Seanca e sotme e Kuvendit nisi me tensione për shkak se deputetët e opozitës bllokuan sërish foltoren e Kuvendit me karrige, ndërsa ndezën tymuese në sallë.
Seanca do të diskutonte projektbuxhetin dhe paketën fiskale 2024.
Të pranishëm në seancën plenare ishin anëtarët e kabinetit dhe Kryeministri Edi Rama për të diskutuar projektbuxhetin.
Kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla nisi seancën me leximin e rendit të ditës dhe njoftimeve, e ndërprerë nga deputetë të opozitës. Pas leximit të rendit të ditës, deputetë të opozitës ndezën tymuese në sallë.
Më pas, Nikolla kaloi në votim rendin e ditës në bazë të rregullores së Kuvendit.
Nikolla u shpreh se qytetarët kërkojnë të dëgjojnë buxhetin e tyre.
“Ç’keni pse nuk i doni të flasim për rritjen e rrogave. Rritja e pagave për 30 mijë mësues. Tekstet falas për 231 mijë nxënës. Mbështetje financiare për 50 mijë studentë. Ju bëj thirrje të nderuar kolegë, me ftesën për të vijuar diskutimet mbi buxhetin siç qytetarët e meritojnë”, u shpreh Nikolla.
Më pas, Nikolla përjashtoi deputetin Flamur Noka nga seanca për ndezjen e tymueseve.
“Qytetarët duan të dëgjojnë. Ju ç’keni, pse doni të heshtni sot? 400 mijë qytetarë me barna të rimbursueshme. 161 mijë përfitues të skemës së ndihmës ekonomike”, u shpreh ajo.
“Po ju, zonja deputete, pse nuk doni të diskutojmë për mbi 8 mijë gra kryefamiljare që përfitojnë mbështetje financiare dhe që kanë 3 fëmijë e më shumë në moshën 18 vjeç?”, tha Nikolla.
Përpara nisjes së seancës plenare, kryetari i grupimit të Rithemelimit të Partisë Demokratike, Sali Berisha paralajmëroi bllokimin.
Ai deklaroi se po afron dita dhe momenti kur shqiptarët do hidhen në një protestë pa kthim ndaj këtij regjimi. “Rëndësi jetike ka që ne të vazhdojmë këtë betejë pa kthim, të bindur se po afron dita dhe momenti kur shqiptarët do hidhen në një protestë pa kthim ndaj këtij regjimi”, u shpreh Berisha.
Kuvendi ka miratuar ditën e sotme në parim me 73 vota projektbuxhetin për vitin 2024 që konsiderohet si projektbuxheti më i madh publik me 7 miliardë euro shpenzime publike të planifikuara.
Sipas skenarit bazë për vitin e ardhshëm, rritja ekonomike parashikohet të jetë 3.8% me një rritje mesatare vjetore prej rreth 4% për periudhën afatmesme në vijim.
Pas miratimit në parim, projektbuxheti do të kthehet për diskutime nen për nen në komisionet parlamentare dhe më pas miratohet në seancë plenare.
Sipasprezantimit të bërë nga ministri i Ekonomisë dhe Financave Ervin Meta, të ardhurat buxhetore në raport me Prodhimin e Brendshëm Bruto, për periudhën 2024-2026 parashikohen të rriten në vlerën mesatare prej 27.8% të PBB, nga 27% që kanë rezultuar përgjatë periudhës 2019-2022.
Kjo rritje, sipas Minstrisë së Financave dhe Ekonomisë, bazohet kryesisht në përmirësimin e administrimit fiskal, duke zgjeruar bazën e tatimit me synim minimizimin e informalitetit dhe shmangies tatimore.
Projektbuxheti vijon mbështetjen për një rritje domethënëse të pagave, duke bërë të mundur që brenda vitit 2024 të realizohet objektivi i vendosur për të arritur një nivel page mesatare prej 900 euro në muaj. Gjithashtu kryeministri Edi Rama ka dhënë detaje, duke zbuluar se nga rritja e pagave në sektorin publik do përfitojnë mbi 14 mijë infermierë dhe 30 mijë mësues.
Financimi i investimeve publike të programuara për vitin 2024 do të jetë 5.3% e PBB-së, duke mbështetur në vazhdimësi rritjen ekonomike, për të zhvilluar më tej turizmin, bujqësinë dhe konektivitetin, si edhe duke nxitur punësimin. Paketa e investimeve mbështet infrastrukturën kombëtare dhe vendore, për t’iu përgjigjur sa më mirë kërkesës në rritje të turizmit.
Investimet Publike për vitin 2024 janë planifikuar në masën 5.3% e PBB ose 128.5 miliardë lekë, rreth 4.6 miliardë lekë më shumë se plani fillestar i vitit 2023. Shumica e shpenzimeve kapitale për vitin 2024 shkon për financimin e projekteve në vazhdim si: Unaza e madhe e Tiranës, Ndërtimi i Tunelit të Llogarasë, Rruga e Arbrit, Segmenti Orikum-Dukat, apo projektet e nisura në infrastrukturën e ujësjellës-kanalizimeve që kapin vlerën totale prej 11 miliardë lekë, si dhe projektet e zhvillimit urban të implementuara nga Fondi Shqiptar i Zhvillimit të financuara me 16.6 miliardë lekë. Gjithashtu, vijon financimi i rindërtimit me 7 miliardë lekë, duke lënë gjithashtu të hapur mundësinë e rialokimeve me qëllim përshpejtimin e mëtejshëm të këtij procesi.
Buxheti i vitit 2024 shoqërohet me një Paketë Fiskale, e cila synon qëndrueshmëri të legjislacionit dhe politikës fiskale, duke mos ndërmarrë masa të ndjeshme fiskale, por duke vendosur theksin te mirëadministrimi.