I dërguari i posaçëm i Bashkimit Evropian për bisedimet Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, po qëndron të hënën në Prishtinë prej nga do të shkojë edhe në Beograd, në kuadër të përpjekjeve për të rifilluar bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.
Zoti Lajçak po takohet në një drekë pune me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti, ndërsa në orët e mbrëmjes në Beograd pritet të takohet me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiç.
Shtetet e Bashkuara dhe Bashkimi Evropian janë vënë në përpjekje për rifillimin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet tyre në dritën e një propozimi evropian, i cili nuk parasheh njohje të ndërsjellë, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në procesin e integrimeve.
Kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ritheksoi javën që lamë pas se propozimin e sheh si bazë të mirë për diskutime të mëtutjeshme dhe “jemi të interesuar të punojmë sa më intezivisht që i njëjti të finalizohet dhe të nënshkruhet nga palët, andaj kërkojmë nga zyra e përfaqësuesit të lartë të Bashkimit Evropian, zotit Josep Borrell, që sa më parë të ftojë në takime të rregullta e të shpeshta në mënyrë që të përparojmë drejt finalizimit”.
Presidenti serb Aleksandar Vuçiç, la të kuptohet se do të pranojë propozimin, duke paralajmëruar për pasojat që mund të ketë Serbia nëse e refuzon atë. Javën që lamë pas ai raportoi në parlamentin serb për bisedimet me Kosovën, duke theksuar pasojat me të cilat do të përballet vendi i tij nëse refuzon propozimin evropian.