Demokratët apo Republikanët ?

EKSKLUZIVISHT për ARGUMENTUM        

  Nga Dr. Jorgji KOTE

Kjo është pyetja më e shpeshtë që bëhet këto ditë, gati 2 muaj përpara zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Kur sapo përfundoi Konventa Kombëtare e Republikanëve me konfirmimin e Presidentit Trump, ndërsa një javë më parë dhe ajo Demokrate  me kandidatin e tyre ish-Zv.Presidentin, Joe Biden. Në prag të fillimit zyrtar të fushatës, këto Konventa ishin padyshim ngjarjet më të rëndësishme ku u hodhën piketat e fushatës, u miratuan kandidatët, programet dhe vizionet e tyre për katër vitet e ardhëshme.

Specifikat kryesore dalluese të këtyre dy Konventave janë: ato u zhvilluan për herë të parë në historinë amerikane virtualisht, për shkak të koronës ; në një kohë kur sondazhet flasin për një epërsi të vazhdueshme të Joe Biden me 7 - 8 për qind; kur Administrata Trump është tronditur  seriozisht nga protestat masive anti - raciste pas vrasjes makabër nga policia të afrikano-amerikanit George Floyd; kur virusi i koronës «  po bën kërdinë » në SHBA me një keqmenazhim të krizës më të madhe pas Luftës së II Botërore; gjithashtu, ajo është tronditur dhe nga shumë largime, dorëheqje, dënime, etj. Ditët e fundit  u arrestua Steve Bannon, arkitekti i fushatës presidenciale 2017 dhe skifter i ekstremizmit të djathtë, ndërsa Këshilltarja e afërt e Presidentit Trump, zonja Conway dha dorëheqjen, etj.

Jashtë vendit, SHBA dhe komuniteti ndërkombëtar përballet me sfida të shumta serioze. Por, kur në vend të strategjive hyrëse ( entry strategy) SHBA po « u bën dalje( exit) » krizave dhe aleatëve të saj. Mjaft të themi se gjatë dy viteve të fundit ajo është larguar në mënyrë të njanshme dhe të pajustifikueshme nga 6 organizata dhe traktate ndërkombëtare, ka hyrë në konflikt të hapur me vende aleate, sidomos Gjermaninë, etj.  Në vend të çimentimit, ajo po kërkon çmontimin e multilaterizmit që e krijoi dhe mbrojti në krye të bashkësisë ndërkombëtare për mbi 7 dekada me radhë. Në politikën e jashtme, vështirë të gjesh një hap, se sukses është shumë. Marrëveshja midis Emirateve të Bashkuara Arabe dhe Izraelit, megjithë rëndësinë e saj përmban në vetvehte shumë rreziqe dhe asnjë garanci për zgjidhjen e  « nyjes gordiane « me Palestinën. Ka shumë të ngjarë që dhe  takimi i shumëpritur  në Shtëpinë e Bardhë  më 4 shtator me krerët e Serbisë dhe Prishtinës të rezultojë më tepër një « qokë » ose dekoracion elektoral.

Në këto kushte, folësit në Konventën Republikane u munduan të mohojnë ose anashkalojnë dështimet dhe mosarritjet; madje, ata i quajtën suksese të mëdha   menazhimin e koronës, uljen në tryezën e bisedimeve të Kim Jong un, tërheqjen e trupave amerikane, denoncimin e Marrëveshjes gjashtëpalëshe me Iranin, etj.

Shumica e analistëve dhe ekspertëve politikë bashkohen në mendimin se  Demokratët treguan më shumë forcë, pozitivitet dhe optimizëm për  elektoratin në përgjithësi. Vërtet që dhe ata kritikuan, por me moderacion, fakte dhe kryesisht Administratën Trump, por jo republikanët në përgjithësi; veç kësaj, zgjedhja si kandidate për nënpresidente e një personaliteteje të fuqishme afrikano-amerikane si Kamala  Harris i dha shumë pikë Joe Bidenit. Ky i fundit, ndryshe nga Trump që bëri një ONE MAN Show  paraqitet më bindshëm me ekip presidencial.

Ndërsa në Konventën Republikane, ndryshe nga tradita e deritanishme  Trump nuk pati durim, por foli, madje  gjatë qysh në ditën e parë dhe pastaj çdo ditë. Ai sulmoi ashpër të gjithë demokratët, duke i cilësuar ata si rrezik për SHBA-në bashkë me radikalizmin e majtë, socializmin, etj Ndërsa sfidantin e tij e quajti « Peking Biden», «  Kalë Troje të radikalëve të majtë ; madje, ai shkoi deri aty sa  të paralajmërojë se « fitorja e Biden do të ishte fundi i ëndrrës amerikane » !!!!

Në fakt, kjo strategji agresive negativiste e Trump, e përqëndruar më shumë në mohimin e kundërshtarit se sa në afirmimin e politikave të ardhëshme republikane,  në kushtet kur demokratët kryesojnë dukshëm në sondazhe, synon të mbjellë frikë dhe pasiguri, me qëllim që të  mbajë fort të mobilizuar « pas «  qerres » së tij bazën konservatore republikane. deorateve

Avantazh tjetër i dukshëm për demokratët ishte se Joe Biden e mbështetën publikisht me praninë dhe fjalime të tre paraardhësit e tij, Carter, Clinton dhe Obama me bashkëshortet e tyre, kundërshtarët e Bidenit në këtë fushatë dhe shumë personalitete të shquara të artit, kulturës dhe muzikës. Ndërsa në Konventën Republikane, ndryshe nga çdo tast tjetër i mëparshëm nuk ishte i pranishëm ish Presidenti Bush dhe as ish -kandidati për president më 2012 Mit Romney që është distancuar prej tij; as artistë dhe personalitete.  Kësisoj, Konventa Republikane i ngjante më shumë një «  sebepi » familjar, ku  djemtë, vajza, bashkëshortja, të afërm i thurën  elozhe Trump. Kësisoj, «  the old grand party » u shfaq në një parti «  Trump » Por aty nuk ishin motra e Trump dhe mbesa e tij avokate, Mary Trump, e cila botoi kohët e fundit një libër shkatërrues për imazhin e xhaxhait të saj.  Në fakt, familjarët e kandidatëve folën, sipas traditës, edhe te demokratët ; veçse në aspektin personal, për babain e tyre; ndërsa te republikanët, ata bënë tirada dhe parada të mirëfillta polittike, duke kapërcyer « sinoret » e familjes. Sipas ekspertëve, një rast i tillë ku familja të përfshihet aq shumë në mbështetje të kandidatit presidencial ka ndodhur vetëm me Kenedin më 1960. Vetëm se familjarët e tij ishin personalitete të njohura e të spikatura publike dhe jo të pompuar e katapultuar në politikë, si familjarët e Presidentit Trump ; e megjithatë, familjarët e  dinastisë politike « Kenedi » e dhanë dhe e shprehën me shumë «  kripë dhe lezet » mbështetjen e tyre publike.

Së fundi, mund të thuhet se më të fituar nga dy Konventat zgjedhore amerikane dolën demokratët. Po më 3 Nëntor, kur është beteja e vërtetë ? Le të presim e të shohim dhe ca fushatën që fillon këto ditë.

/argumentum.al

© Argumentum