Kuvendi i Kosovës e ka miratuar rezolutën me anë të së cilës dënon sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit, që ndodhi të dielën, e ku mbeti i vrarë rreshteri i policisë, Afrim Bunjaku.
Kryetari i Kuvendit Glauk Kojufca e ka paraqitur përmbajtjen e Rezolutës para deputetëve, të cilët më pas e votuan me unanimitet .
“Kjo rezolutë dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës”, thuhet ndër të tjera në rezolutën e miratuar.
Përmbajtja e plotë e Rezolutës:
– Duke marrë për bazë gjendjen e sigurisë nëpër të cilën po kalon vendi pas sulmit terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë ndaj sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës;
– Duke vlerësuar rëndësinë e ruajtjes dhe mbrojtjes së sovranitetit shtetëror dhe intergritetit territorial të Republikës së Kosovës si dhe përcaktimin dhe angazhimin shtetëror për t’i kontribuuar paqes dhe stabilitetit në rajon;
– Të vendosur që Republika e Kosovës të jetë vend i lirë, demokratik, paqedashës dhe atdhe i qytetarëve të saj, të cilëve ju garantohen të drejtat, liritë dhe barazia para ligjit;
– Të përkushtuar për të luftuar dhe parandaluar me mjete kushtetuese dhe ligjore çfarëdo veprimi dhe përpjekje për të cënuar, rrezikuar apo sulmuar rendin kushtetutes të Republikës së Kosovës;
Kuvendi i Republikës së Kosovës
1.DËNON me termat më të ashpër sulmin terrorist të organizuar nga Republika e Serbisë mbi Policinë e Kosovës më datën 24 shtator 2023, si dhe kërkon nga faktori ndërkombëtar që të ushtroj ndikimin e tij për ta ballafaquar Serbinë me rolin e saj në raport me organizimin dhe mbështetjen e çdo llojshme që i ka bërë grupit terrorist për sulmin në veri të Republikës së Kosovës;
2.VLERËSON punën, angazhimin dhe rezultetet e jashtëzakonshme të institucioneve të sigurisë së Republikës së Kosovës dhe të institucioneve partnere ndërkombëtare të sigurisë (Eulex dhe KFOR), në aksionin e përbashkët për të smbrapsur dhe asgjësuar sulmet terroriste të organizuara nga Serbia në veri të vendit;
3.OFRON mbështetjen e plotë dhe të parezervë për Policinë e Kosovës në ushtrimin e përgjegjësisë për ruajtjen e rendit dhe sigurisë publike në tërë territorin e Republikës së Kosovës.
4.KËRKON nga të gjitha institucionet e Republikës së Kosovës që të vazhdojnë punën e përbashkët për integrimin e plotë dhe bashkëjetesën mes të gjitha komuniteteve pa dallim që jetojnë në Republikën e Kosovës;
5.INKURAJON dhe MBËSHTET pluralizimin politik në radhët e komunitetit serb në Kosovë, zhvillimi i të cilit mundëson progresin demokratik dhe rrit transparencën e llogaridhënien para këtij komuniteti dhe jetëson promovimin e interesave reale të tij në Republikën e Kosovës.
6.KËRKON nga Qeveria e Republikës së Kosovës që të bashkëpunoj me aleatët ndërkombëtarë, veçanërisht me SHBA-të, për të fuqizuar Shtetin e së Drejtës dhe vlerat e përmbashkëta euro-atlantike;
7.KONSTATON nevojën për hetim ndërkombëtar ndaj Republikës së Serbisë lidhur me organizimin e aktiviteteve terroriste dhe vazhdimin e ekzistencës së kampeve stërvitore të grupeve terroriste në territorin e Serbisë;
Kurti: Për aktin terrorist, Serbia të sanksionohet ndërkombëtarisht
(E plotësuar, 12:45) Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, në seancën e Kuvendit, foli për ngjarjen që ndodhi në Banjskë të Zveçanit në mëngjesin e së dielës, ku nga sulmi terrorist nga një grup kriminelësh serbë ra në krye të detyrës pjesëtari i Policisë së Kosovës, rreshteri Afrim Bunjaku, për të cilin kryeministri Kurti tha se vrasja e tij u shndërrua në angazhim më të shtuar në luftimin kundër bandave kriminale e terroriste dhe në fitore të betejës nga Policia e Kosovës.
“Afrim Bunjaku është heroi më i ri i Kosovës, i cili u vra në pritë nga terroristët serbë dhe me të zbardhur drita ata e panë se nuk kanë kurrfarë shanse me Policinë e Kosovës. Ata u vranë, u arrestuan, ose po ndiqen, sepse janë në ikje”, tha kryeministri Kurti.
Ai, ngjarjen e së dielës, në Banjskë të Zveçanit, e vlerësoi si sulm terrorist e kriminal, i cili cenoi integritetin territorial, sovranitetin shtetëror dhe sigurinë tonë kombëtare.
“Sulmuesit të cilët arritën të ikin duhet të ekstradohen të dorëzohen në organet e Republikës së Kosovës. Organizatat Mbrojtja Civile dhe Brigada Veriore, duhet të shpallen organizata terroriste edhe nga shtetet tona mike, partnere, aleate”, tha më tej, Kurti.
Ai më tutje u shpreh se për këtë akt terrorist, Serbia duhet të ndëshkohet e sanksionohet ndërkombëtarisht, derisa paralajmëroi se nëse kalon e pandëshkuar, atëherë ajo do ta përsërisë krimin.
Ndërkaq, kryeparlmentari Glauk Konjufca, pas mbarimit të fjalimit të kryeministrit Kurti, ftoi grupet parlamentare që, së bashku, të përfshijnë të gjitha pikat që i konsiderojnë që të jenë pjesë e kësaj rezolute dhe pastaj të hedhet në votim./RTK