Pse Kryeministri Rama shtrin dorën për pajtim në Kosovë?

Ekskluzivisht për "ARGUMENTUM" 

Nga Marjana DODA

Kryeministri Rama pas 2 vitesh viziton Kosovën në një vizitë “zyrtare” deri diku, pasi kësaj here ka trokitur  derë më derë liderëve politik në Kosovë. Disave në zyre e disa të tjerëve në derën e shtëpisë.

Aktakuza e përgatitur kundër presidentit Hashim Thaçi dhe kreut të PDK, Kadri Veseli, duket se e kanë detyruar kryeministrin Rama të zhvillojë një vizitë dy ditore në Kosovë.
Nëpermjet një postimi ne Twiter Kryeministri Edi Rama paralajm ë roi për vizitën e tij në Kosovë, “Në Prishtinë për të dëgjuar dhe mësuar më shumë pas fletë-rrufesë speciale që do të hyjë si njollë turpi në historinë botërore drejtësisë, që praktikën e akuzës publike pa aktakuzë juridike e ka njohur vetëm në epokat e sundimeve ideologjike”, shkruante Rama.

Por më shumë se sa për tu informuar, vizita e tij kishte një mision tjetër, gati pajtues jo mes Kosovarëve siç bëri dikur plaku i pajtimeve të gjaqeve Anton Çetta, por kësaj radhe vete Rama u shtriu dorën për pajtim vëllezërve kosovarë. Për pajtim dhe shfajsim.

Le të rikthemi dy vite më pas,

Kujtojmë se vizita e fundit e Kryeministrit Rama në Kosovë ishte vetëm pak muaj pas deklarates së jashtezakonshme të Presidentit Thaçi për korrigjim kufijsh, pikërisht në Nëntor 2018, ku u mbajt mbledhja e përbashkët e dy qeverive.
Pasi firmosen te dy kryeminsitrat mbi flamurin kombëtar, Rama tërhoqi gati “dhunshëm” Haradinajn që të bashkonin duart mbi shqiponjën dy krenare porsi si dy vëllezër. Pra, bashkimi i duarve me Kryeministrin Ramush Haradinaj mbi flamurin kuq e zi.

Por sot pas 2 vitesh shqiponja kuq e zi duket se ka humbur drejtimin e saj. Vëllezërit shqiptarë janë më të përçarë se kurrë.

Korrigjimi i kufijve, Minishengeni Ballkanik e Taksa 100%, janë disa nga arsyet pse Kryeministri Rama u përfshi në akuza e kundërakuza me liderët politikë të Kosovës duke e çuar situatën gati në një “luftë të ftohtë” mes Prishtinës dhe Tiranës zyrtare.
Ideja e “korrigjimit të kufijve”, e bëre publike nga Presidenti i Kosovës Hashim Thaçi hasi në rezistencën e fortë opinionit publik dhe politik, në Shqipëri dhe Kosovë. Nën këtë përplasje të dukshme, erdhi Samiti i Berlinit, në prill 2019 Merkel dhe Macron, rrëzua idenë e “korrigjimit te kufijve”, por Haradinajt iu kërkua që të hiqte taksën 100 % për mallrat serbe. Pikërisht kërkesa për pezullimin e taksës ndaj Serbisë, që thuhet se u diskutua në Berlin dhe refuzimi i kryeministrit Haradinaj për ta hequr atë, ka përplasur Kryeministrin e Kosovës dhe Kryeministrin e Shqipërisë Edi Rama. Një polemikë në distancë u zhvillua nga dy kryeministrat për atë se çfarë u tha në Samitin e Berlinit dhe kush i bëri kujt presion që të pezullohet taksa.

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se në Berlin është përballur me presion të madh nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, për pezullimin e taksës ndaj mallrave serbe dhe të Bosnjës e Hercegovinës. Këto deklarime të Haradinajt nuk i pëlqyen kryeministrit të Shqipërisë. Ai i hodhi ato poshtë me një reagim të gjatë në profilin e tij social. Në të ai kritikon Haradinajn dhe e quan deklarimin e tij të pavërtetë.

Minishengeni dhe padia e Ramës,

Konflikti mes Ramës, Haradinajt apo gjithë politikës kosovare kulmoi, pas nismës së treshes Rama-Vuçiç-Zaev për “Minishengenin Ballkanik”, e cila u kundërshtua hapur jo vetem nga Kosova, që refuzoi këtë iniciativë por gjithashtu edhe nga Mali i Zi dhe Bosnja e Herzegovina.
Pikërisht më 15 janar ku ndërsa përkujtohej masakra e Reçakut, masakër që ishte mohuar nga Vuçiç. Rama jo vetëm nuk mori pjesë, por lajmëroi se sapo kishte regjistruar padinë për shpifje kundër kryeministrit në detyrë Ramush Haradinaj.
Kjo padi ndaj ish -kryeministrit Ramush Haradinaj dhe nisma e “Minishengenit Ballkanik” bëri që Kryeministri Rama të përflitej si tradhëtar në Kosovë, madje disa qytetarë kërkuan qe të shpallej “Non grata”.
Megjithatë nuk është kjo përplasja e vetme e Kryeminsitrit Rama në Kosovë. Pikërisht për “minishengenin” ka patur qejfmbetje dhe me liderin LDK-së z. Isa Mustafa të cilin Rama e quante tinzar.

