Kuvendi miratoi me 104 vota pro, 7 kundër dhe 3 abstenime shkarkimin e presidentit Ilir Meta.
Pas vendimit të Kuvendit, tashmë çështja e shkarkimit të Presidentit do të jetë subjekt i Gjykatës Kushtetuese, e cila ka 3 muaj kohë për t’u shprehur në lidhje me aktin e parlamentit në largim.
Kreu i Komisionit Hetimor, Alket Hyseni prezantoi para deputetëve raportin për shkarkimin e presidentit Meta, raport i cili siç tha i është dërguar edhe kreut të shtetit dhe është botuar në Fletoren Zyrtare.
Në raportin prej 96 faqesh, Komisioni Hetimor ka renditur shkeljet e rënda të Kushtetutës nga Meta.
“Nga procesi hetimor dhe arsyetimet që pasqyrohen më sipër në këtë raport rezultoi se Presidenti ka kryer një sërë shkeljesh kushtetuese, me të cilat Presidenti ka cenuar rolin dhe pozitën e tij kushtetuese si kreu i shtetit dhe përfaqësuesi i unitetit kombëtar. Aktet e Presidentit në shkelje të parimit të shtetit të së drejtës, mosrespektimi prej tij i të drejtave dhe lirive të njeriut, veprimet në kundërshtimet me politikën e përgjithshme shtetërore në marrëdhëniet me jashtë, shkeljet e parimit të ndarjes dhe balancimit të pushteteve, cenimi i pavarësisë funksionale të organeve të pavarura dhe atyre shtetërore, mungesa e respektimit të rendit juridik, qëndrimet e njëanshme apo të paekuilibruara të Presidentit, veçanërisht ato për nxitje dhune, humbja e rolit neutral të tij si kreu i shtetit, që nuk përfshihet në lojën e përditshme politike, por duhet të qëndrojë mbi palët dhe të sigurohet për funksionimin demokratik të institucioneve, janë të gjitha veprime që ia kanë humbur Presidentit atributet e kreut të shtetit dhe përfaqësuesit të unitetit të popullit”, theksohet në raport.
Në konkluzionet e raportit theksohet se “nga aktet e administruara në këtë proces hetimor dhe siç arsyetohet në këtë raport vërtetohet se për kryerjen e akteve që përbëjnë shkelje të Kushtetutës Presidenti nuk ka pasur ndonjë qëllim të justifikuar, me këto shkelje Presidenti ka cenuar të drejtat e njeriut, marrëdhëniet shoqërore, politike sensitive dhe të rëndësishme që mbrohen nga Kushtetuta, Kodi Penal dhe legjislacioni shqiptar në fuqi; Presidenti ka kryer shkeljet kushtetuese në mënyrë të përsëritur dhe aktet që përbëjnë shkelje kanë qenë konsistente, shkeljet kushtetuese të konsumuara nga Presidenti kanë pasur ndikim negativ në funksionimin e shtetit dhe në sferën sociale, politike dhe në ekonominë e vendit, sjellja e Presidentit ndaj shkeljeve kushtetuese është në kundërshtim të hapur me përgjegjshmërinë, vetëpërmbajtjen, seriozitetin, maturinë dhe korrektësinë e qëndrimeve që duhet të shfaqë një përfaqësues i lartë i shtetit, që respekton parimet e shtetit të së drejtës dhe sundimit të ligjit, të cilit Kushtetuta i ka veshur atributet e përfaqësuesit të unitetit të popullit.
Kryeministri Rama: Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir,
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Kuvend se, “Ilir Meta ka mbaruar punë me rolin që mori nga parlamenti dhe fjalët për të si President kanë mbaruar, tani të flasë parlamenti me votë”.
Në seancën plenare për votimin e raportit për shkarkimin e Presidentit, Rama tha se “Ilir Meta ka tradhtuar misionin e Presidentit të Republikës së Shqipërisë”.
Kryeministri tha se “Ilir Meta i ka humbur plotësisht dhe përfundimisht të gjitha shanset që i dhanë bujarisht në mënyrë të përsëritur për t’u kthyer në binarët e arsyes morale dhe ligjore”.
Rama tha se Shqipëria nuk mund ta mbajë më në kurriz Ilir Metën duke u bërë gazi i botës në sytë e miqve të saj dhe të vetë qytetarëve të saj.
“Prandaj ky parlament sot duhet të ushtroj pa ngurrim vullnetin e më shumë se 90 % të popullit shqiptar për ta shkarkuar Ilir Metën nga detyra. Keqardhje për mikun tonë të dikurshëm Ilir, por Meta i sotshëm nuk mund të ketë kurrësesi më statusin e lartë që i ka dhënë parlamenti”, tha Rama.
Ministri për Diasporën, Pandeli Majko e ka deklaruar votën e tij pro shkarkimit të Ilir Metës, duke theksuar se kjo vote i rendon shume.
“Ilir Meta ka shkelur Kushtetutën, ka shkelur betimin e tij. Në fillim refuzova ta nënshkruaja propozimin për shkarkim por Meta është bërë simbol i jo seriozitetit në detyrë. Unë do të votoj pro shkarkimit, një votë që më rëndon shumë por është votë për të vërtetën.