Kuvendi i Shqipërisë miraton me 77 vota pro kabinetin qeveritar dhe programin qeverisës në orët e para të mëngjesit të sotëm
Është votuar në Kuvend pas një seance maratonë që ka zgjatur 20 orë, qeveria “Rama 3” e dalë nga zgjedhjet e 25 Prillit. Seanca plenare nisi ditën e djeshme në orën 10:00 dhe përfundoi në orët e para të mëngjesit.
Megjithese në seancën maratonë pati debate mes maxhorancës dhe opozitës , duket se fjalimet e diskutimet e deputeve të pranishëm ishin vetëm për njëri-tjetrin në sallë dhe jo për masen e gjerë dhe popullin shqiptarë, pasi askush nuk mund të qëndroje zgjuar duke dëgjuar në 2,3 apo në 6 të mëngjesit kur përfundoi dhe seanca plenare.
Gjithsesi pikërisht në orët e para të mëngjesit të sotëm Kuvendi ka miratuar me 77 vota pro, 53 kundër, 1 abstenim kabinetin e ri qeveritar dhe programin qeverisës për katër vitet e ardhshme.
“Projektvendim për miratimin e programit politik dhe përbërjes së Këshillit të Ministrave. Votimi: Kanë votuar pro 77 deputetë, kanë votuar kundër 53 deputetë, abstenuar 1 deputet. Projektvendimi miratohet. Kuvendi i jep besimin qeverisë “Rama 3”. Suksese”, tha kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla.
Kryeministri Edi Rama dhe kabineti i tij qeveritar pritet që të betohen tek Presidenti Ilir Meta më 18 shtator. Ceremonia e betimit do të mbahet në orën 11:00 të së shtunës.