Kuvendi miratoi me 77 me vota pro, në seancën e sotme plenare, projektligjin “Për ratifikimin e protokollit, ndërmjet Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe qeverisë së Republikës Italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit”.
Votimit pro iu bashkuan përveç deputetëve socialistë, edhe deputetët e PDIU.
Në një prononcim për median kryetarja e grupit të PDIU-së Mesila Dode argumentoi pse deputetët e Partisë për Drejtësi Integrim dhe Unitet bashkuan votat me mazhorancën
“Italia një shtet mik, e kemi pasur në krah dhe duhet ti jemi në krah” tha ajo.
E pyetur nëse ky bashkim votash do të thotë edhe afrim me socialistët në qeverisje Doda u përgjigj: ‘Bëhet fjalë për marrëveshjen me Italinë, do duhej të mbështetja nga të gjithë. Pjesa tjetër janë thjesht konkluzione të juaja”
Kryeministri Edi Rama ka reaguar menjëherë pas ratifikimit nga Parlamenti të protokollit me qeverinë italiane, për forcimin e bashkëpunimit në fushën e migracionit.
Përmes një postimi në X, ish-Twitter, Rama u shpreh se Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë duke zgjedhur të veprojë si një vend anëtar i BE-së dhe duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet të përballojë e bashkuar si një familje e tërë përballë një sfide të guximshme që kapërcen ndarjet tradicionale të majta dhe të djathta.
“Kuvendi ratifikoi sot marrëveshjen e bashkëpunimit kundër migracionit të paligjshëm mes Shqipërisë dhe Italisë! Shqipëria po qëndron së bashku me Italinë duke zgjedhur të veprojë si një vend anëtar i BE-së dhe duke rënë dakord të ndajë një barrë që Evropa duhet ta përballojë e bashkuar si një familje e tërë, përballë një sfide të guximshme që kapërcen ndarjet tradicionale mes së majtës dhe së djathtës, duke punuar së bashku për të gjetur përgjigjet e duhura, në vend që ta përdorim këtë çështje si lëndë djegëse për grindjet e brendshme politike që vetëm sa shton ankthin mes njerëzve të kontinentit tonë të përbashkët dhe e bën të ardhmen tonë kolektive më të pasigurt”, u shpreh Rama.
Sipas tij, vetëm një Evropë më e fortë, më e guximshme dhe më sovrane, besnike ndaj vetvetes, mund ta përballojë sfidën e migracionit.
“Asnjë vend nuk mund të zgjidhë i vetëm një sfidë të tillë, asnjë retorikë apo zgjidhje e shpejtë nuk mund të ndryshojë madhësinë e saj dhe asnjë lavdi e vjetër apo mënyrë e vjetër e të menduarit nuk mund të sigurojë një shpëtim nga përballja me atë që po na vjen në të gjitha frontet”, tha ai.
Kryeministri Edi Rama dhe kryeministrja e Italisë, Giorgia Meloni nënshkruan në 6 nëntor në Romë marrëveshjen për ndërtimin në Shqipëri të një qendre për strehimin e migrantëve.
Sipas marrëveshjes qendra do të vendoset në Gjadër të Lezhës dhe do të ketë një kapacitet maksimal prej 3 mijë personash.
Marrëveshja parashikon që të gjitha shpenzimet do të përballohen nga Italia, ndërsa pala italiane do të procedojë me kërkesat për azil.
Personat të cilëve nuk do t’u miratohet procedura e azilit do të riatdhesohen drejt vendeve të tyre, sipas marrëveshjeve dypalëshe që ka pala italiane me ato vende.
Kohëzgjatja e marrëveshjes do të jetë 5 vjet.
/Argumentum.al