Kuvendi miratoi sot me 75 vota pro kërkesën e SPAK “Për dhënien e autorizimit nga Kuvendi për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit”.
Seanca e sotme u zhvillua sërish mes tensioneve dhe tymueseve të ndezura nga deputetët e opozitës. Në nisje të seancës ka pasur tensione mes deputetëve të opozitës të përjashtuar dhe Gardës së Republikës.
Deputetët kanë tentuar të hyjnë në seancë teksa janë ndaluar nga Garda e Republikës.
Ndërsa brenda sallës së parlamentit deputetët e opozitës kanë ngritur edhe në këtë seancë karriget mbi foltoren e Kuvendit, teksa Garda ka rrethuar vendet ku qëndron qeveria dhe kryetarja e Kuvendit.
Ndërsa jashtë sallës së Kuvendit po zhvillohej protestë e thirrur nga drejtuesi i grupimit të Rithemelimit të PD, Sali Berisha.
Pasi Kuvendi votoi për heqjen e imunitetit të tij në kuadër të kërkesës së SPAK për ta arrestuar nën akuzën e korrupsionit për aferën ‘Partizani’, Berisha tha se vendimi i marrë për të do të dështojë.
Ai tha se votimi i Kuvendit për heqjen e imunitetit të tij, do të mobilizojë opozitën në shkallën më të lartë kundër qeverisë.
“Sot narko-parlamenti në një akt antikushtetues votoi në kundërshtim me procedurë kushtetuese dhe ligjore për heqjen e imunitetit dhe arrestimin tim. Në një mënyrë apo tjetër, Parlamenti sot vazhdoi veprën që dështoi me datën 9 shtator, 2 vite më parë por nëse dështoi me 9 shtator, iu garantoj se sot do jetë më i dështuar se kurrë. Se ky vendim jo që nuk do mund të realizojë qëllimin për shkatërrimin e opozitës por do ta na mobilizojë në shkallën më të lartë dhe nën moton “o sot o kurrë” do i japë përgjigjien këtij regjimi. Parlamenti nga klandestiniteti përfundoi në parlamentin e “vrimës së miut”. Edi Rama u fut sot nga tunelet e hapura që lidhin parlamentin me zyrën e Skënder Gjinushit. Beteja vijon më e fuqishme se kurrë më parë”- tha Berisha.
Vetëm pak orë pasi miratoi me 75 vota pro Kuvendi i dërgoi SPAK-ut pranimin e kërkesës për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.
REPUBLIKA E SHQIPERISE
KUVENDI
VENDIM
Nr. 127/2023
PËR KËRKESËN E PROKURORISË SË POSAÇME KUNDËR KORRUPSIONIT DHE KRIMIT TË ORGANIZUAR, TIRANË, PËR DHËNIEN E AUTORIZIMIT PËR ARRESTIMIN/HEQJEN E LIRISË SË DEPUTETIT SALI BERISHA, NËPËRMJET ZËVENDËSIMIT TË MASËS SË SIGURIMIT
Në mbështetje të nenit 73, pika 2, të Kushtetutës, nenit 288 të Kodit të Procedurës Penale dhe neneve 118, pikat 4 dhe 5, e 55 të Rregullores së Kuvendit, me rekomandim të Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin,
KUVENDI
I REPUBLIKËS SË SHQIPËRISË
VENDOSI:
I. Pranimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Tiranë, për dhënien e autorizimit nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë për arrestimin/heqjen e lirisë së deputetit Sali Berisha, nëpërmjet zëvendësimit të masës së sigurimit.
II. Ky vendim hyn në fuqi menjëherë.
Miratuar në datën 21.12.2023
KRYETARE
Lindita NIKOLLA
/Argumentum.al