Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në dialogun Kosovë-Serbi, Mirosllav Lajçak, ka thënë se në zyrën e tij mban një hartë në të cilën Kosova dhe Serbia janë të ndara.
Ai këto reagime i bëri pasi shumë qytetarë të Kosovës dhe përfaqësues politikë, kanë ngritur shqetësimin për një intervistë, në prapavijë të së cilës pretendohej se ishte një hartë e Ballkanit e ku Kosova thuhej se ishte pjesë e Serbisë.
Lajçak ka thënë se janë nxitur keqkuptime të shumta rreth kësaj çështjeje dhe për këtë arsye, ai ka zgjedhur të publikojë disa fotografi të hartës që mban në zyrën e tij.
“Është një hartë zyrtare e BE-së, e Ballkanit Perëndimor. Kosova është aty dhe po ashtu është linja që e ndan Kosovën nga Serbia”, ka shkruar Lajçak në Twitter.
“Dita e sotme është një shembull se pse dialogu për normalizimin të marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë është kaq i rëndësishëm. Kështu që çështje të ngjashme nuk do të shkaktojnë më keqkuptime”, ka shkruar më tej Lajçak.
Lajçak është kritikuar gjatë së enjtes nga ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme e Kosovës, Meliza Haradinaj-Stublla.
Haradinaj-Stublla ka shkruar në Twitter se Lajçak duhet përditësuar hartën e Ballkanit Perëndimor, ndryshe sipas saj, puna e tij do të jetë e dështuar.
Kritike ndaj Lajçak ka qenë edhe ish-deputetja e Kuvendit të Kosovës në legjislaturën e fundit, Mimoza Kusari – Lila./Rel