Në vigjilje të Ditës së Alfabetit të Gjuhës Shqipe, nisi sot punimet Kuvendi Kombëtar për Gjuhën Shqipe “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI”, me pjesëmarrjen e gjerë të akademikëve gjuhëtarëve, pedagogëve e mësuesve të gjuhës shqipe nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se, Dita e Alfabetit është festë e përmotshme e të gjithë shqiptarisë, e cila kremtohet edhe në Shqipëri.
Në fjalën e tij në Kuvendin Kombëtar për gjuhën shqipe, “Sfidat e Gjuhës Shqipe në shekullin XXI” Rama u shpreh se, “ky Kuvend vjen edhe si një produkt i Samitit të tretë të Diasporës që u mbajt në Tiranë në nëntorin e vitit të shkuar, ku shqipja ishte një nga temat, se s’ka si të jetë ndryshe, kryesore dhe nga ku ne dolëm së bashku me të gjithë atë komunitet me disa përfundime dhe morëm disa angazhime.
Rama gjithashtu lidhi këtë Kuvend me kujtimin e politikanit shqiptar në Maqedoninë e Veriut, Arben Xhaferrit.
“Për më tepër shtoi Rama, ma ha mendja se është ky vendi për të lidhur këtë Kuvend me kujtimin e Arben Xhaferrit, i cili sot nuk jeton më, por ishte shqiptari që pati idenë që të kërkojë që Dita e Alfabetit 22 nëntori të jetë festë kombëtare për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut dhe që prej nga ky vit është edhe festë e përmotshme e të gjithë shqiptarisë, e cila kremtohet edhe në Shqipëri”, tha Rama.
Rama shtoi se Dita e Kongresit të Manastirit është pjesë e zinxhirit të Besëlidhjeve të shqiptarëve
“Në zinxhirin e historisë sonë ka pasur disa Besëlidhje, pa diskutim i madh dhe i vogël me njëherë Besëlidhje e lidhin me Kuvendin e Lezhës, pastaj, kush është pak më shumë i interesuar për historinë e lidh me Lidhjen e Prizrenit, por unë besoj se padyshim pjesë e zinxhirit të Besëlidhjeve të shqiptarëve është edhe Dita e Kongresit të Manastirit. Dita e një Kongresi ku një grup shqiptarësh patën vizionin, patën guximin dhe patën vullnetin t’u japin shqiptarëve atëherë dhe përgjithmonë Alfabetin e tyre, në kushte në të cilat kjo nuk ishte aspak diçka e lehtë apo e diçka që do të ndodhte medoemos”, tha Rama.
“Kongresi ku At Gjergj Fishta, më katoliku i katolikëve, tha “Uluni ju burra, uluni këtu në shesh të zgjedhim një komision që të caktojë se ç’ka duhet të bajmë sot për të mirën e popullit shqiptar nesër”. Aty ku ku ortodoksi i ortodoksëve, Petro Nini Luarasi tha në kontekstin e alfabetit helen, “Ju lutem vëllezërve tanë, bashkombasve tanë myslimanë dhe katolikë, të mos vuajnë keq kur të shohin një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe po humbet dhe për qejf të klerit”. Ku Mit’hat Frashëri, arkitekti i Kongresit paraqiti vizionin e më myslimanit të myslimanëve, Hoxhës Hasan Tahsin për një alfabet të gjuhës shqipe, jo një alfabet arab, as një alfabet helen dhe aq më pak cirilik dhe të gjitha këto ishin opsione kërcënuese që peshonin mbi supet e pjesëmarrësve në atë Kongres”, tha Rama.
“Historia ka folur dhe historia ka treguar sesa e guximshme ishte vendimmarrja e atij Kongresi, për një alfabet të veçantë në gjendje për të shprehur bashkë me fjalët e veçanta dhe shpirtin dhe botëkuptimin unik të shqiptarit”, tha Rama.
Fjala e plotë e Kryeministrit Rama:
Përshëndetje të gjithëve! Në fillim fare dua që t’i falënderoj me një shprehje shumë të ndjerë të mirënjohjes të gjithë ata që u angazhuan në organizimin dhe realizimin e konkursit të madh të gjuhës shqipe. Dhe ky është një falënderim që lidhet me një ndjesi befasie për hir të së vërtetës që unë realisht përjetova nga niveli i konkursit dhe nga fakti që, duke parë të gjithë ata nxënës të konkurrojnë në këtë lëndë jo të lehtë, aq më tepër kur ata jetojnë në kushtet e një presioni të llahtarshëm kundër gjuhës shqipe, kundër drejtshkrimit të gjuhës shqipe, kundër artikulimit të kujdesshëm të gjuhës shqipe, si rezultat i rrjeteve sociale, – ju them sinqerisht se mendova që ka ende shpresë, ka ende shpresë që gjuha shqipe t’i mbijetojë barbarisë së këtij shekulli, e cila kërcënon gjerësisht gjuhët në tërësi dhe kërcënon gjerësisht vet rrënjët e njerëzimit në përgjithësi.
