Kuvendi i Shqipërisë do të mblidhet sot në seancë plenare, ku në rend të ditës është mes të tjerash projektligji që i hap rrugën pagesës së punonjësve dhe ish-punonjësve të Kombinatit Mekanik të Poliçanit, ndërsa pritet të votohen dhe ngritja e dy komisioneve, ai për dezinformimin dhe kundër korrupsionit.
Kuvendi parashikon të diskutojë 13 pika në rendin e ditës, mes të cilave 5 janë projektligje.
Më tej, sipas rendit të ditës, Kuvendi do të diskutojë një seri marrëveshjesh siç është dhe ajo e miqësisë me Ukrainën.
Opozita ka vijuar protestat sot para selisë së Kuvendit, ku po mbahet mes debatesh seanca plenare e radhës.
Protestuesit u kanë vënë flakën gomave para Kuvendit, teksa akuzonin qeverinë si të lidhur me trafikantë droge.
“Të shpëtojmë Parlamentin nga narkodeputetët, të shpëtojmë vendin nga narkoqeveria. Opozita i del zot çdo qytetari të tij. Rama ik”, ishin thirrjet e protestuesve.
Policia e Shtetit mori masat për mbarëvajtjen e protestës ndërsa efektivë u rreshtuan në hyrjen përpara Kuvendit. Deputetët hynë në sallë përpara nisjes së protestës duke shmangur përplasjet.
Protestuesit hodhën edhe fruta në drejtim të policisë.
Protesta e opozitës ka vijuar me përplasje të forta me policinë, ndërsa protestuesit u përpoqën të heqin kordonin e krijuar nga uniformat blu. Pamjet nga protesta tregojnë për përplasje fizike mes protestuesve dhe policisë.
Anëtari i Rithemelimit, Klevis Balliu u përplasu me policinë ndërsa iu bashkua protestuesve në përpjekjen për të çarë kordonin e sigurisë.
Policia ka pasur gati mjetet e hedhjes së ujit për shpërndarjen e protestuesve në rast të përshkallëzimit të përplasjeve.
Protesta u thirr nga Rithemelimi pas episodit të dytë të RAI 3 për Shqipërinë.