Ende sot, përflitet takimi i ftohtë i kryemisntrit Rama dhe kryeministrit Kurti në fillim të këtij viti, ku më vonë do të pasohej me deklarata nga ana e Ramës se aktivistet e Kurtit kanë ndërmarrë aksione për ta rrëzuar nga qeveria.
Nuk kam marrë ndonjëherë anë në Kosovë. Aktivistët në fjalë kanë ndërmarrë aksione për të rrëzuar qeverinë time”,do te shprehej Rama lidhur me marredhenien mes tij dhe Kurtit.

Ndaj vizita dy ditore e Edi Ramës në Kosovë në ditët e fundit të qershorit është një përpjekje për tu shfajsuar para popullit kosovarë e për tu pajtuar me disa prej liderëve të tyre.

Kështu, Rama në ditën e parë të vizitës së tij në Kosovë do të takohej fillimisht me kreun e Nismës, Fatmir Limajn, më pas me kryetaren e Kuvendit, Vjosa Osmanin, kryeministrin Avdullah Hoti, kryetarin e Partisë Demokratike të Kosovës, Kadri Veseli dhe më pas në fund, përpara deklaratës për shtyp të Thaçit, të takohet me të,”
Bashkërisht konstatuam se drejtuesit e institucioneve në Kosovë duhet të tregojnë lidership të vërtetë në këto rrethana në të cilat po kalon vendi. Është përgjegjësi e udhëheqësve të forcave politike dhe institucioneve shtetëroree të Kosovës që t’i lemë anash dallimet dhe të veprojmë me gjakftohtësi të madhe në interes të vendit. Kosova nuk guxon të humbasë orientimin e saj dhe duhet t’i përgjigjemi me kujdes situatës, si dhe në të njëjtën kohë jam i bindur se ne do të dalim me të fortë nga kjo situatë. Kryeministri Rama u shpreh i gatshëm që të ofrojë gjithë ndihmën e shtetit shqiptar në çdo proces nëpër të cilat mund të kalojë Kosova”, tha Limaj.

Ashtu siç ishte parashikuar dhe në axhendë, kryeministri Edi Rama u takua edhe me kreun e Vetëvendosjes, Albin Kurti. Takim i mbajtur në selinë qendrore të LVV-së në Prishtinë, ku i pranishëm ishte dhe ministri në detyrë për Europën dhe Punët e Jashtme, Gent Cakaj.

Kryeministri Rama u takua edhe me “tinzarin”, Isa Mustafën.

Me kryetarin e LDK, Isa Mustafa, i nderuar nga mikpritja në shtëpi ku mu dha rasti të njoh edhe familjen e tij të bukur”, shkroi Rama.

Ai i shkoi në shtëpi pikërisht atij që pak kohë më parë e kishte quajtur tinëzar, duke mbrojtur me pathos Minishengenin Ballkanik”

Ndoshta kjo ishte arsyeja që ndryshe nga takimet e tjera deri diku formale, tinzarit Rama i shkoi në shtëpi e sigurisht sipas kodit të shqiptarëve “as hasmi nuk cënohet në konak”.

Kisha nderin të takohem me Kryeministrin e Shqipërisë, z Edi Rama e të bashkëbisedojmë për shumë tema aktuale. Ardhja e tij në Prapashticë, ku po qëndroj tani, ishte shenjë kujdesi dhe nder i veçantë për mua dhe familjen time”, shkroi Mustafa.

Duke deklaruar kështu pajtimin mes tyre.

Me të gjithë duket se Kryeminsitri Rama u pajtua, por jo me Ish-kryeminsitrin Ramush Haradinaj
Kryeministri shqiptar, Edi Rama anuloi takimin e parashikuar të mbajë me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj në vazhdën e takimeve të tij me liderët politik të Kosovës pas deklaratës së Haradinajt i cili refuzoi takimin me kryeministrin e Shqipërisë, raportonin mediat.

Është e pamundur me u takua i padituri me paditësin. Kjo s’ka kurrfarë logjike. Nuk ndihem mirë që si i paditur të takohem me askënd e as me zotin Edi Rama”, ishte përgjigja e Haradinajt mbrëmë në një televizion pas pyetjes nëse do të pranonte takimin me Ramën.

Megjithate Kryeministri Rama në konferencën për shtyp me gazetaret tha se tashmë do të tërhiqej zyrtarisht nga padia ndaj Haradinajt.

Por përse kërkon të pajtohet Kryeministri Rama?