Në vitin 1972 dhe për ta lidhur me nxënësit unë aso kohe isha në klasën e dytë fillore, Eqerem Çabej ka publikuar një ese mbi origjinën e fjalës Shqipëri dhe për të gjithë ata që e njohin është një ese e gjatë që nis nga hartat antike të Aleksandrisë. Janë të parat që vendosin Albanoin dhe Albanopolosin e lartë në hartë dhe përfundon me Manastirin.
Por aty, në atë ese Çabej shkruan: Shqipëria ka pasur shumë emra, por gjuha ka qenë gjithmonë një. Përsa i takon emrit shqip, shqiptar, Shqipëri, Shqipni “ky emër – shkruan Çabej – mbetet me gurrë të dyshimtë. Mendime ka që të ketë dalë nga emri i shqipes duke e pasur pra shqiptarët emrin e tyre prej këtij shpendi qysh në kohën e Skënderbeut, duke e vënë në lidhje me anën tjetër këtë emërtim me fjalën e Plutarkut që Pirroja pas fitores që korri me makedonët u kremtua me epitetin shqiponjë”.
E megjithatë ne nuk kemi munguar asnjëherë që të kontestojmë deri dhe Çabejin e madh në kërkim të nxjerrjes prej të shkuarës të një lavdie që në fakt për hir të së vërtetës do të na mjaftonte që ta kërkonim dhe ta mbanim fort tek e vërteta dhe jo tek fantazitë dhe tek deliret e së sotmes.
Dhe sot ky kuvend kombëtar i gjuhës shqipe, i cili mund të duket modest në formatin e vet, por është përmbajtjesor për disa arsye të rëndësishme, në përvjetorin e 116 të ditës së miratimit të Alfabetit të shqipes në Kongresin e Manastirit lidhet edhe me një moment jashtëzakonshmit të rëndësishëm që është një moment kur shqipja bëhet faktikisht edhe përmes kësaj date të veçante një përkatësi e përbashkët e të gjithëve ne. Një përkatësi që është e jona, që askush nuk na e heq dot dhe nga askush tjetër nuk na vjen kërcënimi, përveçse nga vetvetja, lidhur me këtë përkatësi, por shumë shpejtë do të jetë dhe një gjuhë zyrtare e BE, ku në mos gjuha më e lashtë e familjes së kombeve europiane, shqipja me siguri do të rreshtohet ndër më të rrallat dhe më të veçantat e gjuhëve të BE.
E nga ana tjetër, dua të them se ky kuvend vjen dhe si produkt i Samitit të tretë të Diasporës që u mbajt në Tiranë në nëntor të vitit të shkuar, ku shqipja ishte një nga temat se s’ka si të jetë ndryshe kryesore dhe nga ku ne dolëm së bashku më të gjithë atë komunitet në disa përfundime dhe morëm disa angazhime.
Ë për më tepër ma ha mendja se është ky vendi për të lidhur këtë Kuvend edhe me kujtimin e Arbën Xhaferit, i cili sot nuk jeton më, por ishte shqiptari që pati idenë që të kërkojë që dita e Alfabetit 22 nëntori të jetë festë zyrtare për shqiptarët në Maqedoni dhe që prej nga ky vit është dhe festë e përmotshme e gjithë shqiptarisë, e cila kremtohet edhe në Shqipëri.
