Kuvendi i Shqipërisë miratoi të enjten më 23 korrik ndryshimet në Kodin Zgjedhor, pët të cilat palët politike kishin rënë dakord fillimisht më 5 qershor, një hap ky i përshëndetur nga partnerët europianë të vendit, të cilët përsëritën gjithashtu kërkesën për Ramën të mos ndërmarrë ndryshime kushtetuese pa rënë dakord më parë me opozitën jashtëparlamentare.
Ndryshimet lidhen me sistemin e menaxhimit të zgjedhjeve dhe nuk sjellin ndonjë ndryshim në mënyrën se si shqiptarët votojnë apo vendi qeveriset por miratimi i tyre është parë si një hap i rëndësishëm për hapjen e bisedimeve për integrim me BE-në dhe për kthimin e opozitës kryesore në politikëbërjen institucionale të vendit.
Ndërkohë, kryeministri Edi Rama vijoi të këmbëngulë se në seancën e fundit plenare para pushimeve, atë të 30 korrikut, do të miratojë një paketë të dytë ndryshimesh, kësaj here në kushtetutën e vendit, ku parashikohet të eliminohet mundësia e krijimit të koalicioneve parazgjedhore dhe të rritet pragu i hyrjes në parlament. Propozimi parashikon edhe një hapje të pjesshme të listave, ndonëse në formën e vet të propozuar, shumë gjëra lihen të përcaktohen në një diskutim më vonë në kuadër të kodit zgjedhor dhe efekti praktik i këtij ndryshimi nuk dihet.
Partitë politike të opozitës PD dhe LSI e kanë konsideruar propozimin për ndryshim të kushtetutës një zhvleftësim të marrëveshjes së 5 qershorit ndërsa zyrtarë të ndryshëm të Komisionit Europian si dhe disa eurodeputetë kanë kërkuar tërheqjen e saj.
Pas miratimit të ndryshimeve në seancën e së enjtes, Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Tiranë, zyra e OSBE-së, Ambasadori i BE-së dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar përshëndetën ndryshimin ndërsa kërkuan diskutime më të gjera për ndryshimet kushtetuese të kërkuara nga Rama.
Ambasadori i BE-së Luigi Soreca deklaroi:
“Ndonëse ne pranojmë rolin e parlamentit në shtyrjen përpara të ndryshimeve shtesë në lidhje me sistemin zgjedhor, ne nxisim të gjitha palët të vijojnë diskutimet në Këshillin Politik me të njëjtën frymë përfshirëse dhe bashkëpunuese si ajo e demonstruar në miratimin e marrëveshjes politike të 5 qershorit.”
Në të njëjtën frymë përshëndeti edhe Oliver Varhelyi, komisioneri për zgjerimin. Ndërsa theksoi se vota e sotme plotëson një kusht për hapjen e bisedimeve, ai shtoi se “për ndryshimet shtesë, palët duhet të vijojnë bisedimet”./h.e