Procesi i pajtimit nuk është vetëm ballafaqimi me të shkuarën, apo me drejtësinë. Komunikata e Prokurorisë Speciale, që për mua është si fletërrufe si e ato e revolucionit kinez, si shfaqje të jetuara në Shqipërinë e diktaturës është e pashembullt dhe e kombinuar në momentin e publikimit të saj përbën një arsye, pavarësisht nëse është i rastësishëm apo i qëllimshëm, në prag të një takimi në Shtëpinë e Bardhë, për të thënë se historia e kësaj Gjykate Speciale të radhës nisi të shkruhet me një akt që abortoi një proces politik që lidhet me paqen,” tha kryeministri shqiptar.

Por vetem flete rrufe nuk mund të quhej kjo aktakuzë, pasi ndër vite drejtues të UÇK-së janë përndjekur nga Gjykata Speciale në Hagë.

Vetem një vit më parë, në korrik të 2019, Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dha dorëheqje pikërisht pas ftesës nga Gjykata Speciale në Hagë, në cilësinë e të dyshuarit.
Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme, me multi-etnicitet, me shumëgjuhësi, me territor e kufij. Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo 'Dodik Republika' janë të papranueshme”, tha Haradinaj.

Duhet thënë, atëhere Kryeministri Rama nuk ishte si sot…

Nuk kemi ardhur as ti qëndrojmë pranë moralisht atyre, por besoj se jemi në një moment kritik që mund të ketë konseguenca të rënda për Kosovën nëse në këtë moment nuk ndahet qartë drejtësia me padrejtësinë. Reagimi im në Kuvend dhe ardhja ime këtu nuk nënkupton asnjë lloj përpjekjeje dhe asnjë lloj mendimi për të vënë në pikëpyetje domosdoshmërinë e ballafaqimit me drejtësinë. Fjala ime në Kuvend dhe ardhja ime këtu lidhet me padrejtësinë, do të vijonte Rama.

Në të vertetë, retorika e ashpër e Kryministrit Rama qoftë në parlamentin shqiptar por dhe në konferencen në aeroportin “Adem Jashari” në Kosovë u lexua nga gazetarë dhe opinionbërës si e tepërt, aq më tepër kur bëhet fjalë për vendime nga organizata ndërkombëtare .

Pse kjo gjuhë kaq e ashpër, pse gjithë këto shfajsime pikërisht tani kur dialogu është në gjendje të ngrirë?

I shqetësuar për UÇK-në?

Aspak. Pasi organizmat ndërkombëtare që në krye të herës kur u shpall kjo aktakuzë e kanë theksuar se kjo nuk prek luftën e UÇK-së por disa individe të caktuar të cilet duhet të provojnë pafajsinë e tyre para drejtesisë. Asgjë e re për Kosovën, kur siç përmendem më lart ish-kryeministri Haradinaj është ballafaquar disa herë me drejtesinë.

Të themi se është i shqetësuar për Thaçin?

Nuk besoj se ështe e nevojshme, pasi po në mbrëmje të vizitës së tij, Zoti Thaçi doli para popullit me një mesazh të gjatë e të qartë duke thënë konkretisht se:” Krime lufte nuk kam bërë asnjëherë. Edhe po të kthehesha mbrapa në kohën e Millosheviçit, do të bëja të njëjtën gjë duke iu përgjigjur plumbit armik me plumbin e etur për liri”.

Atëherë pse kjo nevoje e kryeministrit Rama për tu shqetësuar, dhe për tu shfajësuar para Kosovës?

Çdokush do mendonte se në ndërgjegjie të tij rëndon një peshë e madhe , një peshë që në fakt u mundua t’ja hiqte Ministri i Jashtëm i Shqipërisë z.Cakaj .

Kush i ka sytë në ballë e në kokë, nuk beson që ka qëllim për ndarjen e Kosovës. Këtë po e sjell si mesazh nga SHBA. Nuk ka nxitim për ndonjë marrëveshje, SHBA po kujdeset për ta bërë më të mirën për Kosovën”, tha ai.

Po çlidhje ka ndarja e Kosovës me aktakuzën e Prokurorisë speciale ndaj Thaçit? Për sa kohë kurrë nuk qenë një plan i tillë, sikundër na doli garanat dhe Ministri Cakaj, pse ky shqetësim sot(!)

Kryeministri Rama citoi Fishtën duke thënë:” Si janë shqiptarët sot? Siç i do hasmi!

Po Zoti Kryeministër, pajtohem plotësisht me Ju, por me vjen kaq keq që ky citim i Fishtës shumë dekada më parë zë vend “këmbëkryq “ sot në vitin 2020. Pranojeni…Po, keni bërë ashtu siç donte hasmi!

Ndaj kjo është e vetmja arsye për tu shfajësuar e për të shtrirë dorën e pajtimit në Kosovë. Koha për të reflektuar thellë e për të vepruar shpejt, pasi më vonë do të jetë shumë vonë jo vetëm për Kosovën por për gjithe Ballkanin./argumentum.al

© Argumentum