Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani ka pritur në takim përfaqësuesin special të BE-së për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak, me të cilin ka diskutuar mbi sfidat aktuale politike dhe të sigurisë, me theks të veçantë në veriun e vendit, e po ashtu edhe për përpjekjet për përshkallëzimin e situatës, sikurse edhe nevojën për zbatimin e marrëveshjes së Brukselit dhe aneksit të Ohrit.
Në njoftimin për media nga presidenca e Kosovës, thuhet se Osmani ka theksuar se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara që së bashku me partnerët ndërkombëtarë t`i tejkalojnë sfidat aktuale dhe se Kosova ka demonstruar vullnet për përshkallëzim, duke ofruar organizimin e zgjedhjeve të reja në veri të vendit, në përputhje me kornizën ligjore të Kosovës.
Në kontekst të zhvillimeve të fundit në veriun e vendit, presidentja Osmani ka theksuar se grupet kriminale dhe individët që përdorën dhunë ndaj policisë, gazetarëve, pjesëtarëve të KFOR-it, EULEX-it dhe qytetarëve, duhet të përballen me drejtësinë.
Tutje në njoftim thuhet se presidentja Osmani ka theksuar se Kosova mbetet e palëkundur në synimin e saj për paqe dhe stabilitet në vend dhe rajon.
Kryeministri Albin Kurti edhe në takimin e sotëm me emisarin e BE-së për Ballkanin Perëndimor dhe dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak ka potencuar që masat ndëshkuese të BE-së ndaj Kosovës janë të padrejta dhe si të tilla e bëjnë dialogun asimetrik, raporton rtk.
Kështu bëhet e ditur në komunikatën për media të Qeverisë pas takimit që kreu i ekzekutivit pati me të ngarkuarin e BE-së për dialogun, e ku morën pjesë edhe ambasadori i Kosovës në Bruksel, Agron Bajrami dhe këshilltari i politik i kryeministrit, Jeton Zulfaj nga njëra anë dhe shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë, ambasadori Tomas Szunyog dhe bashkëpunëtorët e tij Christian Ramet e Mikko Väyrynen.
“Në vijim, Kurti shprehu përkushtimin dhe angazhimin e tij për de-eskalim dhe normalizim. Theksoi që Qeveria e Kosovës nuk kontribuon assesi në eskalim dhe se Policia e Kosovës vetëm zbaton ligjin e kujdeset për sigurinë publike. Po ashtu, Kryeministri Kurti konfirmoi që Policia e Kosovës e vendosur nëpër ndërtesat komunale nuk ka ndërmarrë operacione në rrethinën e atyre objekteve”, thuhet në komunikatë.
Në lidhje me rrugën përpara, Kryeministri Kurti tha që neni 72 i Ligjit për Vetëqeverisje Lokale e tregon qartë rrugën për zgjedhje të parakohshme nëpër komuna dhe se Qeveria në përpikëri mbështetë procedurat ligjore. Ndërkaq, sa i përket normalizimit të marrëdhënieve me Serbinë, garanci është zbatimi i plotë dhe pa kushte i Marrëveshjes Bazike e cila sjellë marrëdhënie të mira fqinjësore dhe evropiane për dy shtetet, citohet kryeministri Kurti në komunikatën e ekzekutivit.
Nuk është detyrë e lehtë, as situatë e lehtë. Kam pasur takime të rëndësishme me presidenten Osmani e kryeministrin Kurti. Diskutim të gjatë e sinqertë. Shumë të rëndësishëm. Kështu ka deklaruar i dërguari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë – Serbi, Miroslav Lajçak për media pas takimit që ka pasur me kryeministrin Albin Kurti.
Ai ka thënë se ata janë pajtuar që të vazhdojnë diskutimet për shtensionim të situatës në veri të vendit.
“Duhet të zgjedh fjalët, ka mirëkuptim në nevojën për të ecur para në tri pikat që janë paraqitur nga BE-ja: shtensionim, zgjedhje të reja dhe kthim në normalizim. Ende duhet të vazhdojmë diskutimet për hapat konkretë që duhet të merren”, ka theksuar Lajçak.
Ai nuk ka dashur të komentojë sanksionet ndaj Kosovës, teksa ka thënë se në BE nuk janë aspak të lumtur që vihen në pozitë për të vendosur masa.
“Qëllimi i diskutimit ishte që të arrijmë te pika që të hiqen masat dhe të arrijmë te pikat paraprake. Do të vazhdojmë diskutimet tona për hapat konkretë që do të na çojnë atje. Ai paraqiti pikëpamjen e tij, ndërsa unë prezantova pikëpamjet e mia dhe kjo është arsyeja se pse zgjati ky takim”, ka thënë Lajçak lidhur me takimin me Kurtin.
Ai e ka vlerësuar të rëndësishëm takimin e sotëm dhe sipas tij ai do të ndihmojë për t’i kuptuar më mirë qëndrimet e njëri-tjetrit, teksa vuri në pah se janë pajtuar që procesi të vazhdojë.
Ai nesër do të qëndrojë në Beograd ku do të takohet me krerët e shtetit serb. Lajçak ka thënë se BE ka masa të gatshme edhe për Serbinë, në rast se ajo nuk vepron në raport me kërkesat e tyre.
“BE-ja e ka bërë të qartë se ka sanksione të gatshme edhe për Serbinë dhe ato do të zbatohen nëse shohim se Serbia s’po vepron me kërkesat e BE-së. Dëshira ime është të mos kemi sanksione ndaj Kosovës e Serbisë. Dëshira ime është të kemi dy palët në Bruksel e të negociojnë si të zbatojnë marrëveshjet e arritura”, ka nënvizuar Lajçak.
/Argumentum.al