Në zinxhirin e historisë sonë ka pasur disa besëlidhje, pa diskutim i madh e i vogël menjëherë fjalën besëlidhje e lidh me kuvendin e Lezhës, pastaj kush është pak më shumë i interesuar për historinë e lidh me Lidhjen e Prizrenit, por unë besoj se padyshim pjesë e lidhjes së zinxhirit të shqiptarëve është edhe dita e Kongresit të Manastirit. Dita e një kongresi ku një grup shqiptarësh patën vizionin, patën guximin dhe patën vullnetin t’u japin shqiptarëve, atëherë dhe përgjithmonë alfabetin e tyre, në kushte në të cilat kjo nuk ishte aspak diçka e lehtë apo diçka që do të ndodhte medoemos, Kongresi ku At Gjergj Fishta më katoliku i katolikëve tha: “Ulnju burra, ulnju këtu në shesh të zgjedhim një komision, që të caktojë se çka duhet të bëjmë sot për të mirën e popullit shqiptar nesër”. Aty ku më ortodoksi i ortodoksëve Petro Nini Luarasi tha në kontekstin e alfabetit helen: ju lutem vëllezërve tanë, bashkombesave mysliman dhe katolik a do të mosvuajnë keq kur të shohin që një pjesë e trupit shqiptar po vuan dhe po humbet për qejf të klerit, ku Midʹhat Frashëri, arkitekti i Kongresit, paraqiti vizionit e më myslimanit të myslimanëve, hoxhës Hasan Tahsin për një alfabet të gjuhës shqipe. Jo një alfabet arab, as një alfabet helen dhe aq më pak cirilik dhe të gjitha këto ishin opsione kërcënuese që peshonin mbi supet e pjesëmarrësve në atë Kongres dhe historia ka folur dhe historia ka treguar se sa e guximshme ishte vendimmarrja e atij Kongresi për një alfabet të veçantë, në gjendje për të shprehur bashkë me fjalët e veçanta edhe shpirtin dhe botëkuptimin unik të shqiptarit dhe ishte pikërisht ai moment që e frymëzoi edhe Ndre Mjedën të shkruajë poezinë që na e mësonin atëherë përmendësh në shkolla, nuk e di sot, por që mu desh ta ri-kërkoj për ta sjellë këtu.
“Përmbi za që lshon bylbyli,
gjuha shqype m’shungullon;
përmbi er’ që jep zymbyli,
pa da zemren ma ngushllon.
Geg’ e tosk’, malsi, jallia
jan’ nji komb, m’u da, s’duron;
fund e maj’ nji a Shqypnia
e nji gjuh’ t’gjith’ na bashkon”.
Është e hatashme të përjetosh sesi delirantë dhe injorantë me damkë për të gjithë ata që vijnë nga betejat për gjuhën shqipe, për të gjithë ata që njohin rrënjët e gjuhës shqipe, për të gjithë ata që jetojnë me respektin e palëkundur për Eqerem Çabej dhe të gjitha hapat e hedhur, sot e gjithë ditën proklamojnë gjithfarë lloj tezash në ndërkohë që borxhi ynë, borxhi i të gjithëve, borxhi i institucioneve në radhë të parë, bëhet gjithmonë e më i madh dhe duket gjithmonë e më i pashlyeshëm sepse krahas këtyre zërave që do të ishin përndryshe për të qeshur nëse nuk do të jetonim këtë kohë kur barbarizmat në fjalor dhe në sintaksë nuk do të gjenin shesh për të bërë përshesh, në hapësirat e pa ana të rrjeteve sociale, na bën që të jemi të alarmuar dhe të bëjmë çmos për të rezistuar.
Fatkeqësisht, është e pamundur të jemi në sulm sepse furia e gjithë kësaj barbarie dhe gjithë kësaj injorance e të gjithë këtyre delireve është shumë e fortë. Është shumë e fortë dhe mbështetet në atë të vërtetën e thjeshtë që populli e ka thënë me dy fjalë: “kur gënjeshtra ka bërë xhiron e botës, e vërteta akoma nuk ka veshur pantallonat”, por që të rezistojmë e kemi të domosdoshme dhe edhe ky kuvend është pjesë e kësaj rezistence.
Sot mungon këtu edhe dikush tjetër, një lëvrues aq i lartë i gjuhës shqipe saqë unë besoj që cilido që mund të preket nga dyshimi më i vogël se gjuha shqipe nuk i ka të gjitha kapacitetet për t’i thënë të gjitha në njëmijë e një mënyra, mjafton që t’i referohet faqeve të shkruara prej tij, Ismail Kadareja dhe e kujtoj vazhdimisht në ato biseda që kam pasur fatin të kem me të se sa ankth kishte nga sulmet që i bëhen gjuhës shqipe dhe këtu kam sjellë një thënie të tij me vargjet e tij.
“Kur panë se gjuhës si hodhën dot prangat, lëshuan drejt saj gjithfarë merimangash. Parashtesa e pjesëza e lidhëza së prapthi, të bukurën gjuhë ta bënin lesh arapi”.
Sot më vjen shumë mirë që si pjesë e kësaj rezistence, ne mund të themi që jemi në momentin historik, besoj unë, për sa i përket gjuhës të prezantimit të fjalorit të madh të gjuhës shqipe, që më në fund, pas gjysmë shekulli, përditësohet falë punës monumentale të bërë nën kujdesin e Akademisë së Shkencave dhe me pjesëmarrjen e gjuhëtarëve, akademikëve nga Shqipëria, nga Kosova dhe nga Maqedonia e Veriut dhe nesër, në dijeninë time, do të prezantohet publikisht edhe drafti, le të themi, i këtij fjalori. Them drafti sepse fjalori do të hidhet në një konsultim shumë të gjerë publik dhe do të merren të gjitha ato opinione, të gjitha ato sugjerime, të gjitha ato vërejtje e të gjitha ato kontribute që me gjasë mund ta pasurojnë, por me siguri do ta konsolidojnë si një produkt të përbashkët të një rezistence të domosdoshme në një përpjekje ku, siç e thashë dhe më parë, ne nuk e kemi të mundur të jemi në sulm sepse jemi nën agresionin e barbarisë dhe të gjithfarëlloj injorantësh dhe delirantësh që gjejnë hapësirë falë botës së re të rrjeteve sociale, por e kemi detyrim të patjetërsueshëm që të jemi në mbrojtje dhe që të mos lejojmë që gjuha të degradojë në pikën e mos-kthimit.
Këtu, unë nuk dua të hyj në debatet e bëra lidhur me çfarë i bëri gjuhës Kongresi i Drejtshkrimit; i bëri atë që unë besoj, shërbimin më të madh historik dhe shërbimin më të madh kombëtar apo i bëri të kundërtën sepse unë besoj që nuk është fare detyra e politikës dhe nuk është misioni apo detyra e asnjë politikani që të hyjë në këtë territor dhe aq më pak pastaj të kontribuojë për të kundërtën e asaj që politika duhet të bëjë, që kujdeset për të krijuar një hapësirë sa më të gjerë dhe sa më pjellore për të gjithë ata që janë njerëzit e kësaj pune sepse patëm një orë të errët në historinë tonë bashkëkohore kur në 100 vjetorin e Pavarësisë, Kuvendi i Shqipërisë inicioi një proces për të hapur debate që vendet e tjera të civilizuara i kanë mbyllur prej shekujsh dhe pa qenë në gjendje ta mbyllë me një thënie adekuate të njërit prej 36 atdhetarëve të Manastirit, dua ta mbyll me një albanolog të huaj, Maksimilian Lamberc, i cili shkruan se, “Historia e vërtetë e njerëzimit do të shkruhet vetëm atëherë kur shqiptarët të lejohen ta shkruajnë historinë e tyre”.
Tani u bënë shumë vite që nuk na pengon askush ta shkruajmë historinë tonë, por është dikush që nuk na lë ta shkruajmë historinë tonë, që jemi ne dhe në këtë përballje me vetveten, në radhë të parë, ne po përpiqemi, siç bëmë me fjalorin, që të mbështesim dhe e kemi mbështetur Akademinë e Shkencave, për të shkruar librin e madh të historisë së shqiptarëve. Me sa jam informuar, kanë thuajse përfunduar ato volumet jo problematike, se deri tek Mesjeta merremi vesh përgjithësisht, duke përjashtuar këtu zëdhënësit e pellazgëve që janë një prurje më vete në këtë lëmë dhe duke folur për pellazgët, në fakt përpiqen të mbrojnë interesat e tyre, por tani vjen dhe pjesa e vështirë ose më e vështirë, por nuk është përsëri puna ime, nuk është puna e qeverisë të ndikojë se si do të dalë në librin e madh të historisë kjo pjesë tjetër, e cila vjen e afrohet shumë pranë të gjallëve që janë ende sot fatmirësisht në jetë dhe janë aktivë.
Me këto ndjesi dhe me këto copëza të mbledhura për këtë fjalë që jam shumë i nderuar sinqerisht ta mbaj këtu, duke përfituar nga fakti që mbaj detyrën e kryeministrit se përndryshe nuk mund të vinte kurrë radha që të mbaja një fjalim këtu edhe pse jam një dashnor i paepur i gjuhës shqipe, që nuk pretendoj dot se jam si të gjithë burrat dhe gratë me certifikatë të gjuhës, ju falënderoj shumë për durimin. Mendova se do të bëja një fjalim më të shkurtër se zakonisht, por nuk ia dola dhe dua të falënderoj përpara se të lë foltoren, me shumë respekt dhe me shumë mirënjohje, profesor Emilin dhe të gjithë kolegët e tij që janë këtu ose nuk janë të pranishëm por që janë ende gjallë dhe janë ende aktivë dhe që janë ende të paepur në radhët e rezistencës për të mbrojtur gjuhën shqipe nga barbarët.
Shumë faleminderit!