorë nga shtetësia shqiptare.
Mazhoranca do të rikthejë në parlament për votim edhe nismën e amnistisë për të burgosurit, e cila mbeti e pa miratuar vitin e kaluar për shkak se opozita bojkotoi Kuvendin.
Kuvendi mund të ndryshojë edhe ligjin për ligj Nr. 95/2016 “për organizimin dhe funksionimin e institucioneve për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar”, i njohur ndryshe ligji për SPAK-un.
Balanca e numrave në Kuvend
-79 deputetë të maxhorancës
-3 deputetë të opozitës që nuk dogjën mandatin Rudina Hajdari, Myslim Murrizi, Lefter Koka
-14 deputetë të rinj janë betuar në tre seancat e fundi
-3 kandidatë dorëzuan sot formularin e vetëdeklarimit, Ambra Borova, Arben Elezi dhe Adriatik Alimadhi.