Duke parë që Kosova dhe Serbia kanë ngecur në qëndrime diametralisht të kundërta rreth çështjes së përdorimit të dinarit të Serbisë në Kosovë, ndërmjetësuesi i BE-së për dialogun Miroslav Lajçak, pas bisedave mbi shtatë orë që u zhvilluan të enjten në Bruksel, u dorëzoi palëve një propozim për kompromis. Nuk dha detaje të propozimit, por, Lajçak shkroi në X, se “do të presë takimin e radhës pas marrjes së komenteve konstruktive”. Palëve sipas tij iu dha hapësirë e mjaftueshme dhe “propozimi për kompromis”, është një përpjekje për t’i kapërcyer dallimet.
Bislimi: Serbia do të vazhdojë financimin e strukturave ilegale
Kryenegociatori i Kosovës, Besnik Bislimi, tha se “propozimi i Lajçakut synon që të përafrojë qëndrimet e palëve sa i përket çështjes së ndihmës financiare nga Serbia për serbët në Kosovë”. Sipas tij, Serbia kishte “qëndrime shqetësuese” sa i përket çështjes së transferimit të mjeteve financiare në valutën dinar nga Serbia në Kosovë.
“Qëndrimi i palës serbe është që të gjitha strukturat ilegale të Serbisë duhet të financohen, të vazhdojnë të financohen deri në kohën kur të krijohet Asociacioni i komunave me shumicë serbe, sepse sipas mendimit të tyre, qëllimi i Asociacionit nuk është që të sigurojë koordinim të mirë mes komunave, por të sigurojë legjitimizimin e pranisë së institucioneve serbe në Kosovë, që do t’i bënte ato institucione gjysmëserbe, por jo institucione të serbëve në Kosovë”, tha kryenegociatori Bislimi. Ai tha se, “për herë të parë, ne kemi parë haptazi, të dokumentuar nga Serbia, se si ata e shohin procesin e krijimit të Asociacionit”.
Petkoviq: Kjo duhet të zgjidhet urgjentisht, bëhet fjalë për ekzistencën e serbëve
Nga ana e tij kryenegociatori i Serbisë, Petar Petkoviq tha, se raundi i ri i bisedimeve do të zhvillohet më 13 maj, dhe ai shpreson që të arrihet përparim. “Bisedat kanë qenë të vështira dhe të tensionuara, por kanë qenë të drejtpërdrejta, gjë që është mirë. Si unë, ashtu edhe ekspertët patëm rastin të paraqesim propozimet tona për idetë e BE-së dhe për zgjidhjen e çështjes së dinarit, sepse Kurti kërcënoi me atë vendim ndalimin e përdorimit të dinarit, mbijetesën e popullit serb. Kjo duhet të zgjidhet urgjentisht, bëhet fjalë për ekzistencën e serbëve”, tha Petkoviq, duke akuzuar autoritetet e Prishtinës se atyre “nuk i interesojnë serbët që duan ta lëshojnë Kosovën, por i interesojnë vetëm serbët që duan të integrohen në Kosovë”.
Banka Qendrore e Kosovës BQK që nga 1 shkurti i këtij viti me anë të një rregulloreje e përcaktoi euron si valutën e vetme për pagesa të gatshme, duke e ndaluar kështu në mënyrë automatike përdorimin e dinarit të Serbisë. Komuniteti ndërkombëtar i kërkoi Kosovës që ta pezullojë rregulloren, në mënyrë që t’u jepet kohë qytetarëve serbëtë përshtaten me praktikën e re. Autoritetet e Prishtinës këmbëngulin se fjala është për një vendim të pavarur të Bankës Qendrore dhe kjo nuk mund të trajtohet me një vendim politik